Lëvizja për mendim ndryshe kritikon aleancat e reja të Ramës
Aleancat e reja të Edi Ramës me individë të partive të ndryshme, majtas e djathtas, janë kritikuar nga deputetët e mendimit ndryshe në PS, të cilët i cilësojnë këto lëvizje si të gabuara dhe personale. Takimet me Spartak Ngjelën dhe Nard Ndokën nga spektri i djathtë, që nuk mundën të hyjnë në Kuvend nga zgjedhjet e fundit, apo ftesa për rebelët e LSI-së që dolën kundër Ilir Metës, janë cilësuar nga kjo lëvizje si një gabim i radhës i kreut aktual të partisë. Deputeti Andis Harasani tha dje se “ne na shqetësojnë aleancat fluide me individë të ndryshëm, takimet e Ramës që bëhen pa marrë asnjë mendim të strukturave të partisë”. Sipas tij, këto veprime tregojnë se akoma PS nuk ka nxjerrë mësime nga humbja e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke ecur në gabime të mëtejshme. Sipas Harasanit, në raste të tilla janë forumet e partisë që vendosin nëse duhet PS të lidhë aleanca me individë nga e djathta apo nga LSI, ndërkohë që me ta PS ishte në oponencë të fortë në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Por, ndërkaq 5 deputetët e mendimit ndryshe, të cilët përkrahen nga një pjesë anëtarësh të kryesisë e forumeve të tjera kanë ndërmend të bëjnë dhe disa takime të tjera në bazë për të kundërshtuar bojkotin që ka nisur PS ndaj Parlamentit dhe sigurisht për të hequr maskën e garës mes dy kandidatëve, Rama e Lakrori, që sipas tyre, nuk është një garë e vërtetë. Harasani tha dje se “të enjten do të ketë një takim të madh në Durrës me bazën socialiste”, ndërkohë që ai personalisht, por duket dhe për shumë socialistë të tjerë, kanë ndërmend ta bojkotojnë votimin e ditës së shtunë për kryetarin e ri të PS-së. “Gara nuk përbën ndonjë interes për mua dhe nuk e kam ndjekur, pasi gara mes Ramës dhe zotit Lakrori nuk më duket se është një garë e vërtetë. Ajo që i intereson PS-së është analiza e humbjes dhe kthimi i deputetëve në Parlament, ku të bëjnë opozitën që i duhet qeverisë “Berisha-Meta””, - u shpreh më tej Harasani. Ndërkaq ai tha se bashkë me kolegët e tij do të vazhdojnë të punojnë për të bindur grupin parlamentar, që të kthehet në sallën e Kuvendit dhe pse përpjekjet e deritanishme kanë qenë pa rezultat.