E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njeriu i hedhur për karton

Shkrimtari çek Bohumil Hrabal me veprën "Një vetmi me shumë zhurmë" hyn thellë në psikologjinë e njeriut të vetmuar. Në bisedë me përkthyesin Balil Gjini për estetikën dh gjuhën e Hrabalit


"I qytetëruari i fundit nuk do të shërbejë veçse për të fshirë mbeturinat e mjera të qytetërimit të vet." Vaclav Jamek


Qysh prej 35 moteve, në qytetin Holeovice të Pragës, një njeri me emrin Hanta ngjesh letrën e vjetër në presën e tij mekanike. Fletushka, artikuj, libra, biblioteka të tëra mblidhen kruspull në presën e tij dhe shkatërrohen.


Hanta nuk gënjen kur thotë që "zhdukja në kazanin e presës sime Hitlerin me shpurën e vet tek hynte në Datzingun e lirë, Hitlerin tek hynte në Varshavën e lirë...Hitlerin në çaste intime, Hitlerin në festën e të korrave..." Këtë ka bërë një jetë të tërë, duke ngjeshur në një muaj "nja dy tonë të mirë me libra".


Atij i dhimbset shfarosja e kësaj dijeje njerëzore dhe herë-herë i dukej sikur "bluante në mulli kafka dhe eshtra klasikësh". Për t'i mbajtur përjetë brenda vetes, ai i merrte tharmin, i përpinte, i mbyllte me kyç në mendjen e tij, aq sa një ditë nuk mund të ndante dijen e të tjerëve nga e vetja.


Duke bërë këtë punë, përherë mes librave, Hanta kishte harruar të jetonte, të vishej të lahej, të thithte ajër të pastër. Nuk ishte veç një "shtambë dingazi me ujë të gjallë dhe ujë të vdekur". "Nuk e duroja dot më ajrin e freskët, më zinte fytin, pështyja, mbytesha sikur kisha rrëfitur tymin e një puroje havane", thotë ai.


Ky është njeriu i vetmuar që Hrabal ka krijuar në veprën e tij "Një vetmi me shumë zhurmë" (1976, Zenit 2010), që e ka përkthyer nga frëngjishtja Balil Gjini. Shkrimtari, poeti, eseisti Václav Jamek, në parathënie thotë se vetmia e Hantës e ka origjinën në Aushvic dhe se Hanta është alter egoja e Hrabalit. Hantës i mungon tjetri, ndihma, dashamirësia e tij.


Ja çfarë ai rreth e rrotull vetes: "Duke iu vënë veshin thellësive të tokës, shquaja fare qashtër zërat e saj të mbytur nga ujërat e pista dhe mutrat që vërshonin llagëmeve dhe qyngjeve, urdia e mizave e kishte braktisur fushën, por nën pllakat e betonit minjtë cijatnin, lëshonin sinjale katrahure, në të gjitha kanalet lufta bëhet gjithmonë e më e ashpër, për të përcaktuar zotin absolut, të kësaj bote nëntokësore".


Në veprën e Hrabalit të magjeps psikologjia mbi të cilën njeriu e ndërton jetën dhe në krahun tjetër bota me bukuritë dhe të pëgërat e saj, me vuajtjen dhe ekstazat, me ndërtimin dhe shkatërrimin.


Industria e re e vë përposh makineritë e vjetra, njeriu i ri energjik shemb të vjetrin, bota e re duhet krijuar duke shkatërruar rrënojat. Hanta gati luan mendsh kur ia heqin punën nga goja. Atë e kishin zëvendësuar disa të rinj "që pinin të babëzitur shishe me qumësht, apo Coca-Cola". Kjo erë e re nuk kishte nevojë për Hantën.


Një bisedë me përkthyesin Balil Gjini e bën më të qartë rëndësinë e Hrabalit në letërsinë çeke, vlerat estetike dhe gjuhësore të veprës së tij dhe influencën e tij në kohën (1914-1997) që jetoi.


Përkthyesi është autor i vëllimeve me poezi: "Përurim" (1987), "Fantazma ëndrrash" (1994), "Po, e zi" (2003), "Flatra të fluturta fjalësh" (2007) ; tregimeve "Tre gisht nder" (1996) dhe tri romaneve: "Magjepsja e zuskave" (1998), "Engjëlli i nëmur" (2001) dhe "Mulliri që bluante trëndafilë" (2004). Ka përkthyer autorë si Karl Grimberg dhe veprën e tij: "Historia botërore dhe qytetërimi" (pjesa I, II, 2003), Jean Joubert "Historitë e pyllit" (2007), Michel Tournier " Mbreti i verrishtave" (2007), Jean Baudrillard "Amerika" (2009) dhe së fundmi Emil Cioranin, esenë e tij "Për Francën". Balil Gjini ka shqipëruar në vitin 2005 edhe vëllimin me poezi bashkëkohore franceze "Rrëkezë e hutuar qielli". Në këtë kohë po punon për shqipërimin e " Testamentet e tradhtuara" të Milan Kunderës.


Z. Gjini, kjo bisedë do donte të thellohej te "njeriu i vjetër" i Hrabalit, te vetmia dhe dëshpërimin e tij në një botë që ecën vrikthi. Pak edhe për letërsinë e Hrabalit, vlerat gjuhësore, estetike, shkrimtarin e censuruar me një fat tragjik.


Hrabali, ashtu siç thotë Silvi German është një nga shkrimtarët më të mëdhenj europianë të shekullit XX. Lindi në Brno të Çekisë më 1914. Vdiq më 1997. Veprat e tij u shkrua gjatë epokës së komunizmit dhe u censurua disa herë për përdorimin e një leksiku banal, si dhe për pornografi. Atij iu ndalua botimi gjatë periudhës së "Pranvera e Pragës". Por vepra e Hrabalit është gjithë sqimë e nivel të lartë estetik, larg banaliteteve propagandistike dhe agjitative. Është antipodi i moralizimeve të Cioranit.


Në bërthamën e saj qëndron qesharakësia e njeriut humbaraq në orvatjen dhe oreksin e pataksshëm për të jetuar.


Mu tek këmbët e këtij njeriu, i cili është edhe marifetçi i pashembullt, edhe origjinal i kulluar, edhe maskara i vërtetë, hapet humnera e tmerrshme e ekzistencës. Bash në këtë çast ai bën gjeste heroike për të trembur vdekjen dhe për t'u kacafytur me të. I shëmbëllen orvatjes së dordolecit në fund të baçesë për të trembur sorrat. Vepra e Hrabalit është një lulesë delikate që i shtrin rrënjët tek humusi i humorit plebe të birarive popullore, tek plehërishtja e qyfyreve dhe barcaletave nëpër taverna.


E ndërsa rrënjët shtrihen tek ky humor, degët përkundrazi, pleksen me njëra-tjetrën me një imagjinatë të hatashme, gjithë elegancë dhe stil, lëshojnë gjethe e lule me një parfum të allasojshëm


Përse zgjodhët këtë vepër për të përkthyer nga Hrabal dhe jo një tjetër?


Vendi ynë, për shkak të fatit dhe gjuhës së tij, është një provincë letrare dhe kulturore, ku fenomene dhe ngjarje letrare jo vetëm që lindin rrallë, por edhe ato të të tjerëve (njëlloj si të mos ishin dritë librash, por dritë kozmike që përshkon hapësirat qiellore), vijnë me shumë vonesë. Kështu kanë qenë edhe një pjesë e vendeve të Europës Qendrore. Dhe imagjinoni: pas viteve '90 Europës iu desh të vinte dorën tek sytë për të mos u verbuar prej lëbyrjes letrare që vinte prej saj.


Franc Kafka, Robert Musil, Gombriç, Emil Cioran, Mirçea Iliade, Bohumil Hrabal, Herman Broch, ishin disa nga diejt që prodhonin një lëbyrje të tillë. Meritën për njohjen e tyre e ka veçanërisht Kundera me librat e tij "Arti i romanit", "Testamentet e tradhtuara", "Perdja". Ai thotë se Brochi është themeluesi i romanit filozofik, kështu që Sartri (një filozof romancier surrogato) duhet t'i kthejë lavdinë e vjedhur të parit.


Besoj se ka patur të drejtë po të kemi parasysh atë ç'ka thënë Claude Simon për Sartrin: "Letërsia e tij është letërsia e Stalinit dhe e Zhdanovit e veshur me parfum parizian. Ja pra ç'ngjet në letërsi: vdekja pushton gjithnjë e më shumë livadhe letrare, duke e zgjeruar në mënyrë të frikshme pushtetin e saj. Kjo është mizorisht e pashmangshme.


Varret janë pafundësisht më të shumtë se djepet. Moskolakra e hithra mbijnë mbi vepra që gjer dje ishin gjallë. Ndërkohë lindin tek-tuk vepra të reja, ose ringjallen ato që ishin harruar. Hrabali bën pjesë tek të dytët
Poeti Vackav Jamek, i cili ka bërë edhe prezantimin e veprës, thotë se me vetminë e personazhit kryesor të kësaj vepre, Hanta, Hrabal rrëfen vetminë e viktimave të Aushvicit


Personazhi kryesor i librit, Hanta, është një qenie që refuzon të ketë një status shoqëror. Kjo ngjet, sepse, pas Aushvicit, njeriu, mu përsipër kokës së vet, ka vendosur një pikëpyetje të madhe si drapër shfarosës.


Njeriu, ashtu siç thotë Sandburg, është qenia brenda eshtrave të së cilës do të gjendet aq fosfor sa për të bërë një shkrepëse dhe aq hekur sa për t'u bërë një gozhdë për t'u varur. Pikërisht në Aushvic i çuan dy arixheshkat e dashura të Hantës, qeniet që bënin dashuri pa teklif, larg moralizimeve kristiane.


Ato, pra, arixheshkat, që thërrimet e bukës i mblidhnin ritualisht në cep të shamisë dhe i kallnin në gojë, mbartëset e një qytetërimi të hershëm, ato që perëndinë e zjarrit s'e kanë zbutur d

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›