Ripyeten familjarët, këmbëngulin në vrasje për motive politike
XHINDI
Pjesëtarë të familjes së deputetit socialist janë pyetur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda
TIRANË- Vëllezërit dhe djemtë e deputetit socialist të vrarë më 2 maj të këtij viti, këmbëngulin para Prokurorisë së Krimeve të Rënda se hetimet e kësaj vrasjeje duhet të përqendrohen tek pista e politikës, madje deklarojnë edhe aktivitetet politike të atyre ditëve të deputetit Fatmir Xhindi.
Ky lajm konfirmohet nga burime zyrtare të institucionit të akuzës, të cilët për disa ditë po vazhdojnë të rimarrin në pyetje thuajse të gjithë dëshmitarët apo personat e pyetur në lidhje me këtë vrasje.
Përveç marrjes në pyetje të rrethit të ngushtë familjar, mësohet se prokurorët, me ndihmën e oficerëve të terrenit kanë shoqëruar për disa orë edhe persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur për shkaqe hetimore.
Sipas tyre, familjarët dhe të afërmit e deputetit Xhindi, kërkuan nga prokuroria që hetimet të përqendrohen në çështjet politike, pasi ato ditë pritej që në Roskovec të Fierit të vinte edhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. "Fatmiri nuk ka pas ndonjë konflikt personal me ndonjë banor të Roskovecit, Fierit apo Shqipërisë.
Ai ka qenë një familjar i rregullt dhe e vetmja gjë pse ai është vrarë, është çështja politike, për shkak të punës së tij si deputet dhe përgatitjeve që ai po bënte në lidhje me takimin që kreu i PS-së, Edi Rama, kishte planifikuar ato ditë me banorët e Roskovecit", - thuhet nga prokuroria.
Ndërkohë, pranë policisë dhe prokurorisë nuk reshtin të serviren informacione të ndryshme mbi shkaqet e vrasjes, informacione këto që po verifikohen në të shumtën e rasteve.
Sipas akuzës, deri më tani janë marrë në pyetje rreth 80 persona të ndryshëm, banorë të zonës dhe të qytetit të Fierit. "Që nga data 2 maj 2009, ditën kur është qëlluar për vdekje deputeti Fatmir Xhindi, policia e prokuroria kanë marrë në pyetje mbi 80 persona të ndryshëm", - thuhet nga prokuroria.
Sipas akuzës, ka qenë ora 21:15 minuta e mbrëmjes së të shtunës të datës 2 maj 2009, kur pranë banesës së tij është qëlluar deputeti i Partisë Socialiste në zonën e Roskovecit, shtetasi Fatmir Xhindi, i cili për tre legjislatura mbante këtë post.
Mësohet se atentatori i tij ka shkrepur 16 plumba nga arma e tij "Kallashnikov", ku 9 prej tyre kanë sjellë vdekjen e deputetit Xhindi, i cili sapo kishte dalë nga makina e tij poshtë banesës.