Starti i furishëm

Sulmuesi i Newcastle United, Papiss Cisse ka realizuar nëntë gola në tetë ndeshje duke bërë një prej nisjeve më të mira të karrierës në Premierligë. Por, ku renditet bilanci i përforcimit të ardhur nga skuadra gjermane Freiburg për 9.5 milionë funte, prej riformimit të Premierligës, 20 vjet më parë? A garanton kjo nismë suksesin afatgjatë? BBC Sport ka publikuar një përmbledhje të golashënuesve më të mirë bazuar në tetë ndeshjet e tyre të para në Premierligë. Në listë ka emra të njohur, dhe disa të befasishëm.
10 gola: Micky Quinn (Coventry)
Sulmuesi 30 vjeç iu bashkua Coventryt për 250 mijë funte në nëntor 1992. Ai arriti të shënojë vetëm shtatë gola në 22 paraqitje për ekipin e Newcastles që vuante në Division One (tani Championship) dhe nuk ishte i kërkuar nga menaxheri i ri i ekipit, Kevin Keegan. Por, ai realizoi 10 herë në gjashtë ndeshjet e para në Coventry, duke zgjuar sugjerime për ftesë në Kombëtaren e Anglisë. Quinn shënoi edhe shtatë herë të tjera në 20 takimet e ardhshme. Por, sezonin tjetër ai prishi raportin me menaxherin Phil Neal dhe u huazua në Plymouth dhe Watford.
9 gola: Papiss Cisse (Newcastle), Mark Viduka (Leeds) and Sergio Aguero (Man City)
Pas 30 golave në 37 paraqitje gjatë 18 muajve të qëndrimit në Celtic, Mark Viduka, atëherë 24 vjeç, kaloi në Leeds për 6 milionë funte. Ai dështoi të realizojë në tri ndeshejt e para në ligë para se të realizojë dy herë në dy takimet e ardhshme.
Ai e gjeti golin sërish në ndeshjen e tij të shtatë, e më pas realizoi të gjitha golat e Leedsit në fitoren 4-3 ndaj Liverpoolit. Viduka përfundoi sezonin me 22 gola. Nisje të furishme ka bërë edhe Sergio Aguero, i cili ka realizuar 19 gola në 30 paraqitje për Cityn, gjatë këtij sezoni.
8 gola: Alan Shearer (Blackburn), Kevin Phillips (Sunderland) dhe Francesco Baiano (Derby)
Alan Shearer, i cili u bë golashënuesi rekord i Premierligës, filloi furishëm më 1992, kur iu bashkua Blackburnit për 3.6 milionë funte. Një lëndim i gjurit ia përfundoi sezonin në dhjetor, kur kishte realizuar 16 gola në 21 takime. Shearer shënoi gjithsej 130 gola në 171 paraqitje për Blackburnin, duke përfshirë 34 në sezonin kur fituan titullin më 1994-95, para se të kalojë në Newcastle më 1996.
Kurse Kevin Phillips nuk ishte përforcim i ri, por i ri në Premierligë me Sunderlandin e promovuar më 1999. Ai realizoi 30 gola atë sezon dhe fitoi Këpucën e Artë të Evropës. Në gjashtë sezonet e tij në klub, ai realizoi 113 gola në 208 ndeshje. Në moshën 38 vjeç ai vazhdon të jetë i rrezikshëm. Phillips, deri më tani gjatë këtij sezoni shënoi 16 herë në 19 paraqitje si titullar për Blackpoolin në Championship.
Italiani Francesco Baiano kaloi në Derby për 1.5 milionë funte në verën e vitit 1997. Pavarësisht se humbi një penallti në debutim, 29-vjeçari shënoi në gjashtë ndeshje të njëpasnjëshme. Megjithatë, golat filluan të mungojnë dhe ai realizoi vetëm tetë në 56 paraqitjet e tij të ardhshme para se të kthehej në Itali te Ternana më 1999.
Shtatë gola:
Hamilton Ricard, Middlesbrough, 1998
Jurgen Klinsmann, Tottenham 1994
David White, Man City 1992
Amr Zaki, Wigan 2008