Keshilli i Sigurise diskuton per krizen ne Siri
Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka mbajtur një takim të nivelit të lartë mbi krizën në Siri, ndërsa konflikti ka hyrë në muajin e 18-të, dhe nuk shihet ndonjë zgjidhje në horizont. Kryengritja kundër presidentit sirian Bashar Asad ka kaluar në një konflikt të armatosur, nga i cili, sipas aktivistëve, kanë mbetur të vrarë rreth 30 mijë persona. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon paralajmëroi Këshillin e Sigurimit, se nëse nuk gjendet një zgjidhje, kriza mund të shndërrohet në një konflikt të gjerë, dhe mund t’i tërheqë edhe fuqitë rajonale. Shefi i Ligës Arabe Nabil Elarabi i bëri thirrje OKB-së që të provojë një qëndrim të ndryshëm për të zgjidhur krizën. Nga ana tjetër presidenti i Egjiptit Mohamed Morsi ka bërë debutimin e tij në skenën botërore në Kombet e Bashkuara, duke thënë se nuk do të rrijë i qetë derisa lufta civile në Siri të marrë fund. Në fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, i quajti luftimet atje, si “tragjedi të epokës” dhe si një luftë “që në të gjithë duhet ta ndalim”. Morsi, i ftoi të gjitha shtetet që të bashkojnë përpjekjet e udhëhequra nga Kajro për të ndaluar gjakderdhjen, e cila filloi rreth 18 muaj më parë, kur opozita u ngrit kundër regjimit të presidentit Bashar Asad. Morsi hapi fjalimin e tij duke e cilësuar veten si presidenti i parë i Egjiptit i zgjedhur në mënyrë demokratike.