Liderët e rajonit zotohen të thellojnë bashkëpunimin
Minisamiti i Ballkanit që po mbahet në Prevallë të Prizrenit, me ftesë të Presidentit Fatmir Sejdiu, ku po marrin pjesë dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ai i Maqedonisë, George Ivanov dhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka hapur mundësitë për përmirësimin e raporteve dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet katër vendeve fqinje. Liderët e katër shteteve të rajonit, gjatë takimeve bilaterale në Prevallë të Prizrenit, theksuan nevojën e thellimit të bashkëpunimit veçanërisht në sektorin e ekonomisë, qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe forcimin e sundimit të ligjit. “Temë e të gjitha takimeve ishin fushat në të cilat mund të zgjerohet edhe më tej bashkëpunimi. Në këtë plan u theksua nevoja e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, në liberalizmin e lëvizjes së qytetarëve, në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar e fusha të tjera”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës, të lëshuar pas takimeve kokë më kokë të liderëve të rajonit. Punimet në këtë samit kanë nisur me ardhjen e Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, i cili është takuar me tre liderët e tjerë në mëngjes, transmeton REL. Në bazë të formatit të takimit gjatë paradites, të katër presidentët janë takuar veç e veç. Presidenti i Kosovës ka takuar atë të Shqipërisë, ndërkohë që paralelisht është mbajtur takimi tjetër ndërmjet Presidentit të Maqedonisë dhe atij të Malit të Zi. Në formë rotacioni, takime të tilla janë zhvilluar deri në mesditë. Gjatë këtyre takimeve, sipas njoftimit të Presidencës, i pari i Kosovës ka përsëritur edhe një herë idenë e krijimit të një mini-Shengeni për lëvizje të lirë të qytetarëve të rajonit. Sejdiu, në takimin me homologun maqedonas, Ivanov, konstatuan se Kosova dhe Maqedonia kanë marrëdhënie shumë të mira dhe se mes tyre nuk ka asnjë çështje të hapur. Ivanov, ndërkaq, theksoi se politikat strategjike të Kosovës përkojnë me ato të Maqedonisë, duke sqaruar se synimet e të dyja vendeve janë integrimi euroatlantik. Ndërkohë në takimin Sejdiu-Topi, sipas Presidencës, të dy zyrtarët e lartë theksuan marrëdhëniet shumë të mira të konkretizuara me marrëveshje të nënshkruara për bashkëpunim në shumë fusha. Presidenti Sejdiu është shprehur mirënjohës edhe për përkrahjen që Mali i Zi i ka dhënë Kosovës në periudhën e zhvillimeve të rëndësishme për vendin tonë dhe përkrahjen e vazhdueshme në drejtim të synimeve për integrimet europiane dhe liberalizimin e vizave. Ndërkaq, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, në një deklaratë për media, tha se katër shtetet e rajonit i dërguan mesazhe edhe bashkësisë ndërkombëtare, duke u zotuar për gatishmërinë e tyre për paqe e stabilitet. Ai theksoi se ka marrë garanci nga Sejdiu rreth gatishmërisë së institucioneve kosovare për ndryshimin e ligjit për të drejtat e komuniteteve, në mënyrë që malazezët të gëzojnë të drejtat kushtetuese si pjesëtarët e komuniteteve tjera. Po kështu, ai bëri të qartë se ky është kushti për shkëmbimin e ambasadorëve me Prishtinën. Kjo kërkesë është konfirmuar edhe nga përfaqësuesit e komunitetit malazez në Kosovë. Minisamiti i Prizrenit është vazhdimësi e dy takimeve të mëhershme të përbashkëta të formatit të njëjtë të mbajtura në Vlorë të Shqipërisë dhe në Ohër të Maqedonisë, ku të katër Presidentët kishin bashkëbiseduar për marrëdhëniet shumëpalëshe, për bashkëpunimin rajonal dhe për perspektivën e zhvillimit të Ballkanit në kuadër të vizionit të përbashkët për integrime euroatlantike. Në orët e pasdites pritet të mbahet një takim i përbashkët ndërmjet katër Presidentëve, pas të cilit ata do të dalin para mediave për të prezantuar rezultatet dhe mesazhet politike që kanë samite të tilla. Samiti është vlerësuar se do të shtyjë përpara procesin e bashkëpunimit në rajon, si dhe do të promovojë paqen dhe stabilitetin e kësaj pjese të Europës. Ndërkaq, thirrja e këtij samiti nga Presidenti Fatmir Sejdiu, nga politika kosovare dhe analistët është cilësuar si mesazh i Kosovës, përmes të cilit shprehet gatishmëria për bashkëpunim me të gjithë fqinjët. Kosova, si shteti më i ri në rajon dhe Europë, ka vendosur tashmë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadash me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ndërkaq, me Malin e Zi ende nuk është vendosur një nivel i tillë i marrëdhënieve. Sidoqoftë, pas njohjes së komunitetit malazez si pakicë në Kosovë, vendosja e marrëdhënieve në nivel ambasadash me Podgoricën shihet vetëm si çështje kohe. Presidentët e katër shteteve ballkanike janë takuar veç e veç duke i kushtuar njëri-tjetrit nga 20 minuta kohë për të diskutuar, ashtu siç është paraparë në axhendën dyditore të këtij samiti. Gjatë pauzës, Presidentit Bamir Topi i është dhënë një mirënjohje nga shoqata “Miqtë e Amerikës”, për kontributin e dhënë në çështjen nacionale dhe angazhimit të tij në mbështetjen e Kosovës. Presidentët pritet të zbresin nga Prevalla në Prizren për të drekuar në ambientet e restorantit “Krajku”, për t’u rikthyer në fshatin turistik në Prevallë, në takimin e përbashkët dhe më pas në një konferencë për gazetarë.
#