Gjykatë e Lartë, gjyqi fillon më 4 maj për dosjen “Gërdeci”
Kolegji Penal shpall datën dhe orën, avokatët përgatisin kërkesat për veçimin e gjykimit dhe shpalljen e moskompetencës së kësaj gjykate për gjykimin e tyre
Kolegji Penal cakton ditën se kur do të fillojë procesi gjyqësor për dosjen “Gërdeci”. Seanca e parë është caktuar për në datën 4 maj, në orën 13:20 dhe pritet të shoqërohet me mjaft debate mes avokatëve dhe prokurorëve të çështjes. Publikimi i datës dhe orës kur do të zhvillohet gjyqi është shpallur edhe në uebsajtin zyrtar të Gjykatës së Lartë. Të kontaktuar për këtë fakt, disa nga avokatët e të pandehurve janë shprehur se seanca e parë parashikohet të ketë debate juridike, lidhur me kërkesën e tyre për veçimin e çështjes dhe shpalljen e moskompetencës për t’i gjykuar kjo gjykatë klientët e tyre. Sipas avokatëve, duke qenë se çështja do të gjykohet nga Kolegji Penal në themel, ashtu sikundër gjykohet në Shkallën e Parë, gjatë kërkesave paraprake do të kërkojnë veçimin e gjykimit, për shkak se të pandehurve, pra klientëve të tyre, u humbet e drejta e ankimimit të vendimit nëse gjykohen nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Pamundësia e ankimimit të vendimit në një shkallë tjetër gjyqësori konsiderohet një shkelje e të drejtës së njeriut nga avokatët, një e drejtë që klientëve të tyre u takon me ligj. Sipas avokatëve, me dërgimin e dosjes për gjykim në Gjykatën e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme u ka mohuar të drejtën për gjykim edhe në shkallë të tjera 29 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit. Të kontaktuar nga gazeta “standard”, burime nga mbrojtja janë shprehur se Gjykata e Lartë ka si kompetencë gjykimi si Gjykatë e Shkallës së Parë deputetët, ministrat etj., siç përcaktohet edhe nga neni 141 i Kushtetutës, ndërsa të pandehurit e tjerë nuk duhet të gjykohen nga Gjykata e Lartë. Sipas mbrojtjes, të gjithë të pandehurit e tjerë do të humbisnin çdo mundësi që të gjykohen nga një shkallë më e lartë gjyqësori, ndërkohë që është një e drejtë që u takon me ligj, ajo e ankimimit të vendimit. Për këtë arsye, mbrojtësit kanë argumentuar se dosja duhet të ndahet dhe të gjykohet nga Gjykata e Shkallës së Parë, në mënyrë të tillë që në Gjykatën e Lartë të gjykohet vetëm ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.