Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Arabia Saudite dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha pret Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite
TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha në një takim të zhvilluar dje me Ambasadorin e Arabisë Saudite, Abdullah Abdulazis Al-Abdulkarim, vlerësoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Arabia Saudite është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera midis të dy vendeve. Ministri Basha shprehu mirënjohjen e thellë të popullit shqiptar për Mbretin dhe popullin saudit për vendimin e marrë për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet sovran e i pavarur. Kreu i Diplomacisë shqiptare vlerësoi se “Ky akt u vlerësua si një dëshmi e qartë e miqësisë dhe marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë ndërmjet dy popujve dhe vendeve tona, i cili u përjetua me mjaft entuziazëm, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri”. Pjesë e bisedimeve mes dy personaliteteve ishte dhe vizita e suksesshme e Ministrit Basha në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Në këtë kontekst, Ambasadori saudit i dorëzoi Ministrit Basha një mesazh të ngrohtë dhe tepër miqësor të Lartësisë së Tij, Princit Saud Al Faisal, në të cilën vihet ne dukje se mikpritja, që iu rezervua delegacionit shqiptar, ishte një dëshmi e frymës së miqësisë tradicionale mes dy vendeve. Në mesazh theksohet, gjithashtu, besimi i palës saudite se bashkëpunimi i shkëlqyer dypalësh, që ekziston aktualisht, do të përfshijë koordinimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të dy vendeve edhe në kuadrin e organizmave ndërkombëtare. Një vend të rëndësishëm në bisedë zunë dhe rezultatet e vizitës së suksesshme të Ministrit Basha në Mbretërinë e Arabisë Saudite
...