E Diel, 1 Nëntor 2026

AmCham, nis promovimi i projekteve Green për të rinjtë profesionistë



Iniciativat e gjelbra në Shqipëri njihen shumë pak. Gjithë sa mund të bëjmë për të patur të pastër ambientin, janë ide të thjeshta si ato të uljes së konsumit të energjisë dhe ujit, përdorimit më pak të makinave, mbylljes së pajisjeve elektronike kur nuk përdoren. Ndërkohë, bota ka shkuar më tej në krijimin e produkteve eficente, ndërtimeve apo pajisjeve që përdoren me burime më të pastra energjie. Familjarizimi me to nuk është i lehtë dhe sot është kthyer në sfidë për shumë OJQ dhe kompani që mendojnë se e ardhmja do të jetë e sigurt duke përqafuar këto teori. Duke u bërë pjesë e këtij grupi avangardë, Dhoma Amerikane ka vendosur të kombinojë veprimtarinë në promovimin e ideve të reja të të bërit biznes me atë të aplikimit të iniciativave Green. Tashmë baza ligjore ekziston. Nënshkrimi i Protokollit të Kyoto-s në qershor 2005 e detyron Shqipërinë të hartojë bazën ligjore për aplikimin e teknikave Green ashtu sikurse i lejon përfitimin nga fondet që po vihen në dispozicion për këtë qëllim. Vetë qeveria shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje me PNUD-in për të promovuar investimet që reduktojnë shpërndarjen e gazit në ambient tek ndërtimet e reja dhe aplikojnë teknologjitë Green në këto ndërtime. Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka kapacitete të papërdorura të energjisë së rinovueshme për shkak të burimeve solare dhe hidro dhe tentativat e saj për të qenë pjesë e BE-së e bëjnë edhe më të disponueshme për të krijuar një legjislacion të përshtatshëm në përdorimin e këtyre burimeve. Ndërkaq, askush më shumë sesa të rinjtë e arsimuar jashtë shtetit dhe të rikthyer në vend, nuk mund të përcjellin në çdo sektor të ekonomisë këto ide të reja. Duke njohur forcën e biznesit dhe sektorit privat në ekonomi, AmCham e ka kuptuar se promovimi i këtyre të rinjve dhe ideve brilante që ata kanë për të bërë biznes, është një shtysë e mirë për integrimin e tyre në jetë ekonomike shoqërore të vendit.

Duke e pasur të ngritur strukturën që i organizon këta të rinj si dhe network-un e krijuar nga Komiteti i të Rinjve, Amcham ka vendosur të mbajë kontakt të vazhdueshëm me të gjithë të rinjtë profesionistë që duan të bëhen pjesë e iniciativës së AmCham-it për të promovuar idetë e reja të biznesit duke përqafuar teknologjitë Green si dhe eksperiencën më të mirë në industrinë e shërbimit në mënyrë që të kontribuojmë në reduktimin e gjurmëve të karbonit në Shqipëri. Kjo ka për të qenë një mundësi mjaft e mirë edhe për të folur mbi ridimensionimin e ri të tregut të punës dhe mundësitë për t’u integruar në këtë treg të të rinjve që sapo janë kthyer nga studimet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›