Një zhvillim i majtë ekonomik
Blendi Kajsiu
E majta shqiptare duhet të jetë skeptike për procesin e integrimit euro-atlantik, që është përqafuar me të njëjtin zell sot siç u përqafua komunizmi dje. Natyrisht kjo nuk do të thotë të jesh kundër Evropës apo identitetit evropian të shqiptarëve. Shqipëria është në Evropë, është evropiane më shumë sesa të gjithë fqinjët e saj të marra së bashku. Debati për identitetin evropian të shqiptarëve është një debat shterpë që anashkalon problemet themelore ekonomike që na ndajnë realisht nga Evropa. Ajo që na ndan ne sot nga Evropa është ekonomia dhe jo identiteti dhe aq më pak kultura. Këtë ne nuk arrijnë ta shohim prej kompleksit tonë islamik dhe tezave Huntingtonine si përplasja e qytetërimeve që në thelb fshehin përplasjen e interesave ekonomike. Por Islami shqiptar dhe sidomos bashkëjetesa mes sunitëve, bektashinjve, ortodoksëve dhe katolikëve, kombinuar kjo me traditën laike shqiptare, ku kombi dhe feja janë të ndara që në gjenezë e bëjnë Shqipërinë sot e gjithë ditën një vend më evropian sesa fqinjët. Shqipëria sot është nga të paktët në mos i vetmi vend në Evropë, ku jo vetëm shteti, por edhe kombi është laik. Pa përmendur faktin që shqiptarët sot si individë janë ndër popujt më të integruar dhe të përshtatur në Evropë, si nga ana kulturore edhe nga ajo linguistike. Ajo që na diferencon ne sot nga fqinjët është mungesa e zhvillimit ekonomik, çka reflektohet në faktin e thjeshtë se përqindja e shqiptarëve që duan të emigrojnë nga Shqipëria apo Kosovë është shumë më e lartë sesa në Maqedoni, Serbi apo Mal të Zi, pikërisht këtu duhet parë edhe mungesa e liberalizimit të vizave para se ta kërkojmë tek Islami. Pra, të jesh skeptik ndaj integrimit në BE nuk do të thotë të jesh skeptik ndaj Evropës, por ndaj një modeli zhvillimi që e vendos ekonominë shqiptare në funksion të nevojave të qendrës evropiane. Sot ne jemi periferia që përmbush nevojat e qendrës me krahë të lirë pune duke i ofruar asaj edhe hapësira për të investuar. Sektorët më fitimprurës të ekonomisë shqiptare janë sot në duart e kapitalit të huaj dhe veçanërisht atij evropian, ndërsa kapitali lokal është pothuajse i përjashtuar nga privatizimet strategjike vendase, me ndonjë përjashtim të rrallë. Ndërkohë që zhvillimi i Shqipërisë është deleguar tërësisht tek BE-ja, a thua se mjafton që ne të përafrojmë ligjet me BE-në dhe gjithçka do zgjidhet.
Pikërisht për këtë arsye një e majtë shqiptare nuk mund ta përqafojë globalizmin me të njëjtin zell si e majta britanike e Toni Blair, që kish kuptuar qartë se nëpërmjet globalizimit Britania për vetë strukturën e saj të zhvilluar ekonomike dhe financiare fitonte më shumë sesa humbiste. Përsëri kjo nuk do të thotë të jesh kundër globalizmit dhe aq më pak ta izolosh Shqipërinë nga rajoni dhe më gjerë. Kjo thjesht do të thotë që globalizimin ta shikosh në funksion të interesave zhvillimore lokale dhe jo anasjelltas t’i vendosësh këto interesa në funksion të globalizimit. Një vend si Shqipëria që as prodhon dhe as shet dot gjë në tregun global nuk mund të jetë aq e dashuruar me tregtinë e lirë sa ato vende që kërkojnë tregje për të shitur mallin që u ka mbetur stok. Nuk ka dyshim që Shqipëria duhet të integrohet në tregun Evropian, çështja shtrohet si. Sot ne shesim kryesisht krahë të lirë pune, pasi nuk prodhojmë asgjë tjetër konkurruese në tregun ndërkombëtar përveç ndonjë produkti minor. Nesër duke gjykuar nga mungesa e prodhimit të ekonomisë, sot duket se ne ende do vazhdojmë të konkurrojmë në tregun evropian me krah të lirë pune. Në këto kushte integrimi ynë në Bashkimin Evropian është reduktuar në një proces formal nënshkrimi marrëveshjes dhe adoptimi legjislacioni, që në masën më të madhe as nuk zbatohet dot në kushtet e Shqipërisë. Ajo që ne ende nuk arrijmë dot të integrojmë në tregun evropian është ekonomia shqiptare për faktin e thjeshtë, sepse ajo është kryesisht një ekonomi shërbimesh dhe jo konkurrente në ato pak sektorë ku prodhon. Kjo mungesë buron nga vetë modeli ynë i zhvillimit ku tregtia e lirë sjell konkurrencën e pamëshirshme nga jashtë, që kombinohet me një shtet që ka hequr dorë nga çfarëdo strategji zhvillimi afatgjatë apo mbështetje të prodhimit lokal, duke prodhuar një ekonomi që zhvillohet vetëm aty ku nuk ka konkurrencë nga jashtë, tek shërbimet dhe tek sektori i ndërtimit.
Prandaj formula aktuale “sot integrim nesër zhvillim’ duhet të zëvendësohet me formulën ‘sot zhvillim nesër integrim’. As integrimi në BE nuk duhet të bëhet pengesë për zhvillimin ekonomik shqiptar. Për momentin ai është i tillë. Marrëveshjet e tregtisë së lirë si dhe anëtarësimi ynë në organizata si OBT janë shitur si fitore politike në rrugën e integrimit euroatlantik nga qeveritë e kohës, në vend që të bëhej një analizë ekonomike e kostove dhe përfitimeve nga këto marrëveshje. Deri diku kjo analizë ishte e pamundur dje kur prodhimi vendas pothuajse nuk ekzistonte dhe kur në mënyrë naive qeveritë shqiptare mendonin se prodhimi vendas do stimulohej, duke u hapur ndaj prodhimit të huaj. Prandaj shpesh në këto marrëveshje ne nuk kemi futur as kuotat për mbrojtjen e produkteve, që potencialisht mund të ishin konkurruese. Për pasojë këto marrëveshje që u bënë dje në kushtet e një ekonomie inekzistente shqiptare sot riprodhojnë këto kushte edhe pse sot kapitali lokal, kursimet dhe burimet njerëzore në Shqipëri janë të tilla që mund të prodhojnë një zhvillim që ishte i paimagjinueshëm dje. Këtu qëndron edhe shansi historik i së majtës për të rikonceptuar shtetin, ekonominë, shoqërinë dhe marrëdhënien midis tyre. Ky rikonceptim është i domosdoshëm për t’iu përgjigjur pyetjes: Si do të zhvillohet Shqipëria në njëzet vitet e ardhshme? Nëse deri tani kjo pyetje ka marrë një përgjigje të djathtë sot më shumë se kurrë kësaj pyetje i duhet dhënë një përgjigje e majtë, gjithnjë për kushtet ku ndodhet Shqipëria.
Sfida e Shqipërisë është që të rikonceptojë procesin e integrimit të saj duke e zhvendosur motorin e zhvillimit ekonomik nga jashtë brenda. Përveç ndryshimit të një mentaliteti që e shikon zhvillimin tonë jashtë nesh, kjo së pari kërkon rikonceptimin e shtetit si një aktor zhvillimor që bën politika afatgjata për zhvillim e ekonomisë vendase. Nëse e djathta e shikon të gjithë burimin e zhvillimit ekonomik tek tregu i lirë, duke e eliminuar fare shtetin si aktor dhe faktor, e majta duhet të theksojë shumë më tepër rolin e shtetit si aktor dhe faktor i brendshëm në procesin e zhvillimit. Për këtë duhet tejkaluar së pari, ideja se zgjerimi dhe zhvillimi i shtetit i merr frymën sektorit privat. Kjo ndodh sot kur shteti dhe privati nuk kanë se ç’të ndajnë dhe prandaj i hynë në pjesë njëri-tjetrit, por nëse shteti dhe privati bashkëpunojnë për të rritur byrekun atëherë ata stimulojnë njëri-tjetrin. Nuk mund të ketë një sektor privat të zhvilluar pa një shtet të zhvilluar. Ideja e një shteti të vogël dhe një sektori privat të madh është një përrallë me mbret. Zhvillimi dhe fuqizimi i sektorit privat kërkon edhe zhvillimin dhe fuqizimin e sektorit shtetëror që i përgjigjet nevojave të tij si në infrastrukturë, si në legjislacion edhe në shërbimet që shteti është i detyruar të ofrojë në mënyrë që tregu të operojë lirshëm. Një vështrim i shkurtër i historisë së vendeve të zhvilluara tregon qartë se fuqizimi dhe rritja e tyre ekonomike është shoqëruar automatikisht me zgjerimin dhe rritjen e rolit të shtetit pa ndihmën e të cilit kapitali lokal vështirë se mund të zhvillohet si brenda edhe jashtë vendit. Prandaj ironikisht e majta duhet të transformojë dikotominë shtet-privat nga një dikotomi armiqësore në një dikotomi miqësore, duke krijuar kështu më shumë hapësira, detyra dhe përgjegjësi për shtetin.
Shteti nuk duhet reduktuar thjesht në rolin e arbitrit sikurse ndodh sot, por ai duhet parë si një aktor koordinues dhe mobilizues midis shumë aktorëve ekonomikë lokalë, që duke ndjekur secili interesat e veta afatshkurtër prodhojnë ekuilibra stanjativ në termin afatgjatë. Më konkretisht shteti duhet të ndërhyjë ose si garant ose në mënyrë të drejtpërdrejtë për të stimuluar kreditimin në sektorë strategjikë për zhvillimin e vendit si bujqësia dhe arsimi sot, ose diçka tjetër nesër. Kreditimi nga sektori privat në këta sektorë është i pamjaftueshëm, pasi bankat private i vlerësojnë këta sektorë me risk të lartë dhe duke ndjekur interesin e tyre të fitimit afatshkurtër ose afatmesëm në termin afatgjatë e riprodhojnë mungesën e zhvillimit në sektorë si bujqësia. Pikërisht për këtë arsye ne sot kemi mjaft kursime por pak kreditim. Shteti si aktor mbi palët me interesa dhe garanci afatgjata mund të bëjë pikërisht mobilizimin e kursimeve dhe lidhjen mes tyre dhe investimit në sektorë të caktuar që stimulojnë zhvillimin. Vizioni i kufizuar i aktorit privat nuk e lejon diçka të tillë pavarësisht përrallave Smithiane se ’secili duke ndjekur interesin e vet i shërben interesit të përgjithshëm’. Në kushte të caktuara (sikurse e tregon edhe dilema e të burgosurit, prisoner’s dilemma) kur secili ndjek interesin e vet të gjithë mund të jemi më keq në krahasim me rastin kur do bashkëpunonim.
Ama ridimensionimi i rolit të shtetit nënkupton edhe një zhvendosje tjetër politike dhe politikash. Nëse e djathta neoliberale sot thekson tregtinë e lirë e majta duhet të theksojë prodhimin. Me fjalë të tjera gjëegjëza që duhet të zgjidhë shteti është se çfarë duhet të prodhojë dhe me çfarë duhet të konkurrojë Shqipëria në njëzet vitet e ardhshme në tregun global. Natyrisht kjo nuk është një gjëegjëzë që mund të zgjidhet me një të rënë të lapsit, ajo minimalisht kërkon thellimin e mendimit dhe kërkimit ekonomik lokal. Për këtë shteti duhet të themelojë, stimulojë, financojë dhe bashkëpunojë me institute apo qendra lokale universitare private dhe publike, për të ndërmarrë studime fizibiliteti për nxitjen e sektorëve strategjik. Për këtë shteti shqiptarë duhet të eksplorojë edhe modelet e suksesshme të zhvillimit që nga Irlanda deri tek Korea e Jugut, ku mund të dërgohen skuadra kërkimore për të analizuar funksionimin e skemave të tyre të zhvillimit dhe nëse ato mund të përdoren në rastin shqiptar. Këto janë modele shumë më të dobishme sesa Franca, Anglia apo Gjermania, që nuk kanë qenë kurrë vende të pazhvilluara si Shqipëria. Roli aktiv i shtetit nënkupton një rol aktiv në nxitjen dhe mbrojtjen e prodhimit lokal. Është tregtia e lirë ajo që duhet vënë në funksion të prodhimit lokal dhe jo anasjelltas sikurse ndodh sot. Kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga tregtia e lirë dhe konkurrenca në treg. Konkurrenca dhe tregu mbeten elementë themelorë në skemën e zhvillimit ekonomik, ama kësaj skeme i shtohet edhe shteti që ofron garanci dhe mbështetje afatgjata, si p.sh., në kreditim për ato sektorë që janë premtues dhe që nuk e marrin dot një mbështetje të tillë nga sektori financiar privat. Natyrisht kjo kërkon edhe një rikonceptim të guximshëm të sektorit financiar në Shqipëri, që nuk reduktohet tek bankat private dhe interesat e tyre, por që krijon hapësira edhe për ndërhyrjen e shtetit në mbështetje të potencialeve ekonomike vendase. Përndryshe i vetmi mekanizëm stimulues për sipërmarrjen lokale mbetet ulja e taksave, të cilat në kushtet e mungesës së tregut jo vetëm nuk prodhojnë ndonjë mrekulli ekonomike, por edhe rrisin polarizimin social. Pa përmendur faktin që gara mes të majtës dhe të djathtës për të ulur taksat po precipiton në mënyrë shqetësuese sepse rrezikon financimin, dhe për pasojë edhe cilësinë, e administratës dhe sektorit publik në përgjithësi. Prandaj pa një ridimensionim të rolit të shtetit është e pamundur të ndërtohen politika të majta nga të cilat përfitojnë shtresa të gjera të popullsisë, duke reduktuar polarizimin dhe duke garantuar zhvillim ekonomik njëkohësisht.
Le të marrim si shembull rastin e bujqësisë shqiptare. Zgjidhja kryesore që i jepet sot si majtas edhe djathtas problemit të bujqësisë shqiptare është nëpërmjet përqendrimit të pronësisë. Argumenti themelor është se meqenëse toka është tepër e parcelizuar bujqësia jonë nuk mund të modernizohet, pasi ajo nuk mund të përdorë teknologji moderne, kostoja e të cilës ulet vetëm nëse përdoret në sipërfaqe të mëdha. Prandaj, vijon argumenti, në mënyrë që bujqësia shqiptare të bëhet konkurruese duhet të shkojmë drejt fermave të mëdha që kanë mundësi të fusin teknologji moderne dhe të jenë konkurruese në tregun lokal dhe përtej. Ky është një argument i logjikshëm dhe që qëndron në vetvete nëse do pranonim si domosdoshmëri tregtinë e lirë dhe mungesën e ndërhyrjes dhe mbështetjes shtetërore në bujqësi. Pra, kemi të bëjmë me një argument që është i logjikshëm në një kontekst ideologjik thellësisht të djathtë, të cilin edhe e riprodhon. Sepse duke e parë të gjithë problemin e prodhimit bujqësor shqiptar tek përmasat e pronës kjo qasje anashkalon jo vetëm impaktin negativ të tregtisë së lirë mbi bujqësinë shqiptare, por edhe mungesën e ndërhyrjes shtetërore jo vetëm për mbrojtjen, por edhe për stimulimin e produktit vendas nëpërmjet kredive të buta dhe afatgjata për fermerët shqiptarë, garantimit të tregut, apo subvencioneve. Për pasojë kjo zgjidhje eliminon alternativa më sociale dhe të majta siç janë kooperativa dhe propozon një zgjidhje që në thelb nënkupton përqendrimin e pronës nga shumë në pak duar që automatikisht do rriste edhe polarizimin social dhe ekonomik në fshat. Pa na thënë se çfarë do të ndodhte me ata fshatarë që do shpronësoheshin.
Atëherë cila do të ishte një qasje e majtë në raport me bujqësinë shqiptare? Kjo qasje do fillonte me një rivlerësim të shkaqeve të problematikës së bujqësisë shqiptare. Një diagnozë e majtë do theksonte kombinimin e faktorëve si hapja e tregut bujqësor lokal ndaj atij ndërkombëtar, tërheqja e shtetit jo vetëm si aktor mbështetës dhe financues i bujqësisë por edhe si aktor koordinues mes interesave të ndryshme bujqësore. Kjo do të thotë se një rol më aktiv i shtetit në mbështetjen, blerjen, koordinimin e produktit bujqësor apo në stimulimin e kooperativave bujqësore jo vetëm do ofronte zhvillim të bujqësisë shqiptare por një zhvillim që nuk do bazohej tek përqendrimi i pronësisë në shumë pak duar, ose që do bënte këtë përqendrim të shtrirë në kohë dhe me më pak kosto sociale. Prandaj sot e majta shqiptare problemet e bujqësisë më shumë sesa vetëm tek pronësia apo tek dembellëku i fermerëve apo tek mentaliteti i tyre antikooperativë duhet ti kërkojë tek mungesa e tregjeve për produktet bujqësore shqiptare. Sot fermeri shqiptar nuk ka interes të prodhojë pasi nuk ka treg. Nëse nesër ky treg sigurohet, stimulohet apo ndërtohet po kështu do ndodh edhe me interesin e fermerit për të prodhuar edhe më shumë, edhe më mirë duke u futur edhe në kooperativa fitimprurëse. Prandaj, roli i shtetit duhet të jetë aktiv në sigurimin apo krijimin e tregut për produktet bujqësor e shqiptare dhe jo t’ia lërë këtë në dorë fermerëve tanë që dalin buzë rrugës. Ama për ta bërë këtë nuk mjafton një shtet i vogël.
Këtu një neoliberal i ndershëm me të drejtë mund të ankohet se nuk kemi pse të blejmë një produkt më të shtrenjtë lokal, kur mund të blejmë një produkt më të lirë nga jashtë. Kjo është një goditje e pabesë ndaj konsumatorit që është zot i fateve të veta në treg, do thoshte neoliberali ynë i sinqertë. Shpejt e shpejt mund të themi se sipas logjikës së ekonomive të shkallës (economies of scale) shtimi i prodhimit vendas në termin afatgjatë do ulë koston e prodhimit dhe për pasojë çmimin, edhe si pasojë e konkurrencës në tregun e brendshëm, sepse proteksionizëm nuk do të thotë mungesë konkurrence. Por edhe sikur argumenti neoliberal të jetë i drejtë, pra edhe sikur në termin afatgjatë çmimi i produktit lokal të jetë më i lartë sesa ai ndërkombëtar, ajo që çalon është vetë logjika neoliberale. Ajo e redukton analizën kosto-benefit tek çmimi, duke e parë konsumatorin dhe ekonominë si entitete të veçuara nga shoqëria. Kjo logjikë injoron koston sociale të falimentimit të fermerit shqiptar, një kosto që do ta paguajë i njëjti konsumator që e merr domaten dy lek më lirë nga jashtë. Emigracioni, dyndja e zonave rurale drejt atyre urbane, masakra urbane, traumat sociale, rritja e kriminalitetit në zonat suburbane dhe ato urbane janë të gjitha disa nga kostot, që ne kemi paguar nga falimentimi i bujqësisë shqiptare, ndërkohë që prasin nga jashtë na e fusnin më lirë në treg. Prandaj, një qasje e majtë duhet të theksojë lidhjen e ngushtë mes ekonomisë dhe shoqërisë, duke nxjerrë në pah kostot sociale të vendimeve ekonomike. Dhe kjo është diçka që e majta shqiptare e bënte shpesh gjatë viteve 1992-1996, kur kritikonte terapinë e shok-ut, por që tashmë që ka shkuar përtej vetvetes ka harruar ta bëjë.
Ndërvarësia midis shoqërisë dhe ekonomisë duhet të jetë edhe një nga shtyllat e një të majte shqiptare, e cila duhet të diagnostikojë rrënjët ekonomike të shumë fenomeneve sociale. Për shembull, fenomene si klientelizmi politik që cenojnë cilësinë e administratës sonë publike nuk burojnë thjesht nga kultura jonë ’barbare’ dhe nuk zgjidhen as me më shumë ligje dhe as me më shumë trajnime, siç na thotë BE-ja dhe disa analistë lokal. Klientelizmi politik buron edhe nga fakti që në pamundësi për të bërë politika sektoriale shteti përdoret për të bërë favore personale. Në pamundësi për t’i ofruar politika zhvillimore partitë tona i ofrojnë ndjekësve të tyre vetë shtetin. Në pamundësi për të zgjidhur hallet e grupeve sociale, sepse shteti vetëm rri e vështron, partitë politike zgjidhin hallet e individëve, grupeve fisnore, apo krahinore. Dhe ky është në thelb klientelizmi politik. Më shumë sesa me kulturën tonë politike kjo ka të bëjë me vetë modelin e shtetit dhe të zhvillimit që ne po aplikojmë në procesin e integrimit në BE. Është ky model që më pas prodhon dhe forcon një kulturë politike klienteliste.
Edhe fenomene si pjesëmarrja e grave në politikë apo në sferën publike nuk duhet të trajtohen nga e majta vetëm politikisht dhe institucionalisht pa i analizuar ato edhe si simptoma të realiteteve ekonomiko-sociale. Natyrisht nga një pikëpamje e majtë është shumë mirë të flitet për rritjen e pjesëmarrjes së grave në politike apo për vendosjen e kuotave në parlament. Ama këto mbeten masa të cekëta dhe formale nëse nuk trajtohen burimet strukturore që prodhojnë përjashtimin e gruas nga skena publike. Një nga këto burime ka qenë edhe tërheqja e shtetit nga shoqëria eliminoi edhe një sërë shërbimesh si çerdhet p.sh., të cilat u krijonin mundësi grave të merrnin pjesë në hapësirën publike dhe të bëheshin pjesë e forcës së punës. Po kështu dhuna ndaj grave nuk mund të luftohet vetëm me fushata sensibilizimi pa trajtuar dimensionin e saj ekonomik. Shumë gra sot e durojnë dhunën që ushtrohet mbi to pasi nuk kanë mjetet ekonomike dhe financiare për të jetuar të pavarura, kështu që ofrimi i strehimit për viktimat e dhunës do ofronte një zgjidhje konkrete në shumë raste. Por kjo është diçka që nuk e bën dot tregu i lirë, por shteti që kujdeset për qytetarët e vet.
Kjo nënkupton një filozofi zhvillimore ku roli i shtetit nuk reduktohet tek arbitri që vetëm shikon, por ndërhyn aty ku tregu dështon. Dhe tashmë është e qartë që tregu ka momente ku dështon, madje rëndë, prandaj e majta nuk ka pse të kompleksohet kur synon ta korrektojë atë. Ama që t’i besojmë shtetit korrektimin e dështimeve të tregut, dhe nxitjen e zhvillimit të tij duhet që më parë të rilindë besimi tek shteti, shoqëria dhe individi, dhe tek aftësia e tyre e kombinuar për të prodhuar progres. Për këtë e majta shqiptare duhet të reflektojë një optimizëm progresist që fillon tek natyra e individit dhe mbaron tek natyra e shtetit. Fatkeqësisht optimizmi progresist është një nga dimensionet që i mungon shumë të majtës së zymtë shqiptare sot. Këtë aspekt do duhet ta trajtojmë më gjerësisht në artikullin në vijim, që si pasojë e mungesës së kreativitetit të artikullshkruesit quhet Optimizmi progresist i të majtës.