Nju Jork, katërshja për Lindjen e Mesme diskuton për Izraelin
Kuarteti për Lindjen e Mesme, që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara, takohet sot për të diskutuar për ndërhyrjen ushtarake të Izraelit në flotën e anijeve me ndihma humanitare, që ishte nisur për në Gaza, javën e kaluar, ku u vranë 9 persona. Takimi zhvillohet pasi Izraeli e ka refuzuar propozimin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, për krijimin e një komisioni ndërkombëtar për hetimin e incidentit.
Njëkohësisht, ministri i jashtëm francez, Bernar Kushner, ka thënë se Bashkimi Europian mund të ndihmojë me monitorimin e trafikut për në Gaza, për të siguruar se furnizimet humanitare arrijnë në Gazën e bllokuar, por duke mos lejuar hyrjen e armatimit.
Kështu, përballë kritikave në rritje kundër bllokadës izraelite ndaj Rripit të Gazës, Franca dhe Britania e Madhe propozuan mbikqyrjen e lundrimit të anijeve në territorin palestinez prej Bashkimit Europian. BE-ja mund të ndihmojë që kontrabanda e armëve të pengohet dhe që njerëzit në Rripin e Gazës të marrin megjithatë mallrat e domosdoshme të ndihmës, thanë ministrat e jashtëm Bernard Kouchner dhe William Hague pas një takimi në Paris. Sipas tyre, gjendja aktuale është e papranueshme.