E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njohja e diplomave, vonesa deri në dy vjet



Një kalvar burokracie duhet të kalojnë të gjithë ata të diplomuar jashtë shtetit që dëshirojnë t`u njihet diploma e tyre në Shqipëri. Akoma edhe dy vjet mund të zgjasë kjo procedurë për një sërë arsyesh. Ministria e Arsimit deklaroi dje për “standard” se në shumë raste universitetet e huaja, ku studentët kanë përfunduar studimet, nuk i kthejnë përgjigje ministrisë për kërkesat që ajo bën.

“Ne jemi të detyruar të bëjmë kërkesë në universitetin ku i diplomuari ka përfunduar për të na konfirmuar dokumentin që na sjell i diplomuari”, – thotë për “standard” përgjegjësi i zyrës, z. Edmond Cane. “Në shumë raste disa prej këtyre universiteteve, sidomos të Evropës Lindore, nuk janë serioze në afatet e kthimit të përgjigjeve dhe ka pasur raste që edhe pas katër apo pesë kërkesave nuk na kanë kthyer përgjigje”.

Ndërkohë që thuajse çdo muaj kalojnë për miratim 100 deri në 400 kërkesa, numri i aplikimeve ka arritur deri në dyfishin. “Kërkesat janë të shumta. Këtu te ne mbërrijnë thuajse çdo muaj qindra kërkesa dhe fluksi i punës është i madh, – deklaron z. Cane. – Kanë mbetur kërkesa të paekuivalentuara që prej vitit 2006, për të cilat nuk na janë dhënë ende përgjigje nga universitetet”.

Ndërkohë që shumë të diplomuar presin prej vitesh diplomën e tyre, Ministria e Arsimit ka deklaruar se ekzistojnë edhe probleme të tjera, që kanë të bëjnë kryesisht me dosjen e aplikimit. Sipas Canes: “Në shumë raste ka pasur probleme në dokumentacion, prej të cilave ne nuk kemi pranuar gjithë dosjen. Disa herë dokumentet kanë qenë të palegalizuar, duke bërë që ministria të ndalojë këtë procedurë”.

Një person që dëshiron të ekuivalentojë diplomën, duhet të dorëzojë: Formatin e aplikimit të plotësuar. Diplomën ose certifikatën/cërtetimin e diplomimit; listën e notave. Dokument zyrtar identiteti: certifikatë lindje origjinale me fotografi dhe fotokopje e pasaportës, ndërsa për shtetasit e huaj: fotokopje e pasaportës dhe kartës së identitetit; mandatpagesën; dhe dy foto (format pasaporte).

Nëse një prej këtyre dokumenteve nuk është i saktë, atëherë e gjithë dosja nuk pranohet, duke bërë që procedura të nisë nga fillimi. Sakaq, shumë të diplomuar deklarojnë që kërkesat e tyre janë shtyrë në kohë pa arsye objektive, duke i hedhur përgjegjësinë burokracisë së Ministrisë së Arsimit.

“Ka pasur edhe një problem tjetër me konstituimin e Komisionit të Njohjes së Diplomave, që miraton njohjen përfundimtare të tyre”, – deklaroi z. Cane. E ndërkohë që një sërë procedurash kanë bllokuar njohjen e diplomave për shumë të diplomuar jashtë shtetit, universitetet e huaja duket se përbëjnë problemin kryesor, sipas Ministrisë së Arsimit. Por, të diplomuarit ia hedhin fajin vetëm ministrisë dhe procedurave burokratike që ekzistojnë në këtë fushë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›