A do ta infektojë Greqia Portugalinë?
“Frika arrin që të mposhtë më shumë njerëz se çdo gjë tjetër në botë”, ka shkruar dikur filozofi amerikan, Ralph Waldo Emerson. Kriza aktuale në Greqi tregon se frika nga dështimi mund ta gjunjëzojë një shtet. Situata shumë e rëndë financiare e Greqisë e ka çuar shtetin grek në prag të falimentimit në një kohë rekord.
Portugalia, ndërkohë, mund të jetë e dyta në radhë. Vendi ndodhet nën presion për shkak të frikës se mund të preket nga e njëjta sëmundje si edhe Greqia. Gjatë ditëve të shkuara, qeveria e Lisbonës e ka kuptuar fare mirë se çfarë është fuqia e tregjeve ndërkombëtare. Të mërkurën e kaluar, agjencia e sondazheve “Standard&Poor”, lajmëroi se borxhi i Portugalisë do të renditej në shkallën “A” dhe ndërkohë paralajmëroi për një përkeqësim të mëtejshëm të situatës. Ky vlerësim bazohej kryesisht në arsye teknike. Si rezultat i krizës greke, është përhapur një ndjenjë frike dhe nervoziteti në të gjitha tregjet financiare. Kjo ka shtuar edhe përqindjen e interesit për bonot portugeze të thesarit. Bëhet fjalë për një mekanizëm të vërtetë e të mirëfilltë paniku, që ka muaj që po ushtron ndikimin e tij te tregjet e bonove, duke e thelluar edhe më shumë problemin e borxhit në vende si Portugalia. Në këtë rast, megjithatë frika nuk është plotësisht e justifikueshme. Portugalia, si ekonomikisht, ashtu edhe financiarisht, është në një shëndet më të mirë se Greqia. Edhe pse deficiti buxhetor i vendit ka kapur shifrën 9.4% të Prodhimit Kombëtar Bruto, ai është vetëm pak më i lartë se deficiti i Gjermanisë. Qeveria e Lisbonës nuk do të ketë nevojë për shumë para në të ardhshmen e parashikueshme për të balancuar borxhin. Në maj, shteti duhet që të rifinancojë rreth 7 miliardë euro me një total prej 21 miliardësh gjatë gjithë vitit. Në rrethana reale, kjo shifër mund të mblidhej në treg. Megjithëse situata është cilësuar kritike nga “Standard&Poor”, edhe kjo agjenci është e ndërgjegjshme se situata nuk është aq në kufi sa ajo e Greqisë. Në realitet, kriza me të cilën po përballet Portugalia është një krizë politike. Zgjedhjet e parakohshme dhe reformat e zvarritura e kanë tronditur shumë besimin në aftësinë e qeverisë për të vepruar. Për më tepër, Kryeministri i vendit, Pedro Tadeu, i Partisë Socialiste, është kreu i një qeverie pakice, që do të thotë se opozita mund të bllokojë çdo reformë kur të dojë ajo. Aktualisht, qeveria dhe partia më e madhe opozitare, ajo konservatore e PSD, po shfaq vendosmëri dhe unitet. Ata janë bërë bashkë dhe kanë deklaruar se do t’u bëjnë bllok gjithë sulmeve të pajustifikueshme spekulative ndaj financave vendase. Ajo çka qeveria portugeze pritet që të bëjë, është aplikimi i menjëhershëm i masave të shkurtimeve buxhetore, gjë që në fakt ishte parashikuar për disa vite më pas. Situata aktuale e ka bërë urgjent këtë veprim. Janë parashikuar gjithashtu edhe rritje të taksave. Taksa për të ardhurat mbi 150 mijë dollarë do të rritet me 45%, që do t’i sjellë arkës së shtetit një shtesë prej 1.3 miliardë dollarësh në vitin 2012. Qeveria planifikon gjithashtu edhe të fusë një taksë të re për tregjet e aksioneve dhe për rrugët, si dhe të shkurtojë ndjeshëm përfitimin e papunësisë para përfundimit të këtij viti. Ky plan duket mjaft i mirë dhe kryetari i qeverisë me mbështetjen edhe të partisë më të madhe opozitare është i sigurt që gjithçka do të zbatohet dhe mbi të gjitha kjo do të jetë e mjaftueshme për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për të mos ta shndërruar në një shembull tjetër falimentimi financiar, siç po ndodh me Greqinë. Por siç pritej, Kryeministri ka gjetur shumë pak mbështetje në këtë sipërmarrje të madhe nga sindikatat, duke qenë se një nga masat e pritshme të qeverisë është edhe “ngrirja” e pagave të punonjësve civilë. Sipas planeve, kostot e personelit do të reduktohen me 10% deri në vitin 2013, gjë që do t’i japë shtetit 100 milionë euro shtesë çdo vit. Të vetmit punëtorë që do të përjashtohen nga masa të tilla janë ata që fitojnë nën 500 euro në muaj. Por, sipas shumë analistëve, masa të tilla do të kenë një efekt shumë negativ te shtresa e mesme, sepse me fjalë të tjera, ato “do ta shkatërrojnë” totalisht atë. Për këtë arsye, sindikatat kanë nisur që të shtrëngojnë dhëmbët dhe të reagojnë ndaj Kryeministrit, se nuk do ta ketë të lehtë që të përballet me shkurtime pa pasoja. Duke nisur nga fillimi i javës së ardhshme, në vend është parashikuar organizimi i shumë grevave në sektorë shumë të ndjeshëm të ekonomisë dhe shoqërisë, si sektori i transportit publik. Parashikohen çrregullime të mëdha të trafikut. Pavarësisht vështirësive dhe reagimeve të popullsisë, qeveria portugeze ka shumë shanse që ta marrë në dorë situatën e borxhit dhe ta zgjidhë vetë problemin, pa pasur nevojë për ndërhyrje. E megjithatë, askush nuk mund të thotë se bëhet fjalë për një reformim të ekonomisë së vendit. Që kur Portugalia iu bashkua Zonës Euro në vitin 1999, ashtu si edhe Spanja e Greqia, ka pasur probleme shumë të mëdha strukturale dhe Portugalia, pavarësisht se u fut në këtë zonë, është cilësuar gjithmonë si “një rast i vështirë”. Sa do të vështirësohet ende ky rast? Kjo është pyetja e dytë që do të bëjnë të gjithë analistët pasi të zgjidhet problemi i Greqisë, apo ndoshta edhe më përpara.
#