Gjobëvënësit e biznesmenëve, hetohen tri raste të tjera
Prokuroria dhe policia dyshojnë se dy të arrestuarit e javës së kaluar në Pogradec, kanë kryer edhe zhvatje të tjera
Pritet që gjatë kësaj jave, hetues të policisë së Korçës të marrin deklarimet edhe të disa të dëmtuarve të tjerë
TIRANE- Dy personat e arrestuar nga Drejtoria e Policisë së Korçës, në mesin e javës së kaluar, për "gjobëvënie" ndaj një biznesmeni pogradecar, duke i kërkuar atij 4 mijë euro, dyshohen se mund të jenë autorë edhe të së paku tri rasteve të tjera të ngjashme gjobëvënieje në Pogradec.
Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Qarkut të Korçës që po hetojnë prej mesit të javës së kaluar, aktivitetin e Ardi Berberit, 24 vjeç, dhe të Aleks Hamzallarit, 27 vjeç, kanë marrë informacione se këta të fundit, mund të kenë kryer veprime kërcënuese dhe kanosje për qëllim të zhvatjes së pasurisë edhe tre personave të tjerë në qytetin e Pogradecit dhe të zonave përreth.
Në këtë mënyrë, ndaj Berberit dhe Hamzallarit, mund të shtohen edhe dy raste të tjera me akuzën e "shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë", duke rënduar edhe më tej situatën e tyre penale.
Një fakt i tillë u pohua dje për "Shekullin", nga burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët janë duke kryer veprimet hetimore në ngarkim të personave të arrestuar javën e kaluar më 29 korrik.
Dy të arrestuarit, Hamzallari dhe Berberi, mësohet se janë njëri, djali i një biznesmeni nga qyteti, ndërsa tjetri nipi i një prokurori të njohur. Të njëjtat burime pohuan se shumat që mendohet se iu janë zhvatur të dëmtuarve që dyshohet se janë biznesmenë, shkojnë nga 4 mijë deri në gjashtë mijë euro.
Pavarësisht dyshimeve të policisë dhe informacioneve të mbledhura nga policia e Qarkut të Korçës dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, ende nuk është konkluduar me administrimin e kallëzimeve dhe denoncimeve të të dëmtuarve.
Burimet pohojnë se pritet që gjatë kësaj jave, prokurorët e Krimeve të Rënda, t'iu delegojnë si detyrë specialistëve të hetimit të Krimeve të Rënda në Korçë, pikërisht marrjen e dëshmive ndaj këtyre të dëmtuarve.
Hetuesit pohojnë se personat e arrestuar, kishin disa javë që dyshoheshin për veprimet e tyre, por në mesin e javës së kaluar, një biznesmen, pronar i disa dyqaneve, denoncoi rastin në komisariatin e Policisë së Pogradecit.
Në rast të mos pagesës nga biznesmeni të shumës së kërkuar nga dy personat, ata e kishin kërcënuar se do t'i digjnin disa dyqane, të cilat ai i kishte lëshuar me qera, kundrejt vlerave të ndryshme monetare.
Pas marrjes së kallëzimit shërbimet e policisë së këtij komisariati në bashkëpunim me sektorin e Krimeve të Rënda të Policisë së Korçës, nisën hetimet ndaj dy të arrestuarve si dhe duke organizuar edhe një dorëzim të kontrolluar të shumës prej katër mijë eurosh të kërkuar nga dy të arrestuarit. Të dy personat e arrestuar në momentin e ndërhyrjes së policisë nuk bënë rezistencë, ndërsa menjëherë më pas policia iu vuri atyre prangat duke i dërguar në qelitë e paraburgimit.
4 mijë euro në formën e "gjobës", i kërkuan dy të arrestuarit Berberi e Hamzallari, pronarit të disa dyqaneve në qytetin e Pogradecit. Në të kundërt, ata e kishin kërcënuar se do t'i digjeshin dyqanet.
2 persona u arrestuan nga drejtoria e Policisë së Korçës dhe komisariati i Pogradecit, në mesin e javës së kaluar, pas denoncimit të një biznesmeni se ishte kërcënuar për të paguar kundrejt mos dëmtimit të dyqaneve të tij.
3 raste të tjera të vjedhjes dhe zhvatjes me dhunë, mund t 'i shtohen dosjes penale në ngarkim të dy personave të arrestuar në Pogradec nga Krimet e Rënda, të enjten e javës së kaluar pas denoncimit të një biznesmeni nga ky qytet.