Kryeministri Berisha: Zona e dëmtuar në Gërdec do të rindërtohet plotësisht
Kryeministri Berisha deklaroi sot se gjatë këtyre dy ditëve mund të zhvillohet një takim me përfaqësuesit më kryesorë të fshatit të Gërdecit për të diskutuar planin e rindërtimit dhe riurbanizimit të këtij fshati.
“Fshati Gërdec është rrënuar. Mund të bëhet këto dy ditë një takim me përfaqësuesit më kryesorë të këtij fshati. Në qoftë se ata duan ne shtëpitë ua ndërtojmë aty ku i kanë. Në rast se dëshirojnë ne u ndërtojmë një fshat në përputhje me një plan të ri ”, u shpreh Kryeministri Berisha duke shtuar se kjo kërkon ujdi të plotë mes banorëve.
Gjitahshtu Kryeministri nënvizoi se do të bëhet regjistrimi i plotë i të gjitha dëmtimeve të bizneseve, të cilat kanë qenë burim punësimi dhe mirëqenie aty.
“Ndihmë dhe kreditim me përparësi për to, që të rrisim kapacitetet dhe të mund të punësojmë më shumë nga zona. Ushtria po bën një punë shumë të madhe qoftë në kërkim qoftë në çminim, por do të jetë e domosdoshme që xhenio të përgatitet me të gjitha mjetet të vendoset në fushim aty sepse me xhenion do të bëhet një punë më e zgjatur në zonë”, theksoi Kryeministri Berisha.