E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia dhe autocensura e prokurorisë

Thirrjet e politikës së majtë dhe medias pro saj për “pavarësinë e prokurorisë” janë tërësisht spekulative, jo vetëm në raport me ligjin por dhe me realitetin. Madje ato bëhen tërësisht të pabesueshme kur formulohen si akuza për mazhorancën aktuale, e cila ka bërë më shumë se kushdo forcë tjetër politike për pavarësinë e prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Dhe kjo për faktin e thjeshtë se, realizimi i objektivave antikorrupsion të qeverisë “Berisha” nuk mund të arrihej pa rivendosjen e shtetit ligjor, që në fund të fundit nënkuptonte reformimin e sistemit të drejtësisë, ku përfshihet dhe prokuroria. Realizimi i këtij objektivi përbënte një sfidë të vështirë, në kushtet kur korrupsioni majtist ishte shndërruar në sistem dhe institucionet e drejtësisë, në leva të PS-së për “edukimin komunist të njerëzve”, nëse perifrazojmë një parrullë politike të kohës së monizmit. Absurditeti më i madh qëndronte në faktin se për 8 vjet rresht nuk ishte ndëshkuar asnjë zyrtarë i lartë, pavarësisht niveleve të paimagjinueshme të korrupsionit, nga të cilat ishin prekur të gjitha nivelet e qeverisjes. Vendosja në krye dhe përfshirja në përbërje të këtyre institucioneve i militantëve politik dhe individëve të inkriminuar, sidomos gjatë veprimtarisë në “armën e Sigurimit të Shtetit” e kishte shndërruar pavarësinë kushtetuese të këtyre institucioneve në partishmëri socialiste. De facto ligjin e bënin banditët e të inkriminuarit dhe shteti funksiononte sipas parimit mafioz: “mos më ngacmo të mos të të ngacmojë”. Në këto kushte reformimi i sistemit të drejtësisë në funksion të përmbushjes së objektivave aktikorrupsion nuk mund të realizohej vetëm me vullnetin dhe iniciativat e mazhoranës pasi vendimet politike të kësaj natyre kërkonin shumicë të cilësuar parlamentare, e cila nuk mund të arrihej pa votat e opozitës. Por opozita ishte e lidhur si “mishi me kockën” në prokuorinë dhe i kishin dhënë besën mëkatare njeri-tjetrit.
Shumica e qytetarëve shqiptarë janë dëshmitarë okularë të krimeve të ndodhura në periudhën e qeverisjes majtiste, të cilat kishin jo vetëm inkurajimin e ish-qeveritarëve socialistë, por edhe mbrojtjen ligjore të prokurorisë. Kriminelë të ndryshëm, madje kapot e krimit ndjeheshin si “heronj të heshtur” teksa shëtisnin me makina ish zyrtarësh të lartë, urdhëronin në emër të tyre për përfitime tenderash e favorizime fiskale, udhëtonin si “diplomatë karriere” në vende të ndryshme të botës, negocionin projekte kombëtare me firma të huaja, etj. Në vitet e fundit të pushtetit social-majtist “state capture” kishte arritur në nivele aq të frikshme sa po shqetësonte edhe komunitetin ndërkombëtar. Kjo ishte arsyeja që Uashingtoni, nëpërmjet ambasadorit të vet në Tiranë dha në atë periudhë alarmin: “Kriminelët po shkatërrojnë vendin tuaj”. Nga ana tjetër, Banka Botërore paralajmëronte se “taksa e rryshfetit” majtist në Shqipëri kishte arritur në 1,4 miliardë dollarë në vit, ndërsa “taksat në përgjithësi nuk mblidheshin tek disa sipërmarrës me influencë në politikë”. Dosje të shumta abuzimesh, të përgatitura nga CAM Albania apo institucione të tjera monitoruese ndërkombëtare për Prokurorinë e Përgjithëshme shqiptare përfundonin në “koshin e plehrave të historisë”. Si “specialistë” të vetëm të këtyre punëve që janë social-komunistët, i dhanë një “lugë çorbë” ish Presidentit Moisiu dhe një tjetër ish Prokurorit të Përgjithshëm, Dhori Sollakut, për t’i bërë apatikë në ushtrimin e funksioneve të tyre shtetërore. Por faktet e kohëve të fundit tregojnë se influenca e tyre politike në institucionin e Prokurorisë së Përgjithëshme vazhdon të jetë e njëjtë edhe pas ndryshimit të kreut të akuzës. Kryeprokuroja Ina Rama, tek e cila fillimisht patëm shumë shpresa për ndryshim, duket se është gjunjëzuar përpara kreysocialistit Edi Ramës dhe politikanëve të tjerë të “familjes socialiste”. Këtu nuk është fjala tek veprimet antiligjore te kohëve të fundit për çështjen “Terbicka” apo “Fazlliç”, të inicuara mbi motive tërësisht politike apo trillime mediatike, por tek mosprekja e asnjë dosjeje të ish zyrtarëve socialistë për krim e korrupsion. Disa arritje të shënuara në këtë drejtim i përkasin periudhës para ardhjes së saj në krye të institucionit të akuzës, të bazuara tek puna dhe përkushtimi inidvidual i një grupi prokurorësh apo gjyqtarësh të përkushtuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Fakte të tilla tregojnë se efektiviteti i punës së Prokurorisë nuk rrezikohet nga mungesa e pavarësisë, pasi momentalisht një gjë e tillë është tërësisht egarantuar por nga prezenca e tepëruar e autocensurës që reflekton garda e vjetër e prokurorëve të indoktrinuar. Arbitrariteti më i fundit i zotit Shtylla është ilustrimi më i mirë në këtë drejtim. Kryerja prej tij në kohën e dikaturës e funksioneve të tilla si: -hetues, kryehetues, zv/kryetar i Hetuesisë së Përgjithëshme, e kanë shndërruar atë në një robot të zbatimit të urdhrave politike dhe jo të ligjeve demokratike. Por numëri i këtyre individëve në përbërje të organit të akuzës apo organeve të tjera të sistemit të drejtësisë, të cilët u rikthyen në këto funksione gjatë tetëvjeçarit të mbretërimit socialist në vitet ’97-’05, është i konsiderueshëm. Këta inidividë, para se sa të kërkojnë dhe të japin drejtësi duhet të japin llogari për mijëra të pushkatuar me gjyqe kriminale dhe të montuara, për qindra e mijëra të burgosur dhe të vdekur në burgje dhe qindra-mijëra të internuar, për të vetmin “faj” se mendonin ndryshe nga njerëzit e partisë. Para së gjithash, veprime të tilla çnjerëzore kanë lënë gjurmë arbitrariteti e perversiteti në ndërgjegjien e tyre, të cilat diktojnë metodën e tyre të punës edhe në kushtet e sotme; kjo edhe për faktin se fishat e komunikimit të tyre janë të lidhura me trashgimtaren e Partisë së Punës dhe jo trashgimtaren e Prokurorisë së Përgjithëshme. Me veset që manifestojnë dhe obligimin që ndjejnë për t’i shërbyer deri në vdekje kastës së vjetër politike ata janë pengesa reale për mosreformimin e institucionit dhe krijimin e lloj-lloj skenarëve provokues për moszbatimin e drejtë të ligjit. Kjo është arsyeja që reagimet publike të institucionit të Prokurorisë dhe politikanëve të majtë përputhen plotësisht me njeri-tjetrin. Në këto kushte, “pavarësia” që pretendojnë të dy palët është pavarësi nga zbatimi i ligjit dhe jo për zbatimin e ligjit. Faktet tregojnë se, nuk ka pasur asnjëherë në Shqipëri pavarësi më të madhe të institucioneve sa ç`ka tani, sidomos prokuroria dhe sistemi gjyqësor janë tepër të pavarur. Arrestimi dhe dënimi i shumë zyrtarë të lartë të krahut të djathtë; duke përfshirë zëvendësministra, drejtorë doganash, kryetarë komunash, anëtarë të zyrave të rregjistrimit të pasurive të paluajtshme, etj., është një prej dëshmive të shumta që tregon pavarësinë e prokurorisë dhe drejtësisë nga mazhoranca aktuale. Një fakt i tillë nuk ka nevojë për shumë koment, ndërkohë që niveli i korrupsionit në vitet e qeverisë “Berisha” është reduktuar ndjeshëm.
Kjo pavarësi e Prokurorisë dhe e sistemit gjyqsor në përgjithësi nuk do të ishte në shkallë kaq të lartë, në rast se do të mungonte vullneti i mazhorancës aktuale për të për të luftuar korrupsionin dhe draftuar ligje reformuese të këtyre institucioneve. Raporti i Freedom House për respektimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë e rendit Shqipërinë të parën në rajon për përmirësimin e ndjeshëm të pavarësisë së institucioneve dhe kuadrit ligjor në qendër të të cilit janë gjyqësori dhe prokuroria. Nga vendi i fundit që ishim në rajon në vitin 2005 për respektimin e institucioneve, aktaualisht kemi kaluar në vendin e parë. Raporti vlerëson punën e bërë nga qeveria për miratimin e ligjeve në parlament që vijnë si detytrim i përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Europian, sikurse është ligji i organizimit të gjyqësorit, mbrojtja e të dhënave personale , ndryshimet në ligjin për falimentimin, ndryshime dhe shtesa në ligjin për të drejtat e të dënuarve me burgim apo ndryshimet e bëra në Kodin Penal për mbrojtjen e të drejtave të minorenëve. Gjithashtu në këtë raport vlerësohen dhe projektligjet e draftuara tashmë nga Ministria e Drejtësisë me ekspertë të huaj dhe vendas “Për administratën gjyqësore”; ndryshime në Kodin Penal për përmirësimin e dispozitave lidhur me alternativat e dënimit dhe ngritjen e Shërbimit të Provës; përmirësimin e statusit të policisë së burgjeve për arritjen e një trajtimi më cilësor të të dënuarve me burgim; ndryshime në ligjin për profesionin e avokatit; propozimi për liberalizimin e profesionit të noterit; rregullimi i ndihmës juridike që shteti u ofron personave me mundësi të pamjaftueshme ekonomike, me qëllim mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre të ligjshme në gjykata apo organe të tjera shtetërore; reformimi i institucionit të Avokatit të Shtetit në ndjekje të modelit spanjoll; reformimi i sistemit përmbarimor, nëpërmjet liçensimit edhe të përmbaruesve privatë; krijimi i gjykatave të specializuara administrative për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve; projektligji që reflekton detyrimet që Republika e Shqipërisë ka marrë përsipër me anë të ratifikimit të Konventës Civile kundër Korrupsionit, Konventës në fushën e krimeve kompjuterike, në kuadër të Këshillit të Evropës; projektligjin për ndryshime dhe shtesa “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, projektligjin “Për të drejtën ndërkombëtare private”; projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”; projektligjin “Për bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar”; Projektligjin për policinë gjyqësore, etj. Si rrjedhim, pretendimi i opozitës dhe medias pro saj se, në Shqipëri nuk respektohen institucionet e pavarura është demagogji e pastër. Duke iu referuar debateve që kanë nisur ndaj projektligjit të Prokurorisë, mund të themi se opozita është e vendosur ta pengojë me çdo kusht reformimin e këtij institucioni dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Dhe kjo sepse reformimi i Prokuorisë mund të shndërrohet në boomerang për vetë anëtarët më të lartë të opozitës të përfshirë në afera korruptive, deri sa të kalojë afati i parashkrimit ligjor i këtyre rasteve apo të realizohet ëndërra e tyre e largët për rrotacionin e pushtetit, ku të kenë edhe “gurin dhe arrën” në dorë. Nga ana tjetër kjo situtë e rëndë autocensure në inistucionin e prokurorisë dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi, diktohet veç të tjerash edhe nga niveli i lartë i korrupsionit në këto institucione.
Të dhënat e Progres Raportit të Komisionit Evropian që pritet të bëhen publike më 5 nëntor, vlerësojnë se Shqipëria ka bërë përmirësime të dukshme në fushat kryesore që lidhen me liritë, zbatimin e ligjeve, luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve, por mungesa e progresit në luftën ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë, e bën të pabarabartë përparimin që ka shënuar Shqipëria që nga tetori i vitit të kaluar. Faktet e djeshme korrupsion janë sot fakte antikorrupsion, veprat e dikurshme kriminale janë tashmë dosje të ndjekjeve penale, e kështu me radhë. Nga ana tjetër, qeveria “Berisha”, nëpërmjet reformave dhe luftës antikorrupsion, në tre vite qeverisje ka rikthyer në buxhetin e shtetit rreth tre miliardë dollarë të ardhura që dikur përfundonin në xhepat dhe kontot bankare të ish qeveritarëve dhe zyrtarëve të lartë majtistë. Po kështu janë kapur e vënë para ligjit dhjetëra banda kriminale, që në pushtetin e social-komunistëve bënin ligjin, qoftë në institucione po ashtu dhe në rrugë. Nëpërmjet këtyre fakteve argumentohet jo vetëm drejtësia e qëndrimeve të djeshme opozitare dhe drejtësia e sotme maxhoritare e të djathtëve ndaj pushtetit të krimit dhe korrupsionit majtist dhe mburojës së tyre në sistemin e drejtësisë, por edhe demagogjia majtiste e të gjithë ngjyrave për cënimin qeveritar të pavarësisë së Prokuorisë dhe institucioneve të tjera të drejtësisë. Autocensura e mentalitetit ish sigurims dhe individit të korruptuar janë faktorët që cënojnë realisht pavarësinë kushtetuese dhe atë reale të Prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë. Të gjitha akuzat e tjera s’janë gjë tjetër veçse spekulime politike ose solidarizime nepotike.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›