Nobelisti Andriç sjell kronikat boshnjake
I konsideruar si një ndër romanet më të bukur të letërsisë evropiane të shekullit të XX dhe një ndër veprat më të rëndësishme të letërsisë jugosllave, vjen në shqip “Kronikat e Travnikut” e novelistit Ivo Andriç. Botimet IDK dhe përkthyesi Virgjil Muçi sjellin sagën e jetës së një qyteti të vogël të Bosnjës, në periudhën mes viteve 1806 dhe 1814, kur ushtritë e Napoleonit kishin mbërritur jo larg që aty, në kufijtë evropianë të Perandorisë Osmane. Rrëfimi nis pikërisht në çastin kur në këtë qytet të humbur të Perandorisë, ku në një atmosferë dyshimi e mosbesimi reciprok, prej shekujsh bashkëjetojnë njerëz të besimit musliman, katolik, ortodoks e hebre, vjen konsulli francez, e menjëherë pas tij, dhe ai austriak. Në këtë kryevepër të tij, Ivo Andriç ka aftësinë e rrallë që jo vetëm të na sjellë një tablo epike të jetës dhe atmosferës së një periudhe të historisë së qytetit të tij të lindjes, por arrin të krijojë mjeshtërisht një galeri të pasur personazhesh mbresëlënës që formojnë. I shkruar gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, në sfondin e dhunës që shpërtheu atë kohë mes bashkësive të ndryshme që jetonin në ish-Jugosllavi, romani Kronikat e Travnikut përbën kësisoj një çelës për të kuptuar më mirë nga rrënjët e dramës së përgjakshme, që u shpalos në ish-Jugosllavinë e viteve ’90 të shekullit që shkoi.