E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pack në Tiranë: Qeveria shqiptare është në rrugën e duhur për në BE

Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian (PE), Doris Pack deklaroi sot në Tiranë se "asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk do të marrë një datë për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE), pa përmbushur kushtet". Në mbyllje të takimit të 16-të ndërparlamentar të radhës Shqipëri-PE dhe pas takimeve me zyrtarë të lartë shqiptarë, europarlamentarja Pack, iu përgjigj interesimit të gazetarëve lidhur me afatet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, pas hyrjes së saj në NATO, që pritet të ndodhë muajin e ardhshëm. "Hyrja në NATO e BE janë dy gjëra të ndryshme; mund të jesh anëtar i NATO-s dhe jo i BE-së. Ndonëse janë dy gjëra të ndara ka mjaft problematika të përbashkëta. Por, fakti që Shqipëria ka plotësuar detyrimet për të qënë anëtar i NATO-s, kjo është një arritje e madhe për të cilën duhet të jeni krenarë", tha znj. Pack. Sipas saj, "Shqipëria është pjesë e procesit të Selanikut, që do thotë se ajo është në rrugën e afrimit me BE-në. Më 3 prill 2008 hyn në fuqi MSA dhe ky është një hap i parë për të cilin duhet të krenoheni të gjithë, si Qeveria dhe opozita. Ju duhet të vazhdoni në rrugën drejt BE-së, që është një rrugë e gjatë dhe po ashtu duhet të pranoni të gjitha ato që ne kemi bërë përgjatë 50 viteve të fundit, të pranoni gjithë legjislacionin tonë etj. Kjo është shumë e vështirë dhe kërkon kohë". Znj. Pack deklaroi se "asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk do të marrë një datë pa  përmbushur kushtet dhe këtë gjë ne e mësuam duke pranuar Bullgarinë e Rumaninë. Ne nuk vëmë kushte të tilla, por për fat të keq apo për fat të mirë, piketat janë më të larta. Kroacia është e para që duhet t'i kalojë këto piketa dhe vendet e tjera duhet të ndjekin rrugën e saj. Shqipëria është në rrugën e duhur nëse Qeveria dhe parlamenti përshpejtojnë punën dhe ju atëhere do të bëni një përparim më të madh. Duhet të punoni dhe jo të rrini e të prisni. Ne nuk do të japim asnjë datë para se ju të keni keni përmbushur piketat që ju kemi vendosur dhe kjo nuk është vetëm për ju, por vlen për të gjitha vendet e rajonit", përfundoi deklaratën e saj në Tiranë europarlamentarja Doris Pack. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›