Bardheblutë fitojnë Superkupën
Leonard Karaj
Një gol i shënuar nga një vlonjat ndaj vlonjatëve dhe dy penallti të mohuara nga arbitri sipas këtyre të fundit. Konkluzioni: Tirana fiton për herë të tetë Superkupën e Shqipërisë duke mundur në finale Flamurtarin. Veç lojës jo me shumë nivel dhe me shumë ndërprerje protagonist i kësaj sfide u bë edhe arbitri Albano Janku i cili sipas lojtarëve të Flamurtarit u mohoi dy 11-metërsha. Ndërsa nga ana tjetër Tirana me shumë mungesa iu fal një goditje me kokë mjaft precize e Arbër Abilaliajt që rezultoi në fund si goli-trofe i parë i sezonit të ri futbollistik.
Atmosfera
Takimi u karakterizua nga një lojë jo me nivel ku mungun jo vetëm gjuajtyejt në portë por edhe aksionet e rrezikshme. Që të dyja skuadrat vinin nga një dështim i turpshëm në Kupat e Evropës dhe një faze përgatitore ku më së shumti u fol për merkato sesa për gjendjen e lojtarëve. Atmosfera para ndeshjes qe mbushur me mjaft polemika e thumbi nga të dy krahët kjo edhe për faktin se sihin po këtë dy skuadra që zhvilluan edhe finalen e Kupës së Shqipërisë, fituar atëherë nga skuadra e Flamurtarit falë një përmbysje spektakolare nga 1-0 në 1-2. Pikërisht kjo humbje thumbuese por edhe eliminimi turpërues 4-0 me Stabaek solli në “Qemal Stafa” një Tiranë plot dëshirë për hakmarrje. Nga ana tjetër Flamurtari “vuajti” kritikat pafund për humbjen shokuese dhe më të thelllën në futbollin tonë 8-1 ndaj Motheruellit ndaj dëshironte me çdo kusht një trofe për të “ulur gjakrat”.
Ndeshja
Tirana vinte me shumë mungesa në këtë takim për shkak të dëmtimeve (Malindi, Memelli, Muka, Muzaka) dhe me një sulmues tipik të vetëm në skuadër, Abilaliajn. Vlonjati, i pranuar në skuadër vetëm në çastet e fundit u mundu shumë të tregonte më të mirën e tij por gjithsesi ishte mjaft i ngathët në veprimet sulmuese. Madje në minutën e 9-të të takimit u gjend ballë për ballë me portierin Moçka dhe nuk arriti të shënonte. Nëse nuk do të kishte shënuar golin e vetëm të kësaj ndeshje vlerësimi për të do të ishte negativ. Ndërsa Tiranës nuk i mungoi Lila, Devolli dhe Pashaj. Që të tre këta mbajtën lart tempin e lojës bardheblu, madje kavajasi në dy-tri raste çau mjaft mirë në krahun e djathtë të sulmit. Ndërsa te Flamurtari mungoi sulmi. Dyshja Mema-Ngjela jo pa shkak u zëvendësuan që në fillim të pjesës së dytë nga Galica dhe Roshi.
Kontestimet
Takimi u gjykua nga ndërkombëtari Albano Janku, arbitrimi i të cilit u kontestua ashpër nga Flmaurtari në dy raste. Në minutën e 21 të pjesës së parë ishte një top i prekur me dorë sipas vlonjatëve nga mbrojtësi bardheblu Tefik Osmani ndërsa në minutën e 65 Dabulla rrëzoi në mënyrë të gabuar Odise Roshin në zonën e rreptësisë por për Jankun loja mund të vazhdonte. Ndërsa gjyqtari ndërpreu disa herë edhe ndeshjen duke ulur tempin e lojës, për çdo ndërhyrje sadopak të gabuar në mesin e fushës.
Tirana-Flamurtari 1-0
Shënues: Arbër Abilaliaj 72’
Karton i verdhë: Osmani 38’, Abilaliaj 73’, Devolli 90’+2/ Alvizh 15’, Beqiri 75’
Stadiumi: “Qemal Stafa”
Gjyqtarë: Albano Janku (kryesor)
Ergin Doda dhe Gerard Qirici (anësorë)
Arbitër i 4-t: Bardhyl Pashaj
Flamurtari: Moçka, Sakaj, O.Beqiri, Bashiç, Veliu, Begaj, Belisha, Alvizh, Zeqiri (Strati 83’), Ngjela (Galica), Mema (Roshi)
Trajner: Eqerem Memushi
Tirana: Nallbani, Dabulla, Lila, Osmani, Abraham, Pashaj, Devolli, Mohelebi, Sefa, Hajdari (S.Lilaj), Abilaliaj
Trajner: Ilija Lonçareviç.