E Hënë, 2 Nëntor 2026

37 gra të policëve të vrarë, emërohen oficere

17/12/2004  Tiranë – Ndoshta secila prej tyre ka jetuar që në fillimin e martesës me frikën e vdekjes. Ka të ngjarë, çdo mëngjes kanë falenderuar Zotin se burrat ishin kthyer shëndoshë dhe se do të ktheheshin pas disa orëve po ashtu. Derisa një zile telefoni, apo në më të shumtën e rasteve, një e trokitur në derë, "ia ka mbyllur jetën". "Bashkëshorti juaj është heroi më i fundit i këtij vendi dhe ka rënë në krye të detyrës për të mbrojtur ligjin". Fjali të zakonshme për raste të tilla, që nga pas kanë lënë dhimbje. Ish-ministra të ndryshëm të Rendit, i kanë takuar në ditën e tyre më të zezë. E nuk janë pak në këto 14 vitet e fundit nënat, gratë e motrat e mbi 200 uniformave blu të rëna në krye të detyrës...

Gratë

Janë rreth 100 gra policësh të veja, aktualisht. E megjithatë, në gjithë historinë tyre të trishtë, ka një moment që rrallë përmendet. Nuk ka të bëjë thjeshtë me një shpërblim apo respekt ndaj njerëzve që ato kanë humbur. Ka prej tyre, që hyjnë çdo ditë pune në dyert e Ministrisë së Rendit, apo në dyer drejtorish policie, atje ku dikur burrat e tyre përshëndeteshin, grindeshin apo bënin plane aksionesh me kolegët e tyre. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Rendit, janë të punësuara, aktualisht, në struktura të ndryshme policore rreth 37 gra, të cilat kanë humbur burrat e tyre në luftën ndaj krimit. Po sipas të njëjtave burime, një pjesë e tyre janë të punësuara pranë Ministrisë së Rendit, duke mbajtur dhe grada policore, ndërsa pjesa më e madhe e këtij kontigjenti grash të veja punojnë nëpër komisariate të ndryshme policie, nëpër rrethet ku banojnë. Mes grave të ish-kryepolicëve "Vip", që janë të punësuara në strukturat e Ministrisë së Rendit, mund të kujtohet gruaja e komisar Gani Malushit, të vrarë në gusht të vitit 2003, gruaja e Ylvi Bengasit, të vrarë në Tropojë. Ndërsa hyrja më e fundit e një gruaje të një ish-pononjësi të policisë është Silvana Ngresi, gruaja e Ilir Ngresit, të vrarë disa vite më parë, e cila ka filluar punë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Vlorës.

Të tjera...

Megjithatë ka edhe më keq se këto gra, që në ditët e tyre më të këqija kanë gjetur një "derë të hapur". Burime zyrtare të Ministrisë së Rendit Publik kanë thënë dje për gazetën "Metropol" se, ndërkohë që 37 gra punonjësish policie të rënë në krye të detyrës janë të punësuara në strukturat e rendit, janë edhe 65 gra të tjera, për të cilat nuk është gjetur asnjë mundësi punësimi pas vdekjes së bashkëshortëve. Burimet kanë saktësuar dje se nga këto 65 gra të papuna, 23 janë me arsim të mesëm, ndërsa 42 janë me arsim tetëvjeçar. Pikërisht, ky fakt, kanë sqaruar burimet zyrtare, ka bërë deri më tani të vështirë dhe gjetjen e një vendi pune për këto gra.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›