Tiranës iu trefishua popullsia dhe iu dyfishua sipërfaqja e ndërtuar, pa një Plan Rregullues

Denoncon zëdhënësi i grupit Kuvendor, Aldo Bumçi
TIRANE - Kryeqendra e Shqipërisë, Tirana, është ndërtuar në tërësi, pa një Plan të Përgjithshëm Rregullues, pasojat e mungesës së të cilës, qytetarët t’i vuajnë për shumë kohë. Kështu u shpreh dje zëdhënësi i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Aldo Bumçi, gjatë një komunikimi me mediat.
Ai deklaroi se Rama, duhet të jepte llogari përpara qytetarëve të Tiranës dhe banorëve të zonës, se për çfarë arsye Projekti i Rikonstruksionit të Bllokut të banimit 51 që kufizohet nga rrugët “Jordan Misja” – Unaza - “Don Bosko” nuk u realizua gjatë vitit 2008 siç ishte planifikuar, por fillon me kaq vonesë? “Për cilin transformim të Tiranës flet Rama kur ka realizuar gjatë vitit 2008 vetëm 57 % të investimeve të parashikuara. Çfarë do të thotë se punën e një viti e kryen për dy vite. Për cilin transformim të Tiranës flet Rama kur ka djegur në vitin 2008 fondin për strehimin. Rama i detyrohej qytetarëve të Tiranës dhe në mënyrë të veçantë familjeve të pastreha të paktën një shpjegim. Por nuk dëgjuam asgjë. A është zhvlerësimi i pronave të qytetarëve të vjetër të qytetit, për shkak të një praktike primitive të zhvillimit të pronës, ku në vend që pronat të grupohen dhe të fitojnë të gjithë pronarët në mënyrë të drejtë, dikujt i caktohet pallat shumëkatësh dhe tjetrit lulishte? A është ky transformimi për të cilin flet Rama?”, u shpreh Bumçi.
Deputeti demokrat tha më tej se trashëgimia e Rama për qytetin e Tiranës është ajo e kryeqytetit të vetëm në Evropë të cilit ju trefishua popullsia dhe ju dyfishua sipërfaqja e ndërtuar, dhe e gjitha kjo ndodhi pa një Plan të Përgjithshëm Rregullues.
“Pasoja e këtij zhvillimi pa plan qytetarët e Tiranës do t’i vuajnë për shumë kohë, sepse ato nuk janë si kioskat provizore që u hoqën për një muaj”, theksoi zëdhënësi i grupit Kuvendor në PD, Aldo Bumçi.