SHBA, shtatë të vdekur nga stuhia në Toledo
Stuhitë e fuqishme vazhdojnë të prekin disa zona në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kryesisht pjesën qendrore të saj. Për pasojë kanë humbur jetën të paktën 7 persona ndërsa dhjetëra shtëpi janë shkatërruar tërësisht. Nga stuhitë e shoqëruara me erëra të forta dhe reshje shiu gjithashtu, janë shkatërruar disa ndërtesa pranë qytetit Toledo, në shtetin Ohajo, duke krijuar atë që policia lokale e cilësoi si "zonë lufte".
Në pjesën juglindore të Miçiganit, era shumë e fortë ka shkaktuar ndaljen e përkohshme të një centrali atomik. Raportohet se stuhi të ngjashme janë regjistruar edhe në Ilinois dhe Indiana. Ahumë prej shtëpive kanë mbetur pa çati, pasi era ka bërë që tavani të fluturojë. Mediat lokale njoftojnë se rreth 37,000 persona kanë mbetur pa energji elektrike dhe kjo situatë ka vështirësuar se tepërmi komunikimin në sektorë të ndryshëm. Nga stuhitë përveç viktimave, janë regjistruar edhe dhjetëra të plagosur. Në Indiana dhe Ilinois po sipas mediave lokale, ka patur erëra me shpëjtësi të madhe dhe reshje të dendrua shiu. Ekipet e shpëtimit po punojnë për t'u ardhur në ndihmë banorëve në zonat e bllokuara.