E Shtunë, 31 Tetor 2026

Noka: Pse partia e re e Topit, do të jetë e pozicionuar majtas

“Cilido që ka ndërmend të krijojë një parti të re në Shqipëri, me siguri që e ka të fortë ankthin se në cilin grupim do të futet krijesa e tij, tek ata që mbijetuan apo tek ato që u është harruar emri. Djathtas apo majtas do jetë partia e z.Topi?”

TIRANË Sekretari Organizativ dhe deputeti demokrat Flamur Noka nuk e sheh shqetësuese mungesën e deritanishme të zgjedhjes së sekretariatit dhe dy nënkryetarëve, sa kohë që, sipas tij, Partia Demokratike ka të zgjedhura dhe tërësisht funksionale strukturat e tjera, si kryesia apo Këshilli Kombëtar. Noka thekson se në çdo Kuvend të mbajtur nga PD-ja ka pasur freskim strukturash nga baza në qendër, dhe një gjë e tillë, sipas tij, do të pasqyrohet edhe në sekretariatin e ardhshëm. I pyetur për krijimin e një partie të djathtë nga ana e Bamir Topit, ai shprehet se për PD-në nuk përbën shqetësim, sa kohë që, sipas tij, në këtë periudhë të gjatë ekzistence politike, PD ka pasur rastin të sodisë një numër të madh partish që janë krijuar, disa prej të cilave rritur e zhvilluar, disa vetëm të mbijetuara, por edhe nga ato që u është harruar emri. “Ndërkohë, cilido që ka ndërmend të krijojë një parti të re në Shqipëri, me siguri që e ka të fortë ankthin se në cilin grupim do të futet krijesa e tij, tek ata që mbijetuan apo tek ato që u është harruar emri. Djathtas apo majtas do jetë partia e z.Topi? Komentin më të mirë për këtë e bën kushdo që kujton tentativën për grusht shteti të 21 Janarit dhe votimin e 8 Majit”, - shprehet Noka.

Z. Noka, prej më shumë se 3 muajsh nga zgjedhja e Këshillit Kombëtar dhe më pas kryesisë, ka mbetur pezull zgjedhja e nënkryetarëve dhe e sekretariatit. Ju kritikoni PS-në për zhvillimet e saj të brendshme dhe zgjedhjet e forumeve, por vetë PD është prej gati tre vjetësh pa gjysmën e strukturave të larta. Pse kjo vonesë kaq e gjatë nga PD-ja, e cila paralelisht po konsumon edhe mandatin e dytë qeverisës?

Ajo që ne konstatojmë me keqardhje në PS është politika bllokuese dhe e mbrapshtë e ndjekur në këto dy vjet, e cila është qartësisht në dëm të vendit dhe ky është një shqetësim shumë i madh jo vetëm për ne, por për gjithë shoqërinë shqiptare, që kërkon që forcat politike të kryejnë detyrimet e tyre përballë interesave madhore të vendit. Shqetësim nuk janë afatet për zgjedhjen e kësaj apo asaj strukture, pasi kjo nuk është esenciale në organizimin, funksionimin apo demokracinë e brendshme të një partie. Shqetësim dhe sinjal ogurzi është fryma mbytëse që përçon drejtimin e kësaj Partie (PS) dhe mungesa e transparencës në një proces zgjedhor të brendshëm të kësaj force politike, siç ishin zgjedhjet e Asamblesë dhe mënyra e drejtimit me diktat. Shoqëria shqiptare ka memorie dhe nuk mund të tallesh me të duke i paraqitur rrënuesit dhe shkatërruesit e saj si “rilindas’”dhe si prurje të reja në parti. Për sa i përket merakut tuaj, Partia Demokratike ka të zgjedhura dhe tërësisht funksionale strukturat e saj që parashikon statuti. Kryetarin, kryesinë dhe Këshillin Kombëtar, si institucione të zgjedhura. Ndërsa për të parë sekretariatin e ri të Partisë Demokratike, shumë shpejt do të shuhet kurioziteti i të gjithëve.

Pas gjithë kësaj vonese a pritet ndonjë surprizë në zgjedhjen e strukturave të larta të partisë, në kuadër të parapërgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 2013-ës?

Partia Demokratike funksionon si një organizëm i gjallë dhe ju e keni vënë re se në çdo Kuvend ka pasur freskim strukturash nga baza në qendër dhe gjenerim energjish për të përballuar me sukses sfidat që koha i vë përpara asaj, siç dhe i ka përballuar deri më tani. Pa këtë vitalizim të saj dhe pa këtë burim energjish nuk do ishte e thjeshtë të rrezatonim besim dhe të ishim fitues në katër palë zgjedhje që nga viti 2005 dhe të bëhemi gati për t’u rimandatuar përsëri në zgjedhjet e ardhshme. Ky është një proces i vazhdueshëm dhe i përhershëm për PD. E keni parë të pasqyrohet në Këshillin Kombëtar të PD-së, në kryesinë e saj dhe do ta shihni dhe në sekretariat.

Sa e ka konsumuar PD-në qeverisja në këto 6 vite dhe a janë strukturat e saj nga qendra në bazë vetëm në funksion të qeverisjes qendrore dhe asaj lokale?

Një parti politike kur është në pushtet sigurisht që të gjitha kapacitetet e saj, të gjitha resurset dhe të gjitha energjitë e saj i vë në dispozicion të qeverisjes, pasi suksesi dhe mossuksesi i qeverisjes është dhe suksesi apo mossuksesi i saj. Një forcë politike konsumohet kur nuk mban premtimet dhe kur nuk realizon programin e saj, me të cilin i ka kërkuar mbështetje elektoratit. Fakti që deri tani PD dhe qeverisja e saj jo vetëm ka realizuar, por ka tejkaluar parashikimet e programit të saj elektoral, kemi një ekonomi stabël që po performon mjaft mirë, kemi rritjen ekonomike të kënaqshme në një kohë kur ekonomitë rajonale dhe europiane po kalojnë kriza të forta dhe disa prej tyre janë në recension, do të thotë që ne kemi merituar dhe justifikuar më së miri besimin e shqiptarëve

Prej vitesh ju mbuloni organizimin e Partisë Demokratike. Sa mendoni se mund ta dëmtojë PD-në krijimi i një partie të djathtë nga ana e Bamir Topit? A keni ju një indikator të pakënaqësisë, apo një analizë të brendshme se ku mund të ketë rrjedhje votash nga PD-ja?

Partia Demokratike është themeluesja e pluralizmit politik në vend, dhe duke qenë e para forcë politike opozitare nuk kishte parasysh të zëvendësonte partinë shtet të asaj kohe. Përkundrazi, të krijonte një sistem, ku secili të kishte jo vetëm mundësinë për t’u shprehur lirisht, por dhe për t’u përfaqësuar politikisht. Gjatë këtyre 21 vjetëve, PD ka pasur rastin të sodisë një numër të madh partish që janë krijuar, disa prej të cilave janë rritur e zhvilluar, disa të tjera kanë mundur të mbijetojnë, por ka edhe plot të tjera që u është harruar emri. Në këtë kuptim, për Partine Demokratike nuk përbën asnjë shqetësim krijimi i një apo disa partive, qofshin këto edhe të zotit Topi. Ndërkohë, cilido që ka ndërmend të krijojë një parti të re në Shqipëri, me siguri që e ka të fortë ankthin se në cilin grupim do të futet krijesa e tij, tek ata që mbijetuan apo tek ato që u është harruar emri. Djathtas apo majtas do jetë partia e z.Topi? Komentin më të mirë për këtë e bën kushdo që kujton tentativën për grusht shteti të 21 Janarit dhe votimin e 8 Majit.

Intervistoi: Nevila Perndoj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›