E Diel, 1 Nëntor 2026

Alban Skënderaj “deh” qytetin me “Birra Korça” e këngë

KORCE- Pas suksesit të natës së parë, Festa e Birrës në Korçë tashmë ka hyrë në natën e dytë të saj, me një pjesëmarrje marramendëse. Sikurse edhe natën e kaluar, ora 20:00 e mbrëmjes së të enjtes ka shënuar edhe fillimin e Festës së Birrës në ambientet e "Parkut Rinia", pikërisht para pallatit të sportit "Tamara Nikolla". Alban Skënderaj së bashku me bandat ishin kulmi i mbrëmjes së dytë të festës së birrës, ku mijëra qytetarë shijonin muzikë e pinin birra. Nga ana tjetër, bashkia, nisur nga fluksi i lartë i natës së kaluar ka shtuar edhe kapacitetin e tavolinave apo tryezave për pjesëmarrësit edhe në ambientet e tjera të "Parkut Rinia". Nuk kishte si të ndodhte ndryshe! Sapo ka rënë mbrëmja mijëra persona janë dyndur në stendat e "Birrës Korça", duke marrë krrikot e mbushura me birrë dhe duke sfiduar temperaturat e larta. Edhe këtë mbrëmje, "Birra Korça", birra e parë shqiptare e prodhuar prej vitit 1928, ka kaluar pritshmëritë e organizimit.

Yllka Kuçi, një prej vajzave që shërbente me dashamirësi "Birrën Korça" në festë, është shprehur plot entuziazëm: "'Birra Korça' po 'derdhet' lumë, aq sa ne nuk po arrijmë të numërojmë gotat e konsumuara. Bëhet fjalë për mijëra gota të mbushura me birrë, bionde dhe brune. Sikurse edhe natën e kaluar, 'Birra Korça' është më e preferuara, e cila tashmë konsiderohet me të drejtë si 'Mbretëresha e Festës'. Sonte ka pasur një numër më të lartë vizitorësh se natën e parë dhe për rrjedhojë "Birra Korça" është konsumuar shumë më tepër. Le të themi që vetëm këtë mbrëmje kemi shitur mbi 40 mijë gota birrë. Kjo ka qenë një dyndje e paparashikuar, e cila për më tepër tregon edhe suksesin e 'Birrës Korça'. Ajo ka qenë e preferuara e mbrëmjes, jo vetëm nga qytetarët korçarë, por edhe nga emigrantët, qytetarët e ardhur nga rrethet e ndryshme të vendit, pa përjashtuar këtu edhe të huajt, të cilët çuditërisht dinë edhe historinë e saj, ndërsa vlerësojnë natyrshëm edhe cilësinë e kësaj birre",- ka përfunduar Yllka. 

Këngë, "Birra Korça" dhe kërnacka, gjithçka tradicionale korçare ka mbajtur në shesh deri në orët e para të mëngjesit mijëra pjesëmarrës. "Birra Korça", e lindur në këtë qytet, sa tradicionale edhe e veçantë, ka ditur të korrë, sikundër edhe një natë më parë, suksesin e padiskutuar. Edhe këtë mbrëmje beer-bike apo e thënë ndryshe birrabiçikletë e cila shoqëron "Birrën Korça", ka qenë objekt i dhjetëra prenotimeve të ndryshme nga mjaft vizitorë vendas apo të huaj. Ata kanë preferuar ta shijojnë "Birrën Korça" duke pedaluar në rrugët e ndryshme të qytetit. Edhe fëmijët këtë natë kanë pasur një kënd të veçantë të shoqëruar nga animatorë të ndryshëm duke ia shtuar edhe më tej ritmin festës.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›