E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nora: Luftëtari mbetet i llahtarshëm deri në fund

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Sulmuesi kryesor i gjirokastritëve, Arlind Nora, shpreh bindjen se ekipi i tij do ta mbyllë kampionatin si kampion i kategorisë së parë

Një dygolësh i ri i Arlind Norës (6 të tillë dhe 1 tregolësh) si dhe goli i mbrojtësit Baci i dhanë Luftëtarit fitoren me Gramozin në transfertë dhe kështu ky ekip vazhdon të kryesojë me 3 pikë më shumë se Kukësi, që mban vendin e dytë. Një fitore e re e pret Luftëtarin, duke qenë se pret Adën, për tu ndeshur pas kësaj me Kukësin, që ka pretendime serioze.

E veçanta e tornados në Ersekë për Luftëtarin është se për herë të parë në portën e tij këtë kampionat luajti Fatjon Gërxholli, i cili nuk pësoi gol, edhe pse mund të kishte emocione të forta, që lindën nga përgjegjësia e kësaj transferte.

Ndoshta ai mund të ishte më i çliruar po të ishte aktivizuar si zëvendësues në disa ndeshje, si fjala vjen kur Luftëtari ka mundur Elbasanin 3-1, Ilirinë 5-1, Gramozin 4-0, Himarën 3-0, Butrintin 3-0 dhe Gramshin 4-1, pasi është arritur rezultati i përshtatshëm. Megjithatë, këtë e dinë më mirë trajnerët.

Për Luftëtarin këtë kampionat është plotësisht e mundshme që në Gjirokastër ta mbyllë me 15 fitore në po kaq ndeshje, përderisa pret Adën dhe Mamurrasin. Dhe ky do të jetë një rekord historik për të, gjë që arrihet me maturi dhe luftë sportive, pa eufori dhe mendjemadhësi, sepse në një ndeshje futbolli rezultati nuk mund të paracaktohet.

Nora Me 2 golat e shënuar në Ersekë, sulmuesi Arlind Nora arriti në kuotën e19 golave, duke barazuar Cankën e Lushnjës (dhe të kujtosh që ka humbur edhe 3 11-metërsha). Topçiu i frikshëm i Luftëtarit, për fitoren e fundit dhe 3 ndeshjet e mbetura shprehet: E ndiej veten krenar, si gjithë kolegët e mi, sepse së pari jemi duke e realizuar objektivin e sezonit me rezultate bindëse, jo vetëm në Gjirokastër, ku kemi vetëm fitore, por edhe në transferta, siç bëmë edhe në ndeshjen me Gramozin.

Së dyti, jam krenar se po shënoj  gola, duke ndikuar kështu esencialisht për këtë sukses, që Gjirokastra dhe gjirokastritët, kudo që janë, e presin për të pestin sezon radhazi. Me Gramozin e siguruam fitoren që në 30 minutat e para, ndërkohë që mund të shënonim edhe gola të tjerë, por jo të gjitha rastet kthehen në gol.

Kanë mbetur edhe 3 ndeshje deri në përfundim të kampionatit dhe 2 prej tyre, me Adën dhe me Mamurrasin, do të luajmë në Gjirokastër. Do të luajmë edhe në  Kukës, ku pa dyshim që do të përqendrohet vëmendja e gjithë atyre që e ndjekin kategorinë e parë, por për këtë do të flasim pas përballjes me Adën.

Ajo gjendet në një pozicion komod në renditje, por kjo nuk do të thotë se do të vijë për të na dhuruar 3 pikët. Përkundrazi, them se ajo do të luftojë për prestigjin e saj në radhë të parë, ndaj dhe duhet të luajmë me tërë energjitë tona për të arritur fitoren, që të jemi të shkëputur nga rivalët sa më shumë të jetë e mundur. Jam i bindur se nuk do ta diskutojmë edhe këtë radhë fitoren, pasi e kemi epërsinë pothuajse në të gjitha drejtimet. Ky Luftëtar është një ekip i llahtarshëmdhe i tillë do të jetë edhe në 3 ndeshjet e mbetura.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›