E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nju jork, gjendet i vdekur në makinë djaloshi nga Tirana

NJU JORK-  Një shqiptar është gjetur i vdekur në makinë të premten e javës së kaluar në lagjen Astonia Queens në Nju Jork City të SHBA.

Argent Dyryzi, 31 vjeç prej 8 vitesh jetonte në SHBA, e cila ditët e fundit u përfshi nga një stuhi e fortë dëbore dhe i ftohti.

Djaloshi nga Tirana është gjetur i vdekur brenda në një makinë tip BMW e parkuar në rrugën 28 në Astonia. Makina i përkiste njërit prej dy miqve me të cilën djaloshi nga Tirana ndante apartamentin.

Të premten e kaluar, kur moti ishte ngrohur paksa dhe bora e akulli kishin nisur të shkrihen, kalimtarët kishin parë se brenda makinës ndodhej trupi i të riut. Ndërsa miqtë kishin vënë re zhdukjen e Argentit që të mërkurën, bën të ditur Nju Jork Times.

Sipas policisë 31 vejcari ishte parë për herë të fundit pasditen e së mërkurës ( ditën kur u zhduk) në Manhatan Kafe. Edhe dëshmitarë të tjerë kanë thënë se kishin parë makinën të parkuar aty që prej të mërkurës por se nuk kishin vërë re ndonjë gjë të çuditshme.

Makina mund të jetë bllokuar nga bora, ndërsa bateria e makinës kishte mbaruar kur është gjetur trupi i vdekur i Argentit.  

VDEKJE AKSIDENTALE APO VETEVRASJE
Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë shkaqet e vdekjes nëse ishte një aksident apo një vetëvrasje. Nju Jork Times citon një zyrtar të hetimit, i cili ka thënë se trupi i të riut ishte gjetur i ngrirë dhe nuk janë vënë re asnjë shenjë traume. Zyrtari ka kërkuar të jetë anonim për shkak se cështja është në hetim. Ndërkohë të dielën i është bërë autopsia. “Na duhet të bëjmë analiza të tjera toksikologjike për të përcaktuar shkaqet e vdekjes” ka thënë Ellen Borakove, zëdhënësi e ekipit për ekzaminimin mjekësor të qytetit

Romina Perkaj, një mike e Argentit thotë se kishte mësuar nga zyra e ekzaminimit mjekësor se në organet e tij janë gjetur njolla që mund të ketë lidhje me helmim nga monoksidi i karbonit. Ajo mohon që Dyryzi të ketë vrarë veten.

“Ne ishim me të gjithë kohën, do ta kishim marrë vesh” citohet ti ketë thënë 23 vjecarja Nju Jork Times. Ajo ka treguar se Argenti kishte planifikuar madje t’i propozonte të fejuarës së tij. “Ai donte Amerikën dhe po punonte të ndërtonte një shtëpi këtu” ka thënë Romina duke shtuar se Argenti që kur kishet ardhur në Amerikë, nuk i kishte takuar më prindërit e tij.
Argenti kishte mbërritur në Nju Jork nga Shqipëria 8 vite më parë, dhe punonte në ndërtim, por kohët e fundit ishte i papunë për shkak dhe të motit të keq.

“Ai ishte një djalë vërtet i madh. i pëlqente të bënte surpriza të vogla për miqt e tij. Ai gjithmonë organizonte gjëra për shokët”- e kujton vajza 23 vjecare mikun e saj ndërsa shton se po përpiqen të sigurojnë viza për familjarët që të marrin pjesë në funeralin e tij.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›