E Diel, 1 Nëntor 2026

Njëzet për qind e autolarjeve punojnë me ujë të “Prishtinës”

Prishtinë, 1 shtator –  Më shumë se 20 për qind nga 700 autolarjet sa i ka kryeqyteti e përdorin ujin e  ujësjellësit “Prishtina”.
Kjo nuk është parë si shqetësim për pronarët e autolarjeve dhe as për zyrtarët e ujësjellësit, edhe pse llogaritet që rreth 150 autolarje vazhdimisht e përdorin ujin e ujësjellësit, përderisa shumë lagje me orë të tëra mbesin pa ujë të pijshëm, shkruan sot  gazeta Koha Ditore.
“Raportet nga terreni flasin se pjesa më e madhe e autolarjeve ujin e shfrytëzojnë nga puset e jo të ujësjellësit”, ka thënë Arjeta Mjeku, zyrtare për informim në kompaninë e ujësjellësit rajonal “Prishtina”. Ajo shprehet që nuk ka statistika të sakta në lidhje me numrin e autolarjeve që shfrytëzojnë ujin e kompanisë së ujësjellësit “Prishtina”, por, sipas saj, ky numër nuk mund të jetë i madh.
“Afërsisht 80 për qind e autolarjeve në Prishtinë ujin e shfrytëzojnë nga puset, ndërsa rreth 20 për qind ujin e KUR ‘Prishtina’”, ka potencuar Mjeku.
Ndërkaq Vedat Blakçori, i cili qe 8 vjet ka autolarje në afërsi të Xhamisë së Llapit, ka thënë se para hapjes së biznesit të tij ka bërë hapjen e puseve të ujit në oborrin e shtëpisë.
“Të jem i sinqertë, hapjen e puseve nuk e kam bërë që të kursej ujin e pijshëm, por shtypja e ujësjellësit është jashtëzakonisht e vogël dhe në pjesën me të madhe të kohës ka reduktime të ujit. Të dyja këto mund të më shkaktojnë edhe humbje në biznes, por edhe rrezik që biznesin ta mbyll”, ka thënë Blakçori.
Sipas tij, është ekzagjeruar fakti që autolarjet shpenzojnë shumë ujë. “Ekziston një përshtypje e gabuar në opinion që autolarjet shpenzojnë shumë ujë. Jam i bindur që sasia e ujit që shpenzon një autolarje gjatë ditës është e barabartë me sasinë e ujit që shpenzon një familje gjatë një dite për nevojat e shtëpisë”, është shprehur Blakçori, teksa shprehej se ka më shumë se një vit që askush nuk e ka inspektuar atë në lidhje me verifikimin se cilin burim të ujit e shfrytëzon. 
“Më herët ndodhte që dy apo tri herë brenda muajit të vinin nga Komuna për të inspektuar dhe verifikuar burimin e ujit, por tani jo”, ka pohuar Blakçori.
Ngjashëm është shprehur edhe  Mentor Ademi nga periferia e Prishtinës, përkatësisht lagjja “Gollapi”. Ai thotë se për dy vjet e ka shfrytëzuar ujin e ujësjellësit, por pastaj është detyruar që të bëjë një burim alternativ të ujit.
“Afërsisht dy vjet ujin e kam marr nga gypi i ujësjellësit, por reduktimet dhe kapaciteti i vogël i ujit më kanë detyruar që ta instaloj një aparaturë të nevojshme dhe tani i gjithë burimi i ujit merret nga pompa nëntokësore e jo nga gypat e ujësjellësit”, ka thënë Ademi. Ky i fundit shprehet që shpenzimet janë me të mëdha me rrymë sesa me ujë.
“Problematika e funksionimit të autolarjeve nuk qëndron te shpenzimi i madh i ujit, por i rrymës. Makineria e larjes se veturave kërkon kapacitet të fortë energjetik dhe kjo grumbullon shpenzim të madh të rrymës”, ka theksuar Ademi. Sipas tij, vetëm për biznes gjatë një muaji paguan afërsisht 40 euro energji të shpenzuar elektrike.
“Në kohën kur e kam shfrytëzuar burimin e ujit nga ujësjellësi, fatura e shpenzimit të ujit ka ardhur diku 5 euro me shumë se zakonisht,ndërsa për rrymë afro 40 euro më shumë”, ka thënë ai. Ai e ka parë si problem lejimin e funksionimit ilegalisht të shumë autolarjeve në kryeqytet.
“Unë paguaj taksë komunale, ndërsa një numër i madh i autolarjeve fare nuk regjistrohen dhe nuk u nënshtrohen taksave dhe obligimeve të tjera komunale, që është shqetësuese”, shprehej Ademi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›