E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjallëri e mekur”



Nga Jonida Drugu*

Përqindja më e lartë e shoqërisë shqiptare përbëhet nga të rinjtë. Shumica e tyre bëjnë një jetë të shëndetshme, shkollohen, punojnë, kontribuojnë pozitivisht në shoqëri etj. Megjithatë, jo shume rrallë ndodh që media reflekton më së shumti vetëm zhvillimet negative ose nuk sheh dritën e duhur te të rinjtë tanë. Përgjithësisht, titujt kryesorë të medias së shkruar dhe asaj elektronike janë të përqendruar te droga, alkooli, problemet me prindërit, vrasjet, vjedhjet e kryera nga të rinjtë.

Por edhe kur mesazhet mediatike apo politike janë pozitive, ato i mëshojnë faktit që të rinjtë do të jenë “e ardhmja”, duke mos marrë në konsideratë faktin se ata janë edhe e tashmja. Shpeshherë, të rinjtë cilësohen si liderët e së ardhmes ndaj të cilëve duhet investuar për të nesërmen, duke harruar që ata janë pjesa me aktive e shoqërisë.

Mos vallë ka ardhur momenti për të treguar evoluimin e shoqërisë, pra pranimin e të rinjve si aktorë dhe faktorë kryesorë për të shtyrë rrotat e së tashmes në të ardhmen e shëndetshme. Vetëkuptohet që do të ishte fare naive të besoje në përdorimin e të rinjve thjesht për imazh. Është naive ta besosh po ky fenomen po ndodh duke harruar se janë këta të rinj që në kronologjinë e kohës kanë sjellë ndryshimet e madha... kanë bërë revolucionet e mëdha. Ata të paret kanë sjellë në jetë protestat paqësore, edhe kjo një risi e aseteve të tyre.

Një arsye më tepër për të njësuar “agjentët aktivë” me popullin e tyre, me vendimet e tij, me botën e tij shpirtërore që ta bëjë atë, pra popullin, të flasë me gjithë vërtetësinë dhe larminë e zhvillimeve duke ushqyer dhe promovuar dhuntitë, virtytet, aftësitë, talentet dhe së fundmi, po jo për nga rëndësia – idetë e tyre (të rinjve). Duke qëndruar pasivë, ata nuk mund të korrin frytet e përvojës së fituar nga ai mund i gjatë shkollimesh e trajnimesh.

Kjo thirrje që herë pas here duket si përçartje, është thjesht shprehje e një ankthi që vuan për atë që heqin e s’meritojnë bashkëmoshatarët, të cilët duhet të kenë mundësinë për të korrur diç me dijet e tyre që të fitojnë luftën në planin subjektiv (ose faktor-aktor). Ka ardhur koha të ndryshojë vizioni “manekinist” te të vlerësuarit e të rinjve, duke i veshur me atë që meritojnë – tisin e risisë, ideve që ata mbartin duke promovuar vlerën dhe atë që quhet mbartjen e së mirës, ngjyrave të çelëta, optimizmin dhe dritën, duke u ngritur nga gjumi letargjik për të qenë të vlefshëm dhe për t’u ndier të tillë.

Duke i bërë një analizë të qenësishme brezit me vital dhe më të ri të shoqërisë, pra rinisë, mund të arrijmë në përfundimin se ajo zhvillohet në tërësinë e saj në një hapësirë dypalëshe jo gjithmonë në lëvizje. 1) Në kategorinë e parë hyjnë ata të rinj që me veprime e kurajo sfidojnë të përditshmen e tradicionalen e rëndomtë duke dalë nga modelet dhe kornizat e së kaluarës. 2) Në kategorinë e dytë qëndrojnë të rinjtë që janë lidhur ngushtë me tradicionalen në hapësirën kohore pa rënë në skematizime dhe modele të së kaluarës. Ata mund të bëjnë një përputhje të qenësishme për të përthithur dhe riprodhuar një zhvillim të ri të përqafuar në mënyrë të natyrshme.

Të rinjtë e sotëm ashtu si edhe të djeshmit që në Lëvizjen e Dhjetorit përçuan energji rrezatuese, momentalisht po përjetojnë një mekje nga neglizhenca dhe mosushqyerja, e cila pa një rrugëdalje të shpejtë do të çojë në kaosin tragjik, qëndrimi në kotësi... duke mos shfaqur reaksionet e së resë që i vlon ndër vena. Këta të rinj që sot janë plotësisht të lirë, ndryshojnë nga ata të brezave të mëparshëm, të cilëve nuk u lejohej të ushtronin prirjet apo talentet e tyre, pasi trajtoheshin si të shtyrë drejt shthurjes dhe harresës, pra përjashtimit të madh...

Entuziazmi, atmosfera, gjallëria konkretizohen vetëm me pjesëmarrje, përfshirje dhe aktivizim... Pjesëmarrja mund të jetë e shumëllojshme, duke filluar nga eventet sociale, workshop-et, debatet televizive, përfshirjet në fushatat elektorale e mbi të gjitha, e drejta për të ushtruar të drejtën legjitime, themelore, të drejtën e të votuarit.

Ne e dimë se nuk do të ndryshojmë dot botën plotësisht, por që dhe ta lëmë siç është, pa i dhënë formën e imazhit të ëndrrave tona për të ardhmen tonë, do të na çonte në një ndjesi të të qenit të vdekur që në gjenezë. Protagonizmi nuk është një qëllim në vetvete, por një mjet për të arritur të drejta të tjera.

Pra, ne duhet të kemi një shoqëri civile, ku të gjithë anëtarët të ndihen të përfaqësuar, të respektuar dhe të përgjegjshëm për të ndërtuar shoqërinë.

Bëhu i vlefshëm sot, që nesër të jesh edhe më i vlefshëm!

*Pedagoge e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›