E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthehet qetësia në Shqipëri, policët ruajnë diskotekat

Tiranë- Akti normativ i qeverisë për vendosjen e orareve në klubet e natës dhe lokalet që në tërësi që prodhojnë zhurma për qytetarët, ka vendosur më në fund rregull. Në kryeqendrën e Tiranës, në zonën e ish bllokut ku jeta ishte bërë një ferr, nata e mbrëmshme ka qenë e qetë.

Në hyrjet e lokaleve të natës, të cilët janë bërë objekt shqetësimi për banorët e kësaj lagjeve, gjatë natës kishte patrulla policore që kanë mbikqyrur respektimin e orareve. Më në fund kjo lagje e Tiranës dukej një mjedis për të jetuar, pasi të gjitha klubet e natës që si mjetet izolimi kishin vetëm disa tende plastmasi, ishin të qeta.

Edhe nëpër rrethe ka qenë e njëjta situatë. Në qytetet bregdetare është vendosur rregull, pasi në shërbim të agjensive të mjedisit janë vënë edhe forcat e policisë së rendit, të cilat gjatë gjithë natës kanë patrulluar në zonat e plazheve.

Eshtë dashur një angazhim i ashpër i të gjitha ministrive të linjës për të vënë rregull dhe rikthyer qetësinë. Qëndrimi i ashpër i kryeministrit Berisha ka ardhur pas diskutimeve edhe në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat. Kryeministri është informuar për njoftimet e botuara në mediat e huaja, lidhur me situatën aspak të favorshme për të pushuar në Shqipëri vetëm si pasojë e zhurmave.

Ndërsa fakti i denjë për librin e rekordeve Guinness, duket të jetë regjistruar në Korfuz. Autoritetet lokale në ishullin grek përballë Sarandës, mësohet se janë ankuar pranë zyrtarëve të bashkisë së Sarandës, për zhurmën që prodhojnë diskotekat në këtë qytet, zhurmë e cila përcillet deri matanë ngushticës detare, duke prodhuar shqetësim për turistët atje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›