E Shtunë, 31 Tetor 2026

Noka: Çdo masë për qetësinë e pushtuesve

Gjatë kontakteve që pati edhe me udhëtarët e rastësishëm në të dy kahet e kalimit kufitar, ministri Noka theksoi se janë marrë të gjitha masat për të garantuar një udhëtim dhe qëndrim sa më të sigurt dhe të këndshëm në vendin tonë.

 “Kemi porositur dhe instruktuar të gjitha strukturat e policisë, drejtoritë dhe komisariatet që të jenë 24 orë në 24 në shërbim të rendit dhe sigurisë së qytetarëve e pushuesve. Janë instruktuar dhe porositur që të bashkëpunojnë edhe me autoritetet vendore për mbarëvajtjen e këtij sezoni pushimesh. Policia kufitare ka fleksibilitetin më të lartë për ndihmuar lëvizjen e qytetarëve, qoftë duke shtuar sportele të tjera dhe personelin përkatës. Aktualisht janë 30 sportele në shërbim të udhëtarëve. Sikundër e patë edhe ju vetë, përpunimi i dokumentacionit të qytetarëve apo mjeteve bëhet në pak sekonda tashmë. Policia kufitare, si pika e parë e kontaktit me qytetarët, si impresion i parë i turistit në kontaktin e parë me Shqipërinë, ka marrë instruksionet e nevojshme që të tregojë kujdesin e nevojshëm dhe të respektojë maksimalisht kodin e etikës dhe të kulturës qytetare”, tha ai.

Kreu i MB-së tha se në bashkëpunim me vendorët në të gjithë territorin, janë marrë të gjitha masat e nevojshme, për t’u ardhur në ndihmë pushuesve dhe turistëve për mbarëvajtjen e sezonit për pushime të qeta e të sigurta, “por edhe për ndjekjen dhe zbatimin me rigorozitet të Aktit Normativ të Qeverisë për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare”. Ministri Noka u bëri apel qytetarëve që të jenë bashkëpunues me punonjësit e strukturat e policisë dhe të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit apo abuzimit me detyrën, duke nënvizuar se për kundravajtësit do të ketë zero tolerancë.

Gjatë vizitës në pikën kufitare të Portit të Durrësit, Ministri i Brendshëm, z. Flamur Noka, shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Hysni Byrgaj, zv.Drejtori i Përgjithshëm për Kufirin&Emigracionin, Pëllumb Nako, Drejtori i Policisë së Qarkut Durrësit, Aleks Hajdari, si edhe Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kufirit&Emigracionit Durrës, Arben Hajdarmataj. /Start/

                                                                                             2012-07-27 16:23
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›