E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i eksplozivëve, Teheran - Tiranë

Marrëdhëniet ushtarake simbiotike Tiranë-Teheran nuk janë një episod i vetëm, por një sagë e tërë që vazhdon prej mëse pesë vjetësh nga vjeshta e vitit 2005 deri më sot. Bisedimet për blerje automatikësh, mitrolozësh dhe bazukash u shoqëruan edhe nga shitblerje materialesh të tjera ushtarake apo me përdorim të dyfishtë.


Në këtë shkrim do të trajtohet historia e marrëdhënieve ushtarake shqiptaro-iraniane në fushën e lëndëve plasëse. Kështu pas përfundimit në vjeshtën e 2005-s të pazarit për 100 000 copë kallashnikovë dhe qindra mitralozë iranianë, në pranverën e vitit 2006 i erdhi radha aferës së lëndëve plasëse.


Më 15 shkurt 2006 pala shqiptare fillon bisedimet me kolegët iranianë për blerjen e 500 kilogramëve eksploziv C4 dhe për eksportimin në Iran të 100 tonëve eksploziv të tipit RDX me çmim 5000$ për ton. Për lexuesin shpjegojmë se të dy llojet e eksplozivëve, për shkak të vetive të tyre, kryesisht përdoren për qëllime ushtarake.


Përdorimi i tyre për qëllime civile është i kufizuar në shkatërrimin e ndërtesave të vjetra, si ilaç kundra minjve (RDX) ose për të ngrohur gavetën e supës, një shpikje kjo e marinsave amerikanë gjatë operacioneve antitalebanë në distriktin Marjah të Afganistanit.


Ky lloj përdorimi special i eksplozivit C4 është dokumentuar edhe me foto nga gazetari i mirënjohur C.J.Chivers i Nju Jork Taimsit. Eksplozivi i fuqishëm C4 shumë i përdorshëm për qëllime ushtarake dhe ideal për aksione speciale, përbëhet nga 91% RDX, 5,4% dioktil sebahati, 2,1% poliso-butilen dhe 1,6% vaj motori makinash SAE10.


I ofruam këto shpjegime teknike për të qartësuar lexuesit që eksplozivi C4 i importuar nga Shqipëria ka pasur si qëllim përdorimin ushtarak, veçanërisht për operacione speciale.
Pas kontaktit të 15 shkurtit ka pasur një aktivitet të ethshëm për ta mbyllur me sukses dhe sa më shpejt pazarin e blerjes së eksplozivit C4.


Në 8 mars 2006 pala shqiptare rrit kërkesat ndaj partnerit MODELEX (Firmë në pronësi të Ministrisë Iraniane të Mbrojtjes, homologe me MEICO-n në Shqipëri) duke kërkuar të blejë 1000 kilogramë C4, 500 kapsolla detonatore dhe 10 000 ml fitil zjarrpërcjellës.


Gjashtë ditë më pas diskutohen problemet e transportit të materialeve ushtarake nga Teherani në Tiranë. Ndërsa pas pesë ditësh diskutimesh për mënyrën e transportit të 1000 kg eksplozivi C4 për në Tiranë, pala shqiptare kërkon të blejë edhe raketa kundërajrore iraniane, klone të raketave ruse SA 16 dhe SA 18 MANPAD.


Pra, nga ky dokument del qartë që afera e eksplozivit është vetëm një pjesë e një marrëdhënieje shumëplanëshe në fushën ushtarake midis Ministrisë Shqiptare të Mbrojtjes dhe homologes së saj iraniane.


Dy javë më vonë, më 4 maj 2006, përsëri diskutohet për të transportuar në Shqipëri 1000kg eksploziv C4dhe 10 000ml fitil zjarrpërcjellës. Në të njëjtën datë MEICO shqiptare kontakton firmën transportuese-shpërndarëse serbe "SPEDAL" me qëllim që me anë të saj të transportojë nga Teherani në Tiranë 1000 kg eksploziv, si edhe materiale të tjera.


Personi i kontaktit, zoti Ratkoviç, është një ish-pilot i aviacionit të ushtrisë jugosllave (Ushtria e Millosheviçit), që është dalluar për akte trimërie në luftën e Kosovës, veçanërisht në betejën e fshatit Loxhe të Pejës.


Si komandant i një helikopteri sulmi Gazella Ratkoviçi u përpoq të rikuperonte trupat e Srdjan Peroviçit dhe Millorad Rajkoviçit, dy oficerë serbë të vrarë nga rebelët shqiptarë të komanduar nga Rexhep Shala.


Zjarri i armëve të rebelëve shqiptarë shkaktoi rrëzimin e helikopterit të pilotuar nga Ratkoviçi. Gjithsesi, Ratkoviçi dhe bashkëpiloti i tij arritën të bashkoheshin me forcat serbe në Pejë. Për këtë akt trimërie Ratkoviçi u dekorua në janar të vitit 2000 nga Millosheviçi.


Episodi i firmës SPEDAL të Ratkoviçit është vetëm një nga dhjetëra e dhjetëra rastet e përfshirjes së Serbisë dhe serbëve duarpërgjakur në Kosovë në operacione shitblerjeje, transportimi dhe tranzitimi të armëve, municioneve dhe eksplozivëve për llogari të Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes (episode me të vërtetë "interesante" ble e shit eksplozivë në Iran, transportoi me firma serbe e njëkohësisht mbaj fjalime patriotike plot deklarata dashurie për Kosovën).


Në 16 qershor 2006, siç pasqyrohet edhe në dokumentin përkatës, pazari mbyllet me blerjen e 3,5 tonëve eksploziv C4 dhe 30 000ml fitil zjarrpërcjellës. Për këtë blerje Ministria e Mbrojtjes lëshoi edhe EUC (certifikatën e përdoruesit të fundit) përkatëse, për të legalizuar çdo veprim të partnerit iranian.


Nuk dihet fati i këtyre 3,5 ton C4 dhe 30 000ml fitil zjarrpërcjellës pas mbërritjes së tyre në Shqipëri. Përdorimi i tyre për qëllime civile, si fjala vjen në galeri minierash apo karrera guri gëlqeror është pak i mundshëm si për shkak të vetive të C4-s dhe për shkak të çmimit të lirë në tregun shqiptar të eksplozivëve të përshtatshëm për qëllime civile si amoniti apo edhe dinamiti.


Përderisa 3,5 ton eksploziv C4 nuk gjendet në depot e ushtrisë shqiptare, i mbetet përgjegjësia Ministrisë së Mbrojtjes të sqarojë ku ka përfunduar kjo sasi eksplozivi. Le të shpresojmë që ministri Imami do të tregohet transparent dhe nuk do të luajë teatër me eksploziv C4 apo raketa SA 16.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›