Përgjimet e drogës, zbulojnë korrupsionin
"Pazaret" bëheshin për pushimin e akuzave për "përdhunimin" në ngarkim të Emdond Taullajt dhe lirimin e tij nga burgu
Një gjyqtar e një prokuror, të dyshuar se i mbyllën dosjen të akuzuarit për trafik droge, i arrestuar dy ditë më parë
TIRANË- Hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda në kryeqytet, ndaj shtatë të dyshuarve, të arrestuar dy ditë më parë për akuzën e "trafikut të drogës" të njohur si "Banda 2 e Durrësit", kanë zbuluar veç trafikut edhe "pazaret" e avokatit, prokurorit dhe një gjyqtari, për një çështje në ngarkim të Edmond Taullait, për akuzën e përdhunimit.
Çështja në ngarkim të tij për veprën penale të "përdhunimit", e ngritur në kohën e hetimit të linjës së trafikut të drogës, u pushua dhe i akuzuari Taullai, 25 vjeç, u lirua nga burgu.
Një fakt i tillë konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, që sqaruan për "Shekullin" se "çështja" tashmë i ka kaluar Task-forcës, për hetime të mëtejshme.
Sipas të njëjtave burime, mësohet se në dhjetor të 2008, në Drejtorinë e Policisë në Durrës është paraqitur për të dhënë një kallëzim një vajzë me inicialet E.Rr. 22 vjeçe, studente e Universitetit të Durrësit.
Ajo ka denoncuar për "përdhunim" dhe dhunë sistematike të kryer ndaj saj nga i dashuri Edmond Taullai. Ai gjatë përgjimeve të prokurorisë për linjën e trafikut të drogës është i njohur edhe me emrin Moke.
Pas marrjes së kallëzimit, policia e Durrësit së bashku me forcat speciale të RENEA-së organizuan operacionin e koduar "Spitalla 2" dhe më 24 dhjetor 2008, arrestuan në banesën e tij në lagjen 18 të të Durrësit Edmond Taullain. Ndërkohë, emri i tij ishte në listën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi prej shtatori të vitit 2008 ai ishte nën përgjim për akuzat e "trafikut të drogës".
Edhe pas arrestimit të tij, Taullai dyshohet se vazhdoi të mbante lidhjet me linjën e trafikut të drogës që nga dhomat e paraburgimit në Durrës. "Gjatë qëndrimit të tij në qeli, ai ka ndryshuar 10 numra celularë, që ia blinin policë të paraburgimit. Edhe pse i ndryshonte numrat shpesh, zyra e përgjimit ka arritur t'ia identifikojë numrat e rinj që përdorte.
Gjatë kohës që ai përgjohej, janë regjistruar biseda të ndryshme telefonike të kryer mes të dyshuarit Taullai, familjarëve dhe avokatit të tij, se si do veprohej që ai të dilte nga burgu dhe akuza për "përdhunim" ndaj tij të pushohet-thuhet nga zyrtarë të prokurorisë.
Sipas tyre, në këtë kohë, janë regjistruar biseda të kryera nga Taullai, nëpërmjet të cilave prokuroria pretendon se është zbuluar se si është ushtruar presion ndaj studentes 23-vjeçare me inicialet E.Rr, të tërheqë kallëzimin.
Më pas, dyshohet se kundrejt rryshfeteve, gjykata dhe prokuroria kanë pushuar akuzat ndaj Taullait. Ndërkohë, edhe pas lirimit nga qelia për akuzën e "përdhunimit", Edmond Taullai ka vazhduar aktivitetin e tij kriminal, në drejtim të trafikut të heroinës. Në lidhje me përgjimet, mësohet se i janë dërguar zyrës së Prokurores së Përgjithshme.
Çështja tashmë mësohet se ndodhet në në duart e prokurorëve të njësisë së Task-forcës në kryeqyte, që po hetojnë çështjen. Në lidhje me trafikun, e drogës, Taullai dyshohet se ka furnizuar me heroinë, nëpërmjet linjave të tij të kontaktit dhe me porosi të Endrit Dokles nga burgu, të arrestuarin Isuf Buna, Shefqet Vata e Jorid Xhunga, që nëpërmjet "korrierëve" e nisnin mallin drejt Italisë në rrugë tokësore.
Bashkë me personat e mësipërm, policia arrestoi Vito (Vehap) Bibën, bashkëshorten e tij Eglantina (Lulo) Biba si dhe 25-vjeçarin Edmond Taullai. Arrestimi i tij, u krye në orën 03:00 të të shtunës në një disko në Sarandë, ku ndodhej bashkë me Vehap Bibën. Pritet që të gjithë këta të arrestuar, të dalin paraditen e sotme para Gjykatës për Krime të Rënda për verifikimin e masave të sigurisë "arrest me burg" dhënë në mungesë.