Xhenifer Lopez bëhet me dy binjakë
Këngëtarja dhe aktorja amerikane Xhenifer Lopez, 38 vjeçe, është bërë mama për herë të parë. Në orët e fundit kanë lindur dy binjakë, një mashkull dhe një femër, në një spital të Long Island, Nju Jork. Lajmi u shpërnda nga periodikja “People”, e cila ka paguar gjashtë milionë euro për të siguruar ekskluzivitetin e fotove. Për të shoqin, këngëtarin Mark Anthoni, është hera e katërt që bëhet baba, pasi ka pasur një vajzë dhe dy djem nga martesat e mëparshme.
Edhe Xhesika Alba në pritje të binjakëve
Fëmijët binjakë duket se janë bërë moda e fundit në Hollivud. Aktorja Xhesika Alba, në shtatzëninë e saj të parë, pret dy binjakë ashtu si koleget e saj Xhulia Roberts, Marcia Kros, Xhenifer Lopez e Anzhelinë Zholi. Lajmi nuk është ende zyrtar, por u publikua nga një burim që është afër aktores, - thuhej dje në uebsajtin “Entertainmentwise.com”. Sipas prononcimit të një mikeshe të Xhesikës dhënë për një revistë amerikane, lajmi se ajo pret dy fëmijë binjakë e ka tronditur tepër aktoren. Kaliforniania 27-vjeçare pritet të bëhet nënë këtë qershor. Por as ajo dhe as bashkëshorti Kesh Uaren nuk kanë dashur ta njohin seksin e bebeve para lindjes.
Sms-ja e N. Sarkozi kthehet në një këngë të famshme
“Si tu reviens, j'annulle tout” (Nëse kthehesh, anuloj gjithçka). Kjo është kënga që po merr famë në tërë botën, e hedhur në uebsajtin myspace, e frymëzuar nga mesazhi që presidenti francez Nikolas Sarkozi i kishte nisur ish-bashkëshortes së tij një ditë para martesës me Karla Brunin.
23 Shkurt 2008