Nju Jork, vazhdon gjyqi i Viktor Butit, i akuzuar për trafik armësh

Gjyqi i ish oficerit të forcave ajrore sovjetike, i akuzuar për trafikim armësh në botë, Viktor Buti, po zhvillohet në New York. Ai njihet nga ekspertët e sigurimit edhe me nofkën “tregëtari i vdekjes”.
Policia në Tailandë e arrestoi bizesmenin rus Viktor Buti në vitin 2008. Gjatë seancës së parë gjyqësore në New York prokuroria dhe avokatët mbrojtës i bënë një portretizim shumë të ndryshëm ish oficerit të ushtrisë sovjetike.
Buti akuzohet për konspiracion në shitjen e mijëra armëve, përfshirë raketa tokë-ajër, lëndë shpërthyese dhe granada. Prokurori federal Brendan McGuire tha në gjyq se Buti veproi me shpejtësi për të mos humbur mundësinë që t’i shiste miliona armë grupit rebel kolumbian FARC, të cilat ai besonte se do të përdoreshin pjesërisht për të rrëzuar helikopterë amerikanë. McGuire e akuzoi Viktor Butin se kishte thënë se amerikanët ishin edhe armiqtë e tij. Agjenti federal William S. Broën dëshmoi se Buti u arrestua në Tailandë pasi ai u takua me agjentë të fshehtë që hiqeshin si anëtarë të grupit FARC, të cilën Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste.
Ndërkohë Buti thotë se është i pafajshëm dhe se kishte rënë në kurth. Ai u ekstradua në Shtetet e Bashkuara pas një beteje të gjatë ligjore.
Viktor Buti mund të dënohet me burgim të përjetshëm, nëse gjendet fajtor për 4 akuzat e ngritura kundër tij, përfshirë konspiracion për të vrarë amerikanë dhe mbështetje materiale për një organizatë terroriste.