PDIU, konkurs për ngritjen e memorialit për çamët
TIRANË Shoqata “Çamëria” çeli dje në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar ekspozitën e projekteve të fazës finale të konkursit “Varreza monumentale të shqiptarëve të Çamërisë në Qafë Botë“, ku u ekspozuan tetë projektet e studiove prestigjioze nga Shqipëria dhe Kosova. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një javë dhe më pas do të shpallet projekti fitues, në bazë të të cilit do të ndërtohen edhe varrezat monumentale në fshatin Kllogjer të Sarandës. “Ky projekt shërben për të kujtuar në mënyrë dinjitoze më shumë se 2600 shqiptarë të Çamërisë, të cilët humbën jetën nga etja dhe uria gjatë marshimit të tyre biblik nga Çamëria në shtetin shqiptar, pas dëbimit gjenocidial të bandave të Napoleon Zervës. Tetë projektet e ekspozuara janë mjaft cilësore dhe projekti fitues do të zbatohet në varrezat, tashmë masive, të Kllogjerit. Ky është një monument tribun që ne u bëjmë shqiptarëve të Çamërisë që u dëbuan nga shtëpitë e tyre vetëm pse ishin shqiptarë“, - tha dje kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Nga tetë projektet e paraqitura, tre janë në formën e skulpturave, ndërsa pesë të tjerat në projekte të prezantuara në fotografi. Ndër to, një projekt është produkt i një studioje projektimi nga Kosova, ndërsa shtatë të tjerat nga Shqipëria. Zbatimi i këtij projekti kap një vlerë mbi një milion euro, ndërkohë që juria përzgjedhëse përbëhet nga Artan Lame, kryetar; Arben Bi]oku, Abas Hado dhe Ardian Tana. Shpallja e projektit fitues do të bëhet pas disa ditësh dhe menjëherë pas saj do të nisë zbatimi i tij në varrezat e Kllogjerit në Sarandë.