E Shtunë, 31 Tetor 2026

Noemi, një vit më vonë pas festës me Papi-n

“Veronica gaboi, ndërsa unë do të bëja çdo gjë që kam bërë” Rrëfimi i vajzës më të përfolur në Itali, e cila e festoi ditëlindjen përkrah Kryeministrit Silvio Berlusconi. Këtë vit ajo ka festuar në Milano dhe nga “Papi” ka marrë vetëm urime. “Pasioni im mbetet spektakli, por mund të bëhem edhe biznesmene”. Së shpejti do të hedhë në treg edhe parfumin e saj

Një vit më vonë nuk mund ta pyesësh se çfarë dëshiron të bëhet kur të rritet. Vajza është pjekur dhe e ka më të lehtë të bëjë zgjedhjet e saj. “Një të cilën e kam gjithmonë parasysh është që të jem e lumtur. Unë mbështetem vetëm te kjo pikë”. Noemi Letizia, mikesha adoleshente e Kryeministrit italian, buzëqesh dhe thotë se gjithçka që ka bërë një vit më parë, nuk do të hezitonte ta bënte sërish: madje edhe festën e madhe me rastin e 18-vjetorit të lindjes përkrah Kryeministrit Berlusconi. Gjithashtu ajo thekson se divorci i kërkuar nga Veronica Lario është fryt i një gabimi.
“Viti i sivjetshëm ka qenë vërtet impenjativ”, thotë Noemi. Vajza flet me shumë kujdes për këta 12 muajt e fundit, si edhe për urimet që do të marrë këtë vit nga Silvio Berlusconi. Tregon për projektet e saj dhe jetën luksoze që ka bërë për të gjetur vendin e saj në shoqëri. Por çfarë i pëlqen të bëhet? “Ku i dihet, ndoshta vendos të bëhem aktore, ose sipërmarrëse. Pas pak kohësh do të hedh në treg edhe parfumin tim”. Në logon e parfumit, ku është shkruar emri i saj, Noemi ka dizajnuar një flutur.

Noemi-t i pëlqen shumë të kujdeset për veten, por sidomos për thonjtë. Flokët i ka lyer sërish biondë. Si gjithmonë është e veshur mirë, e lyer në mënyrën e duhur, pa u rënduar.
Por kush është Noemi një vit më vonë? Një vajzë që kërkon rrugën e saj, që ka mbetur vetvetja, sepse është vetëm 19 vjeçe. Qytetin e saj të lindjes e ka në zemër, por punët që i pëlqejnë të bëjë janë mes Romës dhe Milanos. Ditëlindjen e saj të 19-të e festoi para pak ditësh në një diskotekë të madhe në Milano. Ishin të ftuar edhe miqtë e saj të fëmijërisë.

Pyetjes se si e përballon jetën, ajo i është përgjigjur kështu: “Në moshën 19-vjeçare gjithçka është e mundur, megjithatë mund t’ju them se falë ndihmës së prindërve arrij të përmbush të gjitha nevojat e mia. Pastaj prindërit duhet të bëjnë sakrifica për fëmijët”. E ndërsa pyetet nëse ishte i pranishëm këtë herë Kryeministri italian në ditëlindjen e saj, ajo vështron të atin, pastaj përgjigjet: “Në këtë rast po flasim vetëm për miq. Unë nuk shoh as moshën dhe as rolin e tij. Mund t’ju them vetëm kaq, se ka pasur gjëra më të rëndësishme për të bërë”.

Vitin e kaluar, Silvio Berlusconi i dhuroi një varëse me diamante, dirsa këtë vit Noemi thotë se ka marrë vetëm urime. Pjesa tjetër nuk i intereson. “Nga miqtë dua vetëm urime dhe ngrohtësi. Pra, me fjalë të tjera, bindja që të tjerët më kanë menduar ditën e ditëlindjes, për mua është shumë e rëndësishme. Në fund të fundit, kjo është ajo që vlen dhe që do ta dëshironte çdo njeri”. Megjithatë, pavarësisht fjalëve që fliten për të, ajo thotë se është një vajzë e thjeshtë dhe nuk pendohet për ato që ka bërë. “Nëse koha do të kthehej pas, unë do të bëja gjithçka që kam bërë, pa ndryshuar asgjë”, është shprehur ajo. “Unë kam bërë festën klasike që bëjnë të gjitha 18-vjeçaret. Pse duhet të pendohem? Për çfarë? Gjithçka ishte e mrekullueshme dhe e paharrueshme. Natyrisht që pjesën e shëmtuar e pasqyrojnë gjithmonë gazetat”.

Për sa i përket ish-bashkëshortes së Kryeministrit italian, Veronica Lario, divorci i saj ka qenë një keqkuptim, ose më saktë një gabim. “E kam thënë edhe në të kaluarën, që një martesë nuk mund të marrë fund për shkak të një ditëlindjeje. Ndoshta Veronica ka gabuar. Zonja Lario mund të jetë informuar gabim, do të ketë pasur një pamje të shtrembëruar të fakteve. Sigurisht që njeriu edhe mund të gabojë, por kur e kupton gabimin, ndonjëherë mund të jetë shumë vonë”, thotë ajo.
Noemi është e re dhe shumë simpatike, por duket sikur u është nënshtruar operacioneve plastike: ka bërë gjoksin, hundën, buzët. Këtë e dëshmojnë disa fotografi, megjithëse ajo e mohon një fakt të tillë: “çfarë budallallëqesh. Hunda, po të shihni me kujdes profilin e babait tim, është identike si e tija. Gjithmonë e kam pasur kështu. Pastaj gjoksin dhe buzët as nuk bëhet fjalë t’i kem prekur. Fotografitë e përdorura nga ndonjë gazetë mund të jenë marrë gjatë momenteve kur unë kam qenë në plazh, kështu që mund të kenë luajtur me fotoshopin, siç bëhet zakonisht”, pohon ajo. Për të gjithë ata që nuk e dinë, një nga pasionet e Noemi-t është që të udhëtojë me miqtë. Por gjithashtu i pëlqen të jetë pjesë e ndonjë spektakli. “Pasioni im i përjetshëm mbetet spektakli. Këtë vit kam ndjekur kurse për diksionin dhe kanto. Por më pëlqen të bëj edhe gjëra të tjera. Nuk do të thotë se fiksohem vetëm te një objektiv. Po eksploroj. Ndërkohë po punoj për prezantimin e parfumit tim, që quhet ‘Noemi L’. Kam markën time, kam dizajnuar shishen. Tani pothuajse është gati gjithçka. Këtë parfum ua kam kushtuar të rinjve, ose më saktë publikut tim”.

Dikur Noemi thoshte se e ardhmja e saj mund të ishte politika, a e mendon sërish këtë? “Politikës as nuk dua t’ia dëgjoj emrin”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›