Njohja e pasaportave si 'njohje e pavarësisë'
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, i ka thënë BBC-së se me njohjen e pasaportave të Kosovës edhe Maqedonia edhe Mali i Zi e kanë njohur faktikisht realitetin e krijuar dhe me këtë edhe pavarësinë e Kosovës. Zoti Manaj ka thënë se edhe Serbia në një të ardhme jo të largët do ta njohë pavarësinë e Kosovës në interes, siç tha, të popujve të të dyja vendeve. Por zëvendëskryeministri e ka cilësuar si të panatyrshme dhe të paperspektivë kërkesën e Serbisë për ta vlerësuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Sipas zotit Manaj, procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës po ecën në trendin e tij të natyrshëm por ka shtuar se ai varet nga shumë faktorë. Ai tha se Kosova brenda pak vitesh do të bëhet anëtare me të drejta dhe obligime të barabarta e OKB-së.
Me zëvendëskryeministrin Manaj bisedoi Arbër Vllahiu i BBC-së.
BBC: Zoti Manaj, ka patur shumë debate rreth procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ka 46 vende të botës që e kanë njohur atë. Mund të më thoni se si e përcaktoni ju trendin e njohjes së pavarësisë?
Manaj: Deri tani shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës e kanë njohur 46 shtete. Njohja e fundit vie nga Malta, gjatë ditës së djeshme. Ky është një proces që ka ecur, po ecë dhe shpresojmë se do të ecë në trendin e tij të natyrshëm. Procesi i njohjes së vendit të pavarur, krahasuar ose mbështetur në të drejtën ndërkombëtare publike, është një proces që varet nga shumë faktorë. Ne e dimë procesin e shtetformimit të Republikës së Kosovës, dimë rrjedhën e deritanishme dhe te njohjes nga vende të ndryshme të botës, që është një njohje jashtëzakonisht cilësore, e dimë se atë e kanë njohur shumica e madhe e vendeve të BE-së, shumica e madhe, dhe vetëm ende një vend nuk e ka njohur nga G8, dhe ky proces vazhdon. Për ne është e rëndësishme që të ketë një numër më të madh të vendeve që e njohin Republikën e Kosovës. Shpresojmë se do të ketë njohje të tjera në vazhdimësi.
BBC: Por opozita dhe shoqëria civile thonë se qeveria e Kosovës nuk ka bërë aq sa duhet në lobizim?
Manaj: Mendimet janë nga më të ndryshmet. Në fakt qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë bërë maksimumin e mundshëm për të lobuar procesin e njohjes. Nuk varet vetëm nga qeveria dhe institucionet e Kosovës por është një proces që varet nga shumë faktorë. Realiteti i tanishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, në konjunkturën e tanishme të procesit të njohjes, varet nga pozicione të ndryshme politike, nga interesa të ndryshme dhe struktura të ndryshme që vende të ndryshme respektojnë për të marrë vendim për njohjen e një vendi dhe në këtë rast të Kosovës.
BBC: Para jush është mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ka një nismë të Serbisë për ta vlerësuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë?
Manaj: Është e dukshme që Serbia po përpiqet që këtë problem, me të cilin është e ngarkuar panatyrshëm, ta zhvendos nga brendia e vendit dhe në një mënyrë ta ndërkombëtarizojë. Përpjekjet e tilla kanë për synim që të neutralizojnë reagimet e brendshme. Ne i dimë raportet në mes partive politike, të strukturës së organizimit politik në Serbi, demokratik e radikal dhe ultranacionalist, kështu që përpjekjet janë për ta zhvendosur nga Serbia dhe ta ndërkombëtarizojnë këtë çështje. Është fare e qartë se është një kërkesë e panatyrshme, një kërkesë e paperspektivë. Megjithatë duhet të shohim se si do të pranohet kjo nga shumica e vendeve të OKB-së. E gjithsesi nuk pritet të ketë ndonjë efekt dhe nuk pritet të marrë shumicën mbështetëse për të proceduar mëtutje, respektivisht për të dërguar kërkesën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
BBC: A jeni optimist se qeveria e re e Serbisë do të mund të bëjë hapin drejt njohjes së shpejtë të pavarësisë së Kosovës?
Manaj: Nuk jam optimist se do ta bëjë shpejt. Por, është e pashmagnshme dhe e ardhmja do të konfirmojë të vërtetën se është domosdoshmëri e kohës që dy vendet të jetojnë në fqinjësi të mirë dhe në marrëdhënie të mira në interes të qytetarëve dhe të dy popujve.
BBC: Pse zoti Manaj, vendet e rajonit siç janë Maqedonia dhe Mali i Zi ende nuk kanë vendosur që ta njohin pavarësinë?
Manaj: Janë probleme të brendshme që reflektojnë edhe nga struktura e popullsisë. Ato përpiqen që të gjejnë momentin më të përshtatshëm të duhur, kur do të jetë më pak i reagueshëm nga një pjesë e popullatës së tyre. Ne i dimë problemet e brendshme edhe të Maqedonisë edhe të Malit të Zi, por megjithatë në një mënyrë të dyja këto vende veç e kanë njohur. Ato i kanë njohur pasaportat e Republikës së Kosovës dhe kjo në fakt është njohje faktike e realitetit të krijuar dhe me këtë edhe e pavarësisë së Kosovës.
BBC: Kur mendoni se Kosova do të mund të bëhet pjesë e OKB-së?
Manaj: Ne do të bëjmë gjithë përpjekjet për të arritur standarde që sa më shpejtë të jemi anëtarë të OKB-së. Nuk mund të parashihet ndonjë datë ose vit. Besoj se kjo nuk do të jetë periudhë e gjatë dhe e dekadave. Por për pak vite ne shpresojmë se do të bëhemi anëtar, me të drejta të barabarta dhe obligime të barabarta, si gjithë të tjerët në OKB.