“Njerëz të humbur”: Dëshmia ekskluzive e Marios dhënë një javë më parë në shtëpinë e anglezit!
Java e kaluar në “Njerëz të humbur” në “Vizion Plus” u përqendrua në trajtimin e dy rasteve kryesore. Një djalë anglez 21-vjeçar, Edward Craythorn, zhduket në rrethana misterioze teksa ka dalë për të pirë një kafe me shokët e tij. Ngjarja e pazakontë, e ndodhur 15 ditë më parë, në datën 2 shkurt të vitit 2008, ishte tema kryesore e emisionit të së shtunës së kaluar në “Njerëz të humbur” në “Vizion Plus”. Nëna e Edit, Ajlin, jetonte së bashku me djalin e saj, Edward, si dhe me tri vajzat, në Britaninë e Madhe. Njëra nga vajzat, Sofia, dashurohet me një shtetas shqiptar, Edmondin, martohet me të dhe në vitin 2004 vjen të jetojë në Shqipëri. Po në këtë vit, nëna e Eduardit vjen të jetojë së bashku me vajzën në Shëngjin. Në muajin tetor të vitit 2007, Edi vjen në Shëngjin për të vizituar nënën e tij dhe do të largohej drejt shtetit anglez në datën 4 shkurt të vitit 2008. Për herë të fundit, ai është parë i shoqëruar me tre persona nga Lezha, të cilët flisnin anglisht. Sipas dëshmisë së Marios, ata janë ngjitur në një Benz ngjyrë të zezë elegance, me targa angleze dhe me timon nga krahu i djathtë. Mario pothuajse nuk ka kuptuar asgjë nga biseda pasi nuk ka njohje të gjuhës angleze. Pasaporta e djalit, paratë dhe bileta e avionit ndodhen në shtëpi dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij. Në fund të udhëtimit, tre shokët bashkëshoqërues i kanë bërë ftesë Marios për të shkuar me ta në Tiranë, por Mario nuk ka pranuar. Të nesërmen e datës 3 shkurt, familja bën denoncimin në policinë e Lezhës, ku merren në pyetje të gjithë shokët e Edit, si një pistë kryesore e fshehjes së mundshme të Edit nga ata. Rezultati i dëshmisë së tyre dhënë policisë ishte negativ. Ajlin dhe Sofi, të gjendura të vetme në vendbanimin e ri pas braktisjes së Britanisë së Madhe, iu drejtuan redaksisë së “Njerëz të humbur” në “Vizion Plus”. Informacionet paraprake rezultuan se gisht në këtë zhdukje krejtësisht të “rastësishme” të Edit kishin persona të afërt me Edin si dhe me influencë në disa poste të rëndësishme shqiptare. Gjatë asaj nate u dhanë vendndodhje konkrete të Edit në Elbasan. Këto informacione iu kaluan organeve kompetente, të cilat verifikuan që atë mbrëmje se Edi nuk ndodhej në Elbasan. Por e vërteta doli ndryshe për djalin. Ai gjendet i hedhur në një pus në një mal në afërsi të Shëngjinit. Fillimisht ai ishte goditur me sende të forta në kokë dhe më pas ishte hedhur në pusin me ujë. Mario Pjetrushaj dhe shoku i tij, Arlind Vataj, kanë qenë sipas policisë dy vrasësit e djalit britanik. Por “Njerëz të humbur” sjell të reja ekskluzive mbi zhdukjen e tij. ”Ironia e fatit” këtë radhë trokiti me historinë e Ilirjan Zikes. Në moshën 22-vjeçare, djali tiranas, i quajtur Ilirjan Zike, u largua drejt Italisë për të jetuar një jetë ndryshe e për t’i bërë prindërit e tij të ndiheshin krenarë për të. Provinca e Gaetës në Napoli do të ishte shtëpia e tij e parë në vendin fqinj. Pas pak kohësh, mes Ilirit dhe njërës prej vajzave të familjes italiane lind një dashuri jo shumë larg pasionit, e cila do të mbahej e fshehtë nga pjesëtarët e tjerë të familjes. Lidhja romantike do të merrte fund pas pak kohësh, pasi zbulohet nga gjyshja e vajzës. Përveç dashurisë së tij italiane, Iliri e mbajti të fshehtë për një kohë të gjatë edhe faktin se kishte lënë shtatzënë vajzën që kishte dashur, e cila së shpejti do të sillte në jetë fëmijën e tij. Prindërit e Ilirit e marrin vesh këtë të vërtetë pas shumë kohësh. Ky lajm i emocionoi të gjithë, por lumturia nuk do të zgjaste për shumë kohë. Në moshën 31-vjeçare Iliri mësoi të vërtetën e hidhur se në trupin e tij ishin shfaqur simptomat e para të një sëmundjeje vdekjeprurëse që pak nga pak po i shkurtonte jetën. Ditët kalonin dhe sëmundja e leuçemisë po shkaktonte dëme të pariparueshme në trupin e Ilirit. Zana dhe Rakoja iu drejtuan “Njerëz të humbur” për të përmbushur amanetin e djalit të tyre, i cili u nda nga jeta vetëm para dy muajsh. Iliri u largua nga kjo jetë duke lënë gjurmën e tij më të madhe, vajzën, që nuk pati kurrë mundësi ta përkëdhelte. “Njerëz të humbur” ka arritur të zbulojë deri tani identitetin e vajzës së vogël dhe do ta mbyllë këtë rast kur t’i gjejë vogëlushen babait shqiptar, i cili donte aq shumë ta kërkonte e të jetonte me dashurinë e jetës së tij. Sonte në “Njerëz të humbur” do të mund të ndiqni: Pamje ekskluzive të momentit të gjetjes së trupit të Edward Craythorne, filmime nga vendi i ngjarjes dhe momente nga familja në minutat e fundit para se të merrnin vesh lajmin e gjetjes së trupit. Hap pas hapi, “Njerëz të humbur” në krah të një familjeje angleze emigrante në Shqipëri për të identifikuar trupin e djalit të gjetur në një pus. Por jo vetëm! “Njerëz të humbur” do të udhëtojë drejt Turqisë për të sjellë te teleshikuesit fakte të reja të dy historive të lëna pezull javë më parë. Cilat janë ato dhe ç`ka zbuluar Aida Shtino rreth fatit të tyre!? Mos e humbisni për asnjë arsye “Njerëz të humbur”, sonte, në orën 21:00, në kanalin televiziv “Vizion Plus”.
23 Shkurt 2008