E Shtunë, 31 Tetor 2026

India pushton botën

Rreth 40 milionë indianë jetojnë aktualisht në mërgim, të shpërndarë në Afrikën Perëndimore, Amerikë dhe Azinë Lindore. Dhe në shumë prej këtyre shteteve-përfshirë këtu edhe SHBA-në, Britaninë, Kanadanë, Singaporin dhe Australinë-imigrantët indianë dhe pasardhësit e tyre kanë paga më të larta dhe nivel më të lartë të edukimit, se sa popullata e përgjithshme. Nga Express më 27 korrik 2011 në ora 09:00

Nga dhoma luksoze në katin e 19-të të hotelit Mandarin Oriental në Singapor, Anish Lalvani, hedh shikimin drejtë rrokaqiejve të qytetit. Familja e Lalvanit ka përparuar mjaft, që nga koha kur stërgjyshi i Lalvanit, Tirath Singh Lalvani, filloi biznesin e tij, duke i shitur ilaçe ushtarëve të mbretit George VI në Karaçi.

Atëbotë, qyteti ishte pjesë e Indisë të kolonizuar nga Britania, deri në momentin kur pavarësia arriti në vitin 1947 dhe kur banorët befas e gjetën vetën në rrëmujën e përgjakshme, në të cilën u zhyt Pakistani i sapoformuar.

Familja Lalvani, sikur edhe miliona njerëz në të dy anët e kufirit u arratisën, për të shpëtuar jetët e tyre. Por në vend se të vendosen në Indinë e sotme, familja Lalvani kërkoi pasurinë jashtë vendit. Sot, grupi Binatone i kësaj familje, me seli në Hong Kong, punëson rreth 400 persona në katër kontinente. “Nuk ishim në gjendje të thyenim rrjetin e djelmoshave të vjetër. Por në vend të kësaj, krijuam rrjetin tonë përtej detit”, thotë Anish.

Udhëtimi i familjes Lalvani nga refugjatët në mogulë, pasqyron një fenomen global: rritjen e madhësisë dhe të ndikimit të diasporës indiane. Rreth 40 milionë indianë jetojnë aktualisht në mërgim, të shpërndarë në Afrikën Perëndimore, Amerikë dhe Azinë Lindore. Dhe në shumë prej këtyre shteteve-përfshirë këtu edhe SHBA-në, Britaninë, Kanadanë, Singaporin dhe Australinë-imigrantët indianë dhe pasaardhësit e tyre kanë paga më të larta dhe nivel më të lartë të edukimit, se sa popullata e përgjithshme.

Rëndësia ndërkombëtare e Indisë është rritur deri në atë masë, që nuk njihet që nga fillimi i ndikimit evropian në ekonominë globale në shekullin e 17-të. Dhe me ekonominë e vendit, i cili gjatë gjithë dekadës së kaluar ka pasur një rritje prej 8 për qind, një rritje dyfish më e lartë se ajo e SHBA-së, ndikimi i Indisë vetëm mund të vazhdojë të forcohet.

Pjesa më e madhe e ekonomistëve parashikojnë se deri në vitin 2025, India do ta tejkalojë Japoninë dhe do të bëhet ekonomia e tretë më e fuqishme në botë.
India është më dinamike se shtetet tjera të mëdha edhe në aspektin demografik. Ky vend sot ka 1.21 miliardë banorë, duke u rreshtuar prapa Kinës, më 1.3 miliardë dhe falë politikës kineze “një fëmijë”, India pritet ta tejkalojë Kinën deri në vitin 2020.

Aktualisht si shtëpia e kontingjentit të dytë më të madh të anglishtfolësve në botë, India pritet që deri në vitin 2020 të rreshtohet e para edhe në këtë kategori, duke e tejkaluar SHBA-në.

Diaspora mbetet një prej burimeve më të rëndësishme të kapitalit të jashtëm të Indisë. Sipas statistikave të fundit, punëtorët nga India në vitin 2009 kanë dërguar 49 miliardë dollarë familjeve të tyre në Indi, duke e tejkaluar Kinën për dy miliardë dollarë dhe Meksikën për katër miliardë dollarë.

Në fakt, komuniteti i biznesit nga India është i prirë që të përqendrohet nga familja, si në Indi, ashtu edhe jashtë vendit. Firmat dhe bizneset indiane kryesisht janë familjare dhe fisnore, duke shtrirë rrjetin e tyre në gjithë botën.
“Pjesa më e madhe e klasës së mesme në Indi ka lidhje jashtë Indisë. Lidhjet tona përreth botës gjithashtu janë lidhje familjare”, thotë hulumtuesi Vastala Pant.

Pesë rajonet kryesore të investimeve indiane-Mauritania, Amerika, Singapori, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Britania-kanë komunitete të mëdha indiane dhe kompanitë e drejtuara nga indianët janë në veçanti aktive në fushën e elektronikës dhe softuerit.

“Ne jemi tejet fleksibil gjatë bërjes së biznesit”, thotë Lalvani, i cili është rritur në Britani, është banor i përhershëm i Hong Kongut dhe është i martuar me një indiane, që ka nënshtetësi amerikane. “Ne jemi global dhe kosmopolitan. Indianë etnik, por të lidhur edhe me Britaninë, SHBA-në dhe Hong Kongun. Janë këto të gjitha gjëra, që më bëjnë ai që jam dhe që bëjnë që biznesi ynë të funksionojë”, thotë Lalvani.

Diaspora indiane lëshoj rrënjë, kur punëtorët indianë filluan të vërshojnë të gjitha pjesët e perandorisë së Britanisë, në shekullin e 18-të. Eksodusi u intensifikua, kur Britania shfuqizoi skllavërinë në vitin 1834. Edhe pse shumë punëtorë indianë u kthyen në shtëpi, shumë prej tyre qëndruan në shtetet në të cilat shkuan, duke u bërë pjesë e integruar e ekonomive kombëtare.

Edhe pas fundit të perandorisë, emigrantët vazhduan të largohen nga India, në kërkim të jetës më të mirë jashtë vendit-dhe me vete ata sollën tru dhe vullnetin për të punuar me zell.

Në bazë të një ankete të bërë nga Universiteti i Essexit në Britani, të ardhurat për kokë banori të indianëve në Britani janë 26 mijë dollarë, më të larta se ato të çdo grupi tjetër etnik në Britani.

Prapa në Indi, kushtet mbesin edhe më tutje të vështira, përkundër përparimit që po shënon vendi. Por për ndërmarrësit, si Anish Lavani, ka disa arsye tjera për të qëndruar jashtë vendit: kjo ju mundëson atyre që të mbesin në kontakt me tregun global.

“Tregjet që po dalin në sipërfaqe janë të vogla dhe nevojitet fleksibilitet i madh për të hyrë në to. Duhet të shkojmë në vende, ku shpenzimet janë të vogla. Nuk bëhet fjalë vetëm për fitim të parave. Është me rëndësi që të mos rrënohet puna, të cilën e kanë nisur paraardhësit tanë”, nënvizon Lalvani.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›