Njeri, jo numër
Dagwani Yimer është njëri prej disa mijëra të rinjve nga Afrika, që e kanë rrezikuar jetën për të mbërritur në Evropë. Në dimrin e vitit 2005, studenti i Juridikut në moshën 27-vjeçare e braktisi atdheun e tij, Etiopinë.
Dagwani Yimer kaloi me vështirësi nga Sudani për në Libi dhe këtu ra në duart e tregtarëve të njerëzve. Ai u arrestua dhe u deportua nga policia libiane dhe u la i braktisur në shkretëtirë pa ujë. Ai lufton me gjithë forcat e tij për t´u kthyer mbrapa, tek brigjet libiane dhe prej aty ndërmori udhëtimin e rrezikshëm me anije nëpër Mesdhe. Pas muajsh të dhimbshëm, në verën e vitit 2006, ai mbërriti në ishullin italian Lampeduza, në jug të Sicilisë. Tani, për herë të parë, Dagwani Yimer është kthyer në Lampeduza për t´ua treguar njerëzve të ishullit një film dokumentar, për eksodin e vazhdueshëm nga Afrika.
Heshtja mbizotëron në sallën e bashkisë. Publiku shikon ekranin i mahnitur. Rreth 50 lampeduzanë kanë ardhur për të parë filmin dokumentar "Si një njeri mbi tokë". Protagonistët janë emigrantë të rinj si Dagwani Yimer, që e venë në ekran migrimin e tyre. Në shumicën e rasteve kjo zgjat me muaj, ndonjëherë madje me vite.
Burra dhe gra të reja tregojnë se si ata u rrahën, u shfrytëzuan, u arrestuan, u përdhunuan dhe u braktisën në shkretëtirë. Ata paraqesin nën lot, se si kanë qenë të pafuqishëm ndaj arbitraritetit të autoriteteve dhe të trafikantëve të njerëzve.
Dagwani Yimer, nga Etiopia, e ka realizuar filmin dokumentar bashkë me dy shokë regjisorë italianë. Ai sot jeton në Romë. Po ato ditë të pakta që kaloi në Lampeduzë, pas arratisë së tij të suksesshme, nuk i ka harruar dot. "Në atë kohë unë mbërrita i zbathur me një anije. Tani jam kthyer me avion dhe kam këpucë në këmbë. Nuk mund ta përshkruaj se si po ndihem. Unë, këtë film, e kam treguar tanimë disa herë në Itali, por kurrë nuk kam qenë aq i prekur si tani në Lampeduzë".
Dagwani, të cilin të gjithë e thërrasin vetëm Dag, ishte 27-vjeçar kur vendosi ta braktiste Etiopinë. "Unë ika sepse nuk kisha asnjë shpresë. Nuk doja më të jetoja dhe të studioja në një vend që nuk njeh demokracinë. Arratia ime është protesta ime politike kundër qeverisë etiopiane".
Edhe filmi ka të bëjë me protestën. Ai akuzon së pari Libinë dhe pastaj vendet evropiane që preokupohen, që Libia të jetë stacioni i fundit të arratisë. "Faza më e vështirë për mua ka qenë deportimi në kontejner. Kështu, qeveria libiane të çon në Sahara drejt Sudanit, me kamionë-kontejnerë të mbyllur. Atje të braktisin, pa ujë, pa asnjë respekt për dinjitetin tënd njerëzor, si një kafshë".
Dag ka përjetuar kontejnerin, shkretëtirën dhe Mesdheun. Numri i njerëzve që e paguajnë këtë odise me jetën, është i paqartë. Për çdo refugjat që ia del, ka tre që dështojnë, llogarisin ekspertët. "Unë nuk mund t´u them të tjerëve që duan të arratisen që nuk duhet ta bëjnë këtë. Por unë ndihem moralisht i detyruar t´ua tregoj atyre realitetin, se përndryshe të gjithë besojnë: “Ai ia doli. Çfarë mundet ai, mundem edhe unë”.
Italia. Evropa. Ëndrra e tokës së premtuar. Po realiteti është ndryshe: "Duhet të punosh shumë që ta fitosh respektin e të tjerëve. Ia nis nga zeroja. Nëse nuk lufton, mbetesh një numër. Një emigrant. Një zezak. Vetëm një numër pra. Ashtu e kam njohur unë Italinë dhe Evropën. Nuk je i mirëseardhur".
Sot Dagwani nga Etiopia është 31-vjeçar. Ai ndihmon në Romë emigrantët e tjerë dhe xhiron filma për fatin e tyre. Ai është i dashuruar me Elenën. "Jeta është edhe për evropianët jo e lehtë. Por unë ia kaloj mirë dhe jam i lumtur që jetoj me gruan që dashuroj. Dhe nëse dikush më pyet nëse ajo është italiane, atëherë unë nuk i përgjigjem, sepse unë e kam takuar gruan dhe jo italianen".
“Si një njeri në tokë” - dokumentari i ka emocionuar spektatorët në Lampeduza. Avokatja Paola la Rosa e ka organizuar shfaqjen në qendrën e bashkisë. Paola vjen nga Palermoja dhe jeton prej 10 vjetësh mbi ishullin e vockël të Mesdheut, në të cilin, vetëm në vitin e kaluar, kanë ardhur rreth 32 mijë emigrantë. "Unë i kam parë për 10 vite këto fytyra, këto fytyra të zeza, kur ishin përballë meje në autobus. Kur mbërrinin anijet. Por kurrë nuk kam folur me ta".
Lampeduza ka rreth 6 mijë banorë. Pothuajse askush nuk ka kontakte me emigrantët, të cilët jetojnë në kampe të izoluara, para se të largohen nga ishulli. Porsa mori vesh për filmin, Paola la Rosa u interesua: "Desha të njihja Dag-un. Desha ta takoja, të shikoja fytyrën dhe sytë të tij. Desha të dëgjoja zërin e tij dhe historitë që i tregonte. Ai është një njeri dhe jo një numër".