E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia Otello, u besohet aktorëve të rinj në skenën e arteve

Vepra e Shekspirit zbret në skenën e Akademisë së Arteve

Studentët e arteve kanë sjellë para publikut një tjetër kryevepër botërore. Tragjedia Otello e Shekspirit ngjiti në skenë aktorë të rinj, të cilët sollën para publikut një prej kryeveprave më të njohura botërore. Regjisori Arbër Jakllari së bashku me studentët e arteve këtë herë solli Otellon e Shekspirit, por të trajtuar me një tjetër koncept tjetër regjisorial.

Publiku, i cili ishte kryesisht me të rinj, pati mundësinë ta shijonte këtë pjesë në sallën Black Box, të Akademisë së Arteve. Për këtë vepër regjisori kishte zgjedhur të rinj të talentuar, të cilët me interpretimin e tyre arritën që të sjellin një Otello me vlera artistike para publikut, ndërkohë që kjo vepër konsiderohet si një nga më të vështirat e dramaturgjisë botërore. Regjisori Arbër Jakllari edhe më parë ka sjellë në skenë vepra, të cilat mbajnë firmën e autorëve të njohur botërorë, e në vijim të tyre ai këtë herë zgjodhi Shekspirin. Në rolin kryesor në atë të Otellos erdhi Florjan Kokona, në rolin e Desdemonës aktorja e re e talentuar Esela Pysqyli, në rolin e Jagos Endri Çela. Jakllari ngjiti në skenë një trupë prej nëntë aktorësh, të cilët me lojën e tyre aktoriale i falën publikut një shfaqje me vlera artistike. Dashuria e Desdemonës dhe Otellos është aq e fort, sa krijon një muzikalitet dhe harmoni, duke u përhapur në të gjitha sferat e tjera, këtu vjen dhe rebelimi, djalli (Jago-personazhi kryesor) dhe thur intrigën për ta shuar këtë harmoni dhe dashuri. Kjo smirë ndizet dhe punon brenda trupit njerëzor si një motor dhe shuhet vetëm atëherë kur smira arrin të zotëroj gjithçka dhe të shuaj egon njerëzore. Aktorja Esela Pysqyli tregon se me këtë vepër se ajo u rikthye pas 6 muajsh shkëputje nga skena teatrore. Ishte një rol i bukur dhe më riktheu pas 6 muajsh në skenë. Është një ndër veprat më të bukura të Shekspirit, pohon aktorja Pysqyli. Regjisori Arbër Jakllari pohon për gazetën se shfaqja Otello ka të bëjë me një botë intrigante ku lumturia e tjetrit shikohet si një smirë, duke shtuar se jetojmë në botën e pagove (intrigantëve) e parë kështu do të thotë se intrigantët ndodhen kudo rreth nesh (jagot). Mesazhi përqendrohet te individi i cili nuk duhet të mbyllet brenda guaskës së vet, (siç bën Otello) por duhet të komunikoj, sepse një nga problemet kryesore që ka shoqëria jonë njerëzore është moskomunikimi, tregon regjisori i ri Jakllari. Para disa kohësh regjisori Arbër Jakllari u ngjit në skenë e Teatrit Kombëtar jo vetëm si regjisor, por edhe si aktor në rolin kryesor Prometeun në veprën Prometeu i lidhur. Ai solli një Promete të kohëve moderne, i zhgënjyer nga vetja e vet dhe nga njerëzimi. Zanafillën e ka që nga antikiteti, në momentin kur Prometeu merr zjarrin dhe ua jep atë njerëzve. Është e vërtetë që figura e Prometeut dhe ngjarja në fjalë është pothuajse e njohur nga të gjithë, tregon regjisori mbi veprën. E veçanta e shfaqjes ishte se aty ishte pikërisht kalimin nga ajo periudhë e antikitetit në atë moderne, të ditëve të sotme ku zjarri ka marrë si të thuash përmasa galopante, në drejtim të përdorimit të keq që njerëzit i kanë bërë kësaj dhurate. I pyetur mbi mesazhin që solli kjo vepër regjisori ka thënë se: Prometeu i lidhur është heroi i njerëzve dhe i njerëzimit. Kjo është e ditur dhe e njohur pothuajse për të gjithë. Dua të theksoj që edhe në ditët e sotme, ai vjen si hero i njerëzve dhe i njerëzimit, por konteksti është disi ndryshe. Ky personazh identifikohet me njerëzit me anë të zemrës. Madje, kjo duket edhe në fjalët e tij kur ai shprehet: Ata njerëz, me zemrën time. Dhe që nga ky moment ai merr vendimin për t`u dhuruar zjarrin e për t`i ndihmuar ata. Njerëzit e përdorën zjarrin, pra këtë dhuratë për të vrarë e madje, rrezikuar ekzistencën e tyre. Prometeu vjen sot i zhgënjyer nga njerëzit dhe i lidhur pikërisht nga ky zhgënjim, i cili në mënyrë simbolike është edhe një zhgënjim nga vetvetja e tij. Shfaqja Prometeu i lidhur erdhi e realizuar duke marrë fragmente nga vepra e Eskilit, pra nga e gjithë antika.


Nga Julia Vrapi

Last Updated on E Marte, 18 Maj 2010 19:27

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›