Bashkëpunime ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës
U nënshkrua protokolli i bashkëpunimit kërkimor shkencor midis Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për vitet 1981 – 1982. Protokolli u nënshkrua nga sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Prof. Luan Omari dhe nga sekretari i Përgjithshëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Prof. Syrja Pupovci. Në ceremoninë e nënshkrimit të protokollit morën pjesë kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Prof. Aleks Buda, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Prof. Idriz Ajeti e të tjerë akademikë të shquar. Ndodhej gjithashtu ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, Branko Kamatina. Pas nënshkrimit të protokollit, kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Prof. Aleks Buda, shtroi një drekë, që kaloi në një atmosferë të ngrohtë dhe vëllazërore. Në darkë mori pjesë edhe ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Branko Komatina.
Delegacioni i Kosovës u prit nga zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë
Zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Manush Myftiu, priti pardje paradite delegacionin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, të kryesuar nga kryetari i kësaj Akademie, Prof. Idriz Ajeti. Në pritje ndodheshin kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Prof. Aleks Buda, zëvendësministri i Punëve të Jashtme Reis Malile dhe sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave, Prof. Luan Omari. Ndodhej gjithashtu ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, Branko Komatina.
Largohen delegatë të tjerë të Kosovës
Nënkryetari i Këshillit Ekzekutiv të KSA të Kosovës, Riza Sapunxhiu dhe sekretari krahinor për Ekonominë, Selajdin Jardashi, më 1 shkurt shkuan në rrethin e Korçës, ku vizituan objekte të ndryshme ekonomike dhe kulturore. Në këtë rreth ata u shoqëruan nga kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, Petro Dode dhe shokë të tjerë. Për nder të tyre kryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP së rrethit, Vangjel Çërrava, shtroi një darkë. Gjatë rrugës mysafirët qëndruan edhe në qytetin e Pogradecit, ku u pritën nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit, Spiro Bice. Pardje nënkryetari i Këshillit Ekzekutiv të KSA të Kosovës, Riza Sapunxhiu dhe sekretari krahinor për Ekonominë, Selajdin Jardashi, u larguan për në Kosovë. Ata u përcollën nga kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, Petro Dode dhe shokë të tjerë.
Shkrimi është marrë nga gazeta “Bashkimi” më datë 3 shkurt 1981
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
23 Shkurt 2008