E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vorpsi: Fshatrat turistikë, qeveria të bëjë referendum

 

BLEDAR HOTI

Shoqata “Pronësi me Drejtësi” e cilëson totalisht të papranueshme nismën e re të Qeverisë për privatizimin e trojeve në fshatrat turistikë. Nënkryetari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myrshit Vorpsi shprehet se një ligj i tillë është në konflikt interesi për ministrat dhe Qeverinë, pasi janë ato që zotërojnë vila të tilla. Ai thekson se Qeveria shfuqizon një nen të ligjit të kthimit të pronave, ku trualli i jepej pronarit nëse nuk ndërtoheshin fshatrat turistikë, duke vepruar sërish në kurriz të kësaj shtrese.
Z.Vorpsi si e gjykoni ju nismën e re të Qeverisë për privatizimin e fshatrave turistikë nga ana e personave, që kanë vila në kundërshtim me ligjin?
Për ne si shoqatë është një projektligj totalisht i papranueshëm një nismë e tillë, por besoj se edhe për pjesën më të madhe të shqiptarëve është i papranueshëm. Kam frikë se qeveria që do ta kalojë këtë ligj dhe ndoshta dhe Kuvendi i nesërm do të jetë në konflikt interesi për ta votuar atë. Dhe si i tillë kam frikë se ato nuk duhet ta kalojnë një draft të tillë në Parlament, pasi nëse do të bazohemi në median shumë nga qeveritarët e sotëm apo pushtetarët e djeshëm janë pronarë të atyre vilave në bregdet, tashti ato kërkojnë të tjetërsojnë edhe truallin e tyre. Në qoftë se qeveria është e vendosur për ta realizuar një gjë të tillë më e pranueshme do të ishte të drejtohej një referendum popullor ku të kërkohej që pushtetarët e sotshëm dhe ata të djeshëm të kenë këto trojet e këtyre fshatrave turistike. Kjo do të ishte e pastër fare.
Po në lidhje me çmimet që do të shiten me vlerën e tokës, ku fondi që do të krijohet do t’u kalojë për kompensim ish-pronarëve?
Për sa i përket trojeve unë mund t’ju them se vlerat janë qesharake. Në Ksamil Qeveria kërkon ta shesë truallin me 3,600 lekë metri/katror, ndërkohë që trualli në Himarë dhe në Dhërmi duhet të jetë diku tek 1,700-2,400 lekë të reja. Unë kam frikë se me të tilla çmime trualli në Himarë dhe në Dhërmi blihet dhe nga ata fëmijët e vegjël, që shesin paketa cigaresh rrugëve apo ato që fshijnë xhamat e makinave rrugëve do të jenë të aftë që ta blejnë. Më e pakta domethënë Qeveria nuk duhet të tallet me çmimet.
Cilat nene kontestoni kryesisht ju si shoqatë?
Në atë projektligj që pashë, që faktikisht ka qenë i përgatitur një vit më parë, por siç duket është shtyrë për miratim në Kuvend nga ana e Qeverisë për shkak të zgjedhjeve parlamentare, të bie në sy një nen që shfuqizohej në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”. Në të parashikohej se nëse ndryshonte destinacioni i ndërtimeve në zonat turistike, në fshatrat turistike, toka iu kthehej pronarëve. Dhe këtë nen, ligjvënësi, që t’i hapë rrugë privatizimeve të trojeve, kërkon ta shfuqizojë. Kjo ishte një e drejtë e fituar me ligj e pronarëve, në qoftë se ndryshonte destinacioni i trojeve iu jep atyre. Nuk mundet që një e drejtë e fituar me ligj t’u hiqet atyre. Pra, kjo tregon se Qeveria absolutisht nuk bën gjë në favor të pronarëve. Nga ana tjetër më duhet të them se Qeveria duhet të pranojë më së fundi dështimin e saj në strategjinë e turizmit. Ai ligj të paktën në këndvështrimin e Qeverisë është i dështuar. Qeveria duhet të kërkojë të gjitha firmave të ndërtimit, që kanë marrë përsipër ndërtimin e fshatrave turistike, që të paguajnë dëmshpërblimin kundrejt saj për faktin e thjeshtë fare se ata kanë qenë persona të stimuluar për zhvillimin e turizmit dhe si të tillë kanë pasur lehtësira për pagesat si taksa doganore, tatimore dhe nga ana tjetër duhet t’i detyrojë këto firma që t’i kthejë mbrapsht paratë dhe këto le të jenë të tillë. Kjo gjendje është totalisht e papranueshme janë 30 fshatra turistikë, që mund të bëjnë 2 mijë ha tokë, të cilët pa frikë janë duke u privatizuar në favor të pushtetarëve apo ish-pushtetarëve. Pra, kjo është një formë e ligjit të Legalizimeve, por ai u trajtua si shpronësim për nevoja publike, por në këtë rast nuk e di se çfarë emrin mund t’i vëmë këtij sepse nuk realizohet për nevoja publike. Qeveria legalizon për vete dhe vendos çmimet vetë, një gjë e tillë nuk duhet të jetë në fuqi, nuk duhet të ndodhë.

Drafti i Qeverisë
Privatizimi, fondet për kompensimin e ish-pronarëve

Dy ditë më parë u bë publik drafti i Qeverisë për privatizimin e fshatrave turistik. Drafti i titulluar “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat më përparësi turizmin”, sipas Qeverisë vjen për shkak se kompanitë, që kanë fituar të drejtën për të ndërtuar fshatra turistikë, në kundërshtim me ligjin kanë shitur shtëpitë e ndërtuara brenda këtyre hapësirave. Por më tej akoma, po në kundërshtim me ligjin, këto kontrata janë regjistruar në hipotekë dhe në këtë institucion rezulton, që ndërtimi është në pronësi të individëve që i kanë blerë, kurse trualli në pronësi të shtetit. Në draft parashikohet ngritja e një komisioni të posaçëm, i cili do të drejtojë të gjithë punën që nga inventarizimi i fshatrave turistikë, ku është ndryshuar destinacioni (pra, ndërtimet janë shitur, ndërkohë që duhet të përdoreshin për turizëm), deri te regjistrimi i truallit të tyre në hipotekë. Ndërsa fondi që krijohet nga këto privatizime do t’u shkojë në arkën e AKKP-së për kompensimin financiar të ish-pronarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›