Pranga dy të rinjve, tentuan të rrëmbenin 16-vjeçaren
Pogradec- Tentojnë të rrëmbejnë me dhunë 16-vjeçaren, por dy autorët arrestohen nga policia e Pogradecit. Një skenë e frikshme është përjetuar nga një adoleshente në qytetin buzë liqenit të Ohrit, teksa ishte duke u kthyer për në shtëpinë e saj. Dy djem të hipur në një autoveturë me targa të Pogradecit, pasi e kanë ngacmuar adoleshenten që ecte vetëm, kanë dashur ta rrëmbejnë atë dhe ta përdhunojnë më pas. Falë britmave të vajzës dhe reagimit të disa qytetarëve që kanë parë skenën, nuk është bërë i mundur rrëmbimi i saj. Policia lokale, e cila është njoftuar nëpërmjet një telefonate anonime, ka shkuar në vendin e ngjarjes, teksa më pas ka bërë të mundur arrestimin në kohë të autorëve të saj. Ata janë shtetasit Denis Çekiçi, 26 vjeç dhe Aurel Alia, 31-vjeçar, të dy banorë të qytetit të Pogradecit. Ngjarja, bëjnë të ditura për gazetën burimet zyrtare të policisë, ka ndodhur rreth orës 21.30 të mbrëmjes së kaluar, në lagjen 5 të Pogradecit, në afërsi të Unazës së qytetit. Shtetasja me inicialet V. H., banore po e këtij qyteti, ka qenë vetëm në rrugë, duke u kthyer në shtëpi. Dy autorët ishin duke udhëtuar me mjetin e tip volkzvagen-golf me targë PG 2870 B. Dy të rinjtë autorë të ngjarjes e kanë ngacmuar vajzën, ndërsa kjo e fundit nuk u ka kthyer përgjigje, duke u llahtarisur nga reagimi i tyre i pakuptimtë. Qetësia e vajzës dhe indiferenca e saj i ka acaruar më shumë të prangosurit. Kaq është dashur që Çekiçi dhe Alia të vendosin ta rrëmbejnë minorenen, për ta nxjerrë me mjetin e tyre jashtë qytetit. Ata kanë ndaluar menjëherë dhe njëri prej tyre ka hapur derën për ta futur atë me dhunë brenda. 16-vjeçarja ka kërkuar ndihmë te kalimtarët e rastit, duke qarë e thirrur, ndërsa reagimi i disa qytetarëve i ka bërë të rinjtë të zmbrapsen me frikën e identifikimit të shpejtë në polici. Ata e kanë hedhur vajzën në tokë, duke u larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Pas denoncimit për ngjarjen dhe rrëfimit tronditës të adoleshentes, që nuk i kishte parë ndonjëherë më parë ata që tentuan ta rrëmbenin, policia ka nisur hetimet. Pas kësaj dy autorët kanë përfunduar në burg, ndërsa akuzohen për “Rrëmbim i personit në bashkëpunim e ngelur në tentativë”.
I. Vreto