E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi, socialistët shmangin analizën për humbjen e zgjedhjeve

 

Kongresi i jashtëzakonshëm i socialistëve, i cili do të mbahet në 29 gusht pritet të shmangë analizën e humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. Mësohet se kongresi do ti përmbahet dy pikave të rendit të ditës të miratuara në mbledhjen e asamblesë kombëtare, miratimin e rezolutës për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare dhe nisjen e procedurave për zgjedhjen e kryetarit të ri të PS-së pas humbjes së zgjedhjeve. Burime nga selia rozë pohojnë se do tentohet të shmanget analiza e humbjes së zgjedhjeve dhe e gjithë vëmendja do të përqendrohet tek qëndrimi që PS do të mbajë ndaj zgjedhjeve, duke i cilësuar ato të papranueshme dhe jashtë standardeve. Madje shumë struktura lokale të PS po mbështesin këtë qëndrim madje duke kërkuar edhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme. Por mësohet se grupi i deputetëve dhe anëtarëve të asamblesë që kërkojnë njohjen e humbjes dhe bërjen e një analize të thellë për të parë shkaqet që çuan socialistët në këtë humbje. Në deklarata publike dhe intervista, anëtarë të kryesisë socialiste kanë përqendruar përgjegjësitë për këtë rezultat vetë kryetarin socialist Edi Rama duke kërkuar moskandidimin e tij, për vetë dështimin që projekti i tij pësoi. Kongresi i jashtëzakonshëm i 29 gushtit, mblidhet për shkak të ndërprerjes së mandatit të kryetarit Rama në zbatim të statutit dhe do të bëjë administrimin e kandidaturave dhe platformave konkurruese të kandidatëve, ku Rama pritet të jetë një prej tyre. Ben Blushi dhe Arben Malaj, dy prej anëtarëve të kryesisë socialiste që kanë adresuar përgjegjësitë e humbjes ndaj kryetarit Rama, kërkojnë moskandidimin e tij dhe kanë propozuar ndryshime statutore që do të hapin më shumë PS-në dhe forumet e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›