E Diel, 1 Nëntor 2026

Njujorkezët, në radhë për paratë e dhuruara

Një ngjarje e pazakontë u shënua dje në Nju Jork. Një zotëri i çuditshëm nisi t‘i dhuronte para të thata kujtdo që vihej në radhë për t‘i marrë. Njeriu i mistershëm, i cili e quan veten "Bill shpëtimtari", thotë se amerikanët e thjeshtë, në gjendje të vështirë ekonomike për shkak të krizës, e meritojnë njëfarë ndihme. Për të marrë paratë, njerëzit duhet të paraqiten në "Kioskën shpëtimtare", e cila gjendet në sheshin "Times" të Manhatanit.

Të gjithë ata që paraqiten, marrin nga (minimumi) 50 dollarë deri në (maksimumi) 5 mijë dollarë. Pavarësisht për cilin individ bëhet fjalë, "Bill shpëtimtari" garanton se do t‘i japë një shumë parash kujtdo që paraqitet para tij dhe i rrëfen historinë e vet. Qindra njerëz u grumbulluan që në orët e para të paradites së djeshme, kur duhet vërejtur se bënte një i ftohtë i acartë, për të marrë shumën e parave. Disa u detyruan të rrinin në radhë për orë të tëra, deri në çastin fatlum të mbërritjes në kioskë.

34-vjeçari Gerrard Rinemoof, duke shkundur borën nga palltoja, i tha reporterit të "Newsbeat" se pritja ia vlejti deri në fund: "Na është sëmurur macja dhe duhet ta shpiem patjetër te veterineri, kështu që 50 dollarët do më ndihmojnë të paguaj faturën".

Por ka të ngjarë që "Bill shpëtimtari" të mos e bëjë gjithë këtë vetëm për hir të bamirësisë, edhe pse kjo nuk është thënë në asnjë rast. Pranë i rrinë disa njerëz të stafit të tij, të cilët mbajnë në duar tabela ku është shënuar adresa e sitit të tij në internet. Madje ata u thonë njerëzve të hyjnë në internet e ta klikojnë sitin. Bëhet fjalë për një sit reklamash, ku njerëzit mund të publikojnë videot dhe njoftimet e tyre për shitjen e objekteve të përdorura.

Kështu, ekziston mundësia që "Bill shpëtimtari" t‘i ketë dhuruar ato mijëra dollarë për t‘i bërë publicitet biznesit të vet? Shumë prej atyre që shkuan dje para tij, duket se as që e vrisnin mendjen për këtë. Rodrigezi, 24 vjeç, tha se ai biznesmen kishte zemër të madhe. "Fakti është që unë duhet të paguaj faturat dhe për këtë më duhen para. Me 50 dollarët e mi po shkoj të ha drekë tani".

Mësohet se "Kioska Shpëtimtare" nuk do të dhurojë para vetëm për banorët e Nju Jorkut. Në javët e ardhshme do të shfaqet në Uashington, Boston dhe Filadelfia. Një grua e pastrehë, e cila nuk pranonte ta jepte emrin tha: "Nuk kam as pallto në trup, nuk kam një shtëpi ku të fus kokën dhe jam e sëmurë. Zoti e bekoftë këtë ditë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›