Trafik armësh në Gërdec? Dosja mbërrin te Krimet e Rënda
Tiranë- Në kohën që procesi gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit rrezikon dështimin, Prokuroria ka vendosur të mos neglizhojë dyshimet për trafik armësh në këtë ngjarje. Trafiku i dyshuar, që zhvillohej duke përdorur si koperturë fabrikën e Gërdecit, do të hetohet tashmë nga Prokuroria për Krime të Rënda. Pas më shumë se dy vitesh e gjysmë, organi qendror i akuzës ka vendosur transferimin e dosjes “Gërdeci” në Prokurorinë e specializuar për hetimin e rasteve të tilla, edhe pse deri tani elementët e gjetur nuk janë shumë shpresëdhënës. Burime të rezervuara pohuan për gazetën “Mapo” se pak ditë më parë Prokuroria për Krimeve të Rënda ka marrë në dorë një nga dosjet për të cilat është nisur hetim pas tragjedisë së 15 marsit të vitit 2008. Fillimisht, dyshimet për trafik armësh e municionesh u hodhën nga një prej dëshmitarëve kryesorë të këtij procesi, i ndjeri Kosta Trebicka. Ndërsa vetëm pas ngjarjes së rëndë, Prokuroria e Përgjithshme, ndër të tjera, hetoi edhe aferën me municionet kineze të porositura nga Pentagoni, të cilat dërgoheshin si ndihmë për ushtritë aleate në Afganistan. Rruga që ndiqnin këto municione dhe sasia reale që i është shitur 22-vjeçarit Efraim Diveroli, i cili kishte arritur të siguronte një kontratë të majme me Pentagonin, sipas Prokurorisë Shqiptare hedhin dyshime për trafik. Si pjesë e procesit është përfshirë edhe depoja e Memajt në Durrës, nën administrimin e ndërmarrjes “Meico”, ku ndodheshin një sërë armësh e municionesh, të cilat nuk i ishin nënshtruar asnjëherë inventarit. Të gjithë elementët e verifikuar deri tani nga grupi hetimor që mori në dorë çështjen Gërdeci, i janë vënë në dispozicion Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Të paktën dy prokurorë dhe tre oficerë të kësaj prokurorie kanë nisur nga puna për hetimin e çështjes që në fillim të muajit të shkuar. Fillimisht, Krimet e Rënda pritet të analizojnë të dhënat e sekuestruara lidhur me transportin e municioneve drejt aeroportit të Rinasit, ku pasi i nënshtroheshin ripaketimit dërgoheshin me avionë special drejt Afganistanit. Sasitë e municioneve që kanë dalë nga depot e ushtrisë shqiptare pritet të krahasohen me sasinë reale të municioneve që ka kërkuar 22-vjeçari Efraim Diveroli, pronari kompanisë “AEY”, dhe pas këtij procesi organi i akuzës pritet të dalë në një përfundim. Gjithashtu, nga hetimi i dosjes në Prokurorinë e Përgjithshme, janë vërejtur edhe transaksione të tjera të dyshimta nga ndërmarrja “Meico”, kryesisht gjatë viteve 2006-2008. Një nga provat më të forta të siguruara nga Prokuroria, përveç korrespondencës dhe shkresave zyrtare, janë edhe armët apo mjetet e tjera luftarake të gjetura pas kontrollit të ushtruar në depon e Memajt, pranë qytetit bregdetar të Durrësit. Të gjitha materialet luftarake, ku përshihen dhe armë të kalibrave të ndryshëm, rezultojnë të blera nga vendet fqinje për llogari të ushtrisë shqiptare, por destinacioni i tyre final ishte tregtimi në vende që kishin kërkuar të tilla armë, apo municione.