Chelsea shkarkon Villas-Boasin

Andre Villas-Boas është shkarkuar nga Chelsea, më pak se një vit pas emërimit të tij në postin e menaxherit në Stamford Bridge.
Vendimi erdhi pas humbjes 1-0 nga West Bromwich Albion, dhe vetëm tri fitoreve në 12 ndeshjet e fundit në Premierligë. 34 vjeçari portugez ishte emëruar menaxher i Chelseas në qershor 2011.
Ish mesfushori i Chelseas, Roberto di Matteo është angazhuar në krye të ekipit të parë në bazë të përkohshme deri në fund të sezonit.
“Fatkeqësisht, rezultatet dhe paraqitjet e ekipit nuk kanë qenë të mira sa duhet dhe nuk kishte shenja të përmirësimit në momentin vendimtar të sezonit” thuhej në komunikatën e publikuar në uebfaqen zyrtarë të klubit.
Chelsea, brenda 10 ditëve të ardhshme përballet me dy ndeshje të vështira brenda në FA Cup kundër Birmingham Cityt dhe ndaj Napolit në Ligën e Kampionëve.