E Diel, 1 Nëntor 2026

Jugosllavia, një model i ngritur mbi urrejtje dhe gjak

Gazeta amerikane rrëfen shtetin federal të vitit 1983. Marrëdhëniet mes etnive dhe situata post-titiste
David Binder

Në Aeroportin e Beogradit, dy maqedonas po qëndronin mënjanë, me skuqjen tipike të tyre në fytyrë, teksa mbanin çantat dhe po pinin cigare. Ata më treguan se sapo janë kthyer nga Anglia, pas një trajnimi për drejtimin e vinçave të lëvizshëm dhe tani janë duke pritur për të fluturuar me avion drejt shtëpive të tyre në Shkup. Unë gjithashtu po kthehesha në Jugosllavi pas një viti mungese, pasi isha kureshtar për këtë vend të çuditshëm. Unë i sfidova ata përmes një konstatim provokues: “Me sa kam dëgjuar, ju keni dy probleme të mëdha në Maqedoni; nuk keni energji të mjaftueshme dhe keni shumë shqiptarë”. Punonjësi më i vjetër i vinçave, një burrë rreth të pesëdhjetave, me flokë të zinj, të prera shkurt, m’i nguli sytë ftohtë dhe m’u përgjigj: “Është e vërtetë se energjia është një problem, por nëse shqiptarët tanë na krijojnë ndonjë shqetësim, ne ua presim atyre gurmazin”. Ai e demonstroi idenë teksa merrte frymë dhe lëvizte dy gishtërinjtë rreth e rrotull qafës.
Ana e errët ballkanike
Kjo është ana e errët e Ballkanit dhe Jugosllavisë; urrejtje të vjetra dhe të reja, preferenca për t’i zgjidhur hesapet me thikë, pushkë dhe top; trashëgimia e tre luftërave në këtë shekull, etjet për gjak etj. Madje, pas 35 vitesh paqe në rajon¸ qëkur mbaroi Lufta Civile në Greqinë fqinje, fjalët e maqedonasve janë të mjaftueshme për të ndjellë gjak. Jugosllavia, me të gjashtë republikat e saj dhe dy rajonet autonome, është një vend i thyer, plot me armë dhe me njerëz që mprehin shpatat (brz na nozu). Madje, çdo ditë jave “bilancet” e jugosllavëve kalojnë përmes një detektori të metaltë në Konsullatën e Shteteve të Bashkuara, teksa këta shtetas aplikojnë për vizë. Vetëm në një muaj 27 aplikantë ishin kthyer mbrapsht, sepse ata mbanin pistoleta, madje disa mbanin akoma edhe thika. Megjithatë, kjo është ana e tjetër e medaljes së Jugosllavisë.
Jugosllavia si një model!
Nëntë ditë më parë, një inxhinier elektronik, i suksesshëm në profesion, në moshë të re, më tregoi jetën e tij, sesi një serb punon në Republikën e Sllovenisë. “Unë po kaloj kohën e jetës time atje”, - thotë ai. “Unë kam mësuar sllovenisht. Arrita ta flas atë për një vit”.
Në një vend ku serbët, kroatët, maqedonasit, sllovenët dhe minoritetet shqiptare e hungareze, në mënyrë të egër, ruajnë gjuhët e tyre, në mënyrë të qëllimshme i riu energjik serb studion gjuhë të ndryshme ballkanike, në shenjë të ndryshimit, asimilimit dhe integrimit për krijimin e Jugosllavisë së sotme.
Unë e ndiej këtë ndryshim dinamik të Jugosllavisë në rrugët plot makina, në autobusë dhe aeroporte. Kjo është e dukshme në modelet e flokëve që kanë udhëtarët, në shamitë e kokës që mbajnë myslimanet, në kupat e ushqimit të serbëve me ngjyrë deti, si dhe në kësulat e bardha të shqiptarëve.
Kjo ndryshueshmëri në rritje e jugosllavëve, - duke përfshirë edhe 700 mijë “punëtorët” që punojnë në vendet e tjera europiane, - më sjell ndër mend ndryshueshmërinë e Amerikës. Një vizion sipërfaqësor. A është me fat ky vend, me historinë e tij të dhunshme, siç mund të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të gjitha sinergjitë e pasura të ndryshueshmërisë etnik dhe tendencën asimiluese?
Megjithëse ka tre vjet që prej vdekjes së Josif Broz Titos, njeriut që mbajti Jugosllavinë të bashkuar që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e cila i kushtoi vendit 1.7 milionë të vdekur (1 në 10 persona të vrarë), sërish ky vend është nën sloganin e partizanëve komunistë: Vëllazëri dhe Bashkim. Çështja është si atëherë edhe tani: A do të shpërbëhet Jugosllavia?
Trazimi i Federatës 22 milionëshe
Në këtë rajon historikisht të trazuar ka një burim të freskët ankthi, forme të dhunshme te shqiptarët nacionalistë. Rreth 1.7 milionë shqiptarë banojnë në republikat jugosllave të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Gjatë tre viteve të fundit, ky grup etnik, - me numrin më të madh të të gjitha minoriteteve në Jugosllavisë, ka bërë një lloj “revolte” duke kërkuar një “republikë të pastër” të shqiptarëve, brena provincës autonome të Serbisë, e njohur me emrin Kosova. Dhe madje, t’i bashkëngjitet Shqipërisë reale, - pra të krijojë një lloj Shqipërie të Madhe. Trazirat nacionaliste të vitit 1981 lanë me dhjetëra të vdekur dhe 657 shqiptarë u dënuan me burg për agjitacion dhe rebelim.
Shto këtu se është gjallëruar presioni edhe nga Bullgaria fqinje, e cila për rreth 100 vjet ka shtruar kërkesën se Maqedonia jugosllave është e saja.
Gjithashtu ka probleme të brendshme për 22.4 milionë jugosllavët; një krizë ekonomike prej rritjes së nivelit të inflacionit në 42% dhe një borxh të jashtëm që ka arritur në 19 miliardë dollarë; një krizë besimi në qeverinë federale, sasi të pakët të pushtetit masiv, shpërthim të ekstremistëve myslimanë të përqendruar në Bosnjë dhe një rritje të numrit të të rinjve që fare lehtësisht kanë braktisur shollën.
Në kohën e Titos dhe përpara, mënyra e qartë për të kuptuar këtë vend komunist ishte të udhëtoje drejt Beogradit, kryeqytetit dhe zemrës së pushtetit të shtetit të centralizuar. Tani fuqia është decentralizuar në një marrëveshje të bazuar në kufij të papërcaktuar. Ajo është e vogël tani kur vizitori e nis udhëtimin nga bregdeti rrëzëllues i Adriatikut, ose nga malet dhe krahinat e çuditshme në brendësi të vendit. Llojshmëria brenda republikave është e madhe dhe ndryshimet ekonomike, sociale e politike janë të thella, të cilat mund t’i vësh re lehtësisht në udhëtimet që bën në shumë pjesë të vendit, teksa bën një vlerësim në tërësi.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 25 dhjetor 1983
Titulli është redaksional
Titulli origjinal është “Një rikthim te Jugosllavia”
Përgatiti: Albert Gjoka

Në numrin e ardhshëm do të lexoni

“Ju tregoj të tashmen dhe të ardhmen e Republikave Jugosllave”

David Binder vazhdon rrëfimin për Federatën Jugosllave, me gjashtë Republikat dhe dy provincat autonome

Cili do të jetë fati i Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe republikave të tjera të shtetit komunist

Roli i shqiptarëve në vendin me 22 milionë banorë dhe rrugëtimi drejt shkatërrimit të modelit titist

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

23 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›