Njohja e diplomave, afati deri më 25 gusht
Do kenë afat deri më 25 gusht, ndërkohë nga dje MASH pret dosjet me dokumentet për njohjen e diplomave. Ky afat është lënë për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kërkojnë të vazhdojnë studimet në programet e studimit me kohë të plotë dhe me kohë të shkurtuar në universitetet publike, në programet e studimit në IAL-të private. Sipas MASH, për të njohur diplomat e fituara jashtë vendit, secili kandidat duhet të dorëzojë në afatet e përcaktuara më sipër dosjen me dokumentacionin e kërkuar pranë komisionit përkatës që ndodhet në Ministrinë e Arsimit. Dosja duhet të ketë në përmbajtje të saj dokumentet përkatëse, si: formatin e aplikimit të plotësuar, diplomë, dëftesën ose certifikatën dhe vërtetimin e diplomimit, listën e notave ose suplementin e diplomës, dokument zyrtar identiteti, fotokopje e pasaportës dhe kartës së identitetit për shtetasit shqiptarë dhe të huaj, si dhe mandatpagesën. Dokumentet pranohen origjinalë ose fotokopje të noterizuara.